Liturgjia e Fjalës – 12 nëntor – e martë – Java XXXII gjatë vitit
Written by Radio Maria on October 12, 2024
JAVA E XXXII GJATË VITIT
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 87, 3
Të arrijë te Ti, o Zot, lutja ime; prirja veshin tënd uratës sime!
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëboje prej nesh çdo pengesë për jetën tonë, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Tit 2, 1-8.11-14) (fq. 1684)
Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Titit
Fort i dashur! 1 Ti mëso çka është në përkim me mësimin e shëndoshë: 2 që pleqtë të jenë të përkormë, të ndershëm, të urtë, të shëndoshë në fe, në dashuri dhe në qëndresë. 3 Po ashtu edhe plakat: të kenë sjellje si u ka hije shenjtërve: jo shpifëse, jo të dhëna mbas verës, por mësuese të së mirës: 4 t’i mësojnë gratë e reja t’i duan burrat e vet dhe fëmijët e vet: 5 të jenë të urta, të pastra, shtëpiake me mend, të mira, t’u binden burrave të vet – që fjala e Hyjit të mos shahet.
6 Po ashtu nxiti të rinjtë që të jenë të përkormë. 7 Në çdo gjë ji shembull me vepra të mira: në mësim trrgo përpikërinë, denjësinë; 8 fjala të jetë e shëndoshë, e patëmetë që kundërshtari, duke mos pasur çka të flasë keq për ne, të turpërohet.
11 Vërtet u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. 12 Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, 13 duke pritur shpresën e lumtur dhe Ardhjen e lavdisë së të madhit Zot dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. 14 Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira.
Fjala e Zotit
Psalmi 37 (36) (fq. 697)
Ref. SHËLBIMI I TË DREJTIT VJEN PREJ ZOTIT
3 Shpreso në Zotin e bëj mirë:
kështu do të banosh Tokën e premtuar e do të jetosh në paqe.
4 Vëre gëzimin tënd në Zotin
e ai do t’i plotësoj dëshirat e zemrës sate.
Ref. SHËLBIMI I TË DREJTIT VJEN PREJ ZOTIT
18 Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve,
trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.
19 Nuk do të turpërohen në ditë të keqe,
s’do t’u mungojë buka në kohë zie.
Ref. SHËLBIMI I TË DREJTIT VJEN PREJ ZOTIT
7 Hiqu së keqes e bëj të mirën
e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,
28 sepse Zoti e do të drejtën
dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.
Ref. SHËLBIMI I TË DREJTIT VJEN PREJ ZOTIT
Aleluja!
Zotësia jonë e ka burimin në Hyjin; ai ndikon në ne të duam dhe të veprojmë, sipas mirësisë së tij. (Krh. 2 Kor 3, 5; Fil 2, 13)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 17, 7-10) (fq. 1490)
Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi tha: 7 cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan dhentë, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’ 8 A thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë një herë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ 9 A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua? 10 Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë.’«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shikoje me mirësi, o Zot, këtë fli, që të fitojmë me përkushti çka kryejmë me misterin e mundimeve të Birit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 22, 1-2
Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon; më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta.
Ose: Lk 24, 35
Nxënësit e njohën Zotin Jezus kur ndau bukën.
Lutja pas kungimit
Të falënderojmë, o Zot, që na forcove me dhuratën e shenjtë, dhe po i lutemi bujarisë sate që, nën ndikimin e Shpirtit tënd, të përshkuar me fuqinë qiellore, të qëndrojmë me çiltëri në hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.