Liturgjia e Fjalës – 11 nëntor – e hënë – Java XXXII gjatë vitit

Written by on October 11, 2024

JAVA E XXXII GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes Krh. Ps 87, 3
 
Të arrijë te Ti, o Zot, lutja ime; prirja veshin tënd uratës sime!
 
Kolekta
 
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëboje prej nesh çdo pengesë për jetën tonë, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (Tit 1, 1-9) (fq. 1683)
 
Caktoj udhëheqësit në çdo qytet sipas porosive që të kam dhënë.
 
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Titit
 
1 Pali, shërbëtori i Hyjit dhe apostulli i Jezu Krishtit për t’i kthyer në fe të zgjedhurit e Hyjit dhe për t’i bërë ta njohin të vërtetën që mëson përshpirtërinë, 2 me shpresë në jetën e pasosur, të cilën e premtoi Hyji – që kurrë nuk gënjen, para kohërave të amshuara 3 dhe, në kohën e caktuar, e dëftoi fjalën e vet me anë të predikimit që m’u besua mua me urdhër të Hyjit, Shëlbuesit tonë: 4 Titit, birit të vërtetë në saje të fesë së përbashkët: Hir dhe paqe prej Hyjit Atë dhe prej Krishtit Jezus, Shëlbuesit tonë.
5 Arsyeja pse të lashë në Kretë është që të kryesh çka mbetet për t’u rregulluar dhe të caktosh udhëheqës në çdo qytet simbas porosive që të kam dhënë.
6 Kandidati duhet të jetë i patëmetë, i martuar vetëm një herë, fëmijët t’i ketë besimtarë që nuk përfliten për sjellje të shfrenuar dhe për padëgjesë. 7 Sepse, mbikëqyrësi, si mbarështues i Hyjit, duhet të jetë i patëmetë: jo i vrazhdë, jo hidhnak, jo pijanec, jo mujshar, jo lakmues i fitesës së ndytë, 8 por mikpritës, që e do të mirën, i urtë, i drejtë, i shenjtë, që mbizotëron me vete, 9 i thelluar në fjalën e vërtetë të mësimit, që të jetë i zoti të japë zemër në mësimin e shëndoshë dhe t’ua mbushë mendjen kundërshtarëve.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi 24 (23) (fq. 682)
 
Ref. FYTYRËN TËNDE E KËRKOJMË, O ZOT
 
1 E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
2 Ai vetë e themeloi mbi dete,
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
 
Ref. FYTYRËN TËNDE E KËRKOJMË, O ZOT
 
3 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4 Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,
ai që nuk përbehet në rrenë.
 
Ref. FYTYRËN TËNDE E KËRKOJMË, O ZOT
 
5 Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
6 E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
 
Ref. FYTYRËN TËNDE E KËRKOJMË, O ZOT
 
Aleluja!
Përqendroni të gjitha forcat tuaja t’ia shtoni fenë virtytit të përshpirtërisë, dhe përshpirtërisë dashurinë vëllazërore, e kështu do t’ju hapet plotësisht hyrja në Mbretërinë e amshuar. (2 Pjt 1, 5.6.11)
Aleluja!
 
Ungjilli (Lk 17, 1-6) (fq. 1489)
 
Edhe po qe se shtatë herë në ditë të thotë :“Më vjen keq!”, fale!
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 1 Jezusi u tha nxënësve të vet: »Është e pamundur që të mos vijnë shkandujt, porse, vaj për atë njeri, nëpër të cilin vijnë. 2 Më mirë do të ishte për të t’i lidhej për qafe guri i mullirit dhe të hidhej në det se të shkandullojë njërin prej këtyre të vegjëlve. 3 Ruajuni fort!
Po mëkatoi vëllai yt, qortoje. Po u pendua, fale! 4 Edhe po qe se shtatë herë në ditë gabon kundrejt teje e shtatë herë të drejtohet i penduar e të thotë: ‘Më vjen keq’!, fale!«
5 Apostujt ia drejtuan Zotërisë këtë lutje: »Na e shto fenë!«
6 Zotëria u tha: »Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshi këtij mani: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte.
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Shikoje me mirësi, o Zot, këtë fli, që të fitojmë me përkushti çka kryejmë me misterin e mundimeve të Birit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Krh. Ps 22, 1-2
 
Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon; më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta.
 
Ose: Lk 24, 35
 
Nxënësit e njohën Zotin Jezus kur ndau bukën.
 
Lutja pas kungimit
 
Të falënderojmë, o Zot, që na forcove me dhuratën e shenjtë, dhe po i lutemi bujarisë sate që, nën ndikimin e Shpirtit tënd, të përshkuar me fuqinë qiellore, të qëndrojmë me çiltëri në hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend