Liturgjia e Fjalës – 14 nëntor – e enjte- Java XXXII gjatë vitit

Written by on October 14, 2024

JAVA E XXXII GJATË VITIT
 
E ENJTE
 
Antifona e hyrjes Krh. Ps 87, 3
 
Të arrijë te Ti, o Zot, lutja ime; prirja veshin tënd uratës sime!
 
Kolekta
 
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëboje prej nesh çdo pengesë për jetën tonë, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (Flm 7-20) (fq. 1686)
 
Pranoje jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla të dashur.
 
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filemonit
 
Fort i dashur! 7 Dashuria jote, vërtet, ka qenë për mua gëzim i madh dhe ngushëllim, o vëlla, sepse i ke përforcuar zemrat e shenjtërve.
8 Prandaj, edhe pse e kam lirinë e plotë në Krishtin të urdhëroj çka të duhet të bësh, 9 më fort po më pëlqen të drejtohem me lutje në emër të dashurisë, kështu siç jam, unë Pali, plak dhe tani edhe i burgosuri i Krishtit Jezus. 10 Po të lutem për birin tim, të cilin e linda në pranga, për Onezimin, 11 që dikur s’kishte farë vlere për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty dhe për mua. 12 Po ta dërgoj atë – loçkën e zemrës sime. 13 Desha ta ndal pranë meje që të më shërbejë në vend tënd këtu në burg ku gjendem për shkak të Ungjillit, 14 por nuk desha të bëj asgjë pa pëlqimin tënd që, vepra e mirë të cilën do ta bësh, të mos duket se e bëre përdhunë, por vullnetarisht. 15 Ndoshta shi për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë që te ti të kthehej për gjithmonë, 16 jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur, sidomos për mua dhe aq më tepër për ty, qoftë si njeri dhe qoftë si vëlla në Zotin.
17 Në qoftë se, pra, më mban për shok në fe, pranoje porsi mua! 18 Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë dëm ose të ka gjë borxh, më detyro mua për të gjitha.
19 Po nënshkruhem me dorën time – unë Pali: unë do të paguaj… që të mos të përkujtoj se edhe ti ma ke një borxh – shi vetveten! 20 Po, o vëlla, ma bëj këtë nder në Zotin! Ma kërthndez zemrën time në Krishtin!
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi 146 (145) (fq. 826)
 
Ref. DO TA LËVDOJ ZOTIN TËRË JETËN TIME
 
7 Zoti e mban besnikërinë për amshim,
Ai u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqimin të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
 
Ref. DO TA LËVDOJ ZOTIN TËRË JETËN TIME
 
8 Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
9 Zoti i mbron të huajt.
 
Ref. DO TA LËVDOJ ZOTIN TËRË JETËN TIME
 
U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
10 Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion,
nga breznia në brezni.
 
Ref. DO TA LËVDOJ ZOTIN TËRË JETËN TIME
 
Aleluja!
Te Zoti një ditë është si një mijë vjet po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme. Pritni Ditën e Ardhjes së Hyjit në shenjtëri e në jetë. (Krh. 2 Pjt 3,8.11-12)
Aleluja!
 
Ungjilli (Lk 17, 20-25) (fq. 1490)
 
Mbretëria e Hyjit është mes jush!
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë i pyetur prej farisenjve: 20 »Kur do të vijë Mbretëria e Hyjit?« Jezusi u përgjigj: »Mbretëria e Hyjit nuk vjen në mënyrë të dukshme, 21 as nuk do të mund të thuhet: ‘Qe këtu!’ Ose ‘Qe atje! ‘Porse, ja, Mbretëria e Hyjit është mes jush!«
22 Atëherë u tha nxënësve të vet: »Do të vijë koha, kur do të dëshironi ta shihni një ditë të vetme të Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. 23 Do t’ju thonë: ‘Qe, këtu është! Qe, atje!’ Mos shkoni as mos i ndiqni! 24 Sepse, sikurse vetëtima që vetëton në njërin skaj e ndrit deri në skajin tjetër të qiellit, ashtu do të jetë edhe Biri i Njeriut në Ditën e tij. 25 Por, më parë i duhet të vuajë shumë e të përbuzet prej kësaj breznie.
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Shikoje me mirësi, o Zot, këtë fli, që të fitojmë me përkushti çka kryejmë me misterin e mundimeve të Birit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Krh. Ps 22, 1-2
 
Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon; më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta.
 
Ose: Lk 24, 35
 
Nxënësit e njohën Zotin Jezus kur ndau bukën.
 
Lutja pas kungimit
 
Të falënderojmë, o Zot, që na forcove me dhuratën e shenjtë, dhe po i lutemi bujarisë sate që, nën ndikimin e Shpirtit tënd, të përshkuar me fuqinë qiellore, të qëndrojmë me çiltëri në hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend