Liturgjia e Fjalës – 10 gusht – Shën Lorenci, diakon e martir
Written by Radio Maria on July 10, 2024
10 gusht
SHËN LORENCI, DIAKON E MARTIR
festë
Antifona e hyrjes
Ky është shën Lorenci që e flijoi vetveten në shërbimin e Kishës; prandaj i meritoi mundimet e martirit
për t’u bashkuar me gëzim me Jezu Krishtin Zot.
Thuhet Lavdi.
Mandej, kur është e caktuar, këndohet apo thuhet himni:
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
Dashuria e flaktë ndaj teje, o Zot, e bëri shën Lorencin diakon besnik në shërbesën tënde e të lavdishëm me martirizim: bëj që edhe ne të duam çka ai deshi e të zbatojmë çka ai na mësoi. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (2 Kor 9, 6-10) (fq. 1634)
Hyji e do atë që jep me gëzim.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, 6 “Kush mbjell me horrjati, pak do të korrë, e kush mbjell me begati, me begati do të korrë.”
7 Secili le të japë aq sa ia do zemra, jo i trishtuar e përdhunë, sepse: ‘Hyji e do atë që jep me gëzim.’ 8 Hyji mund t’ju dhurojë çdo të mirë që gjithmonë të keni gjithçka mjaft për vete e t’ju teprojë gjithnjë për të ndihmuar çdo vepër të mirë, 9 sikurse është në Shkrimin e shenjtë: ‘Ai ndan me bujari, u jep skamnorëve; drejtësia e tij qëndron në amshim’.
’10 Ai që mbjellësit i jep farën, ai do t’i japë edhe bukën për ushqim. Ai edhe juve do t’ju japë farë e do ta shumëzojë dhe do të bëjë të rriten frytet e drejtësisë suaj.
Fjala e Zotit
Psalmi 112 (111) (fq. 790)
Ref. HYJI E DO ATË QË JEP ME GËZIM
1 Lum ai njeri që e druan Zotin,
që kënaqet në urdhërimet e tij.
2 Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë,
do të bekohet breznia e të drejtëve.
Ref. HYJI E DO ATË QË JEP ME GËZIM
5 I lumtur është njeriu që përdëllen e huajon,
punët e veta i kryen me ndërgjegje,
6 ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.
Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti,
Ref. HYJI E DO ATË QË JEP ME GËZIM
7 Nuk i trembet lajmit të keq.
E patrandshme është zemra e tij me shpresë në Zotin,
9 Është dorëdhënë, u fal skamnorëve;
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve,
balli i tij ngallit për nder.
Ref. HYJI E DO ATË QË JEP ME GËZIM
Aleluja!
Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetët e vetme; po nëse vdes jep shumë fryt. (Gjn 12, 24)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 12, 24-26) (fq. 1528)
Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në ato kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 24 «Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; po nëse vdes jep shumë fryt!
25 Kush e do jetën e vet, do ta humbë. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur. 26 Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im.»
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat që po t’i kushtojmë me gëzim në festën e shën Lorencit dhe bëj të na vlejnë për shpëtimin tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI PËR SHENJTËR MARTIRË – I
Martirizimi shenjë dhe shembull
- Ky prefacion thuhet në të kremte dhe festa të shenjtërve martirë. Mund të thuhet edhe në përkujtimet e tyre.
M Zoti qoftë me ju.
P Dhe me shpirtin tënd.
M T’i lartësojmë zemrat.
P I kemi te Zoti.
M Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Sepse, gjaku i derdhur i shën E., martir,
sipas shembullit të Krishtit, në dëshmim të Emrit tënd,
shfaq mrekullitë e tua,
me të cilat përkryen në ligështi virtytin
dhe fuqitë e dobëta i forcon për të bërë dëshmi,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Dhe prandaj me fuqitë qiellore
gjithherë të kremtojmë mbi tokë
duke i kënduar madhërisë sate pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
PREFACIONI PËR SHENJTËR MARTIRË – II
Mrekullitë e Hyjit në fitoren e martirëve
- Ky prefacion thuhet në të kremte dhe festa të shenjtërve martirë. Mund të thuhet edhe në përkujtimet e tyre.
M Zoti qoftë me ju.
P Dhe me shpirtin tënd.
M T’i lartësojmë zemrat.
P I kemi te Zoti.
M Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti madhërohesh në shenjtërit e tu
dhe mundimet e tyre zbulojnë
veprat e mrekullueshme të fuqisë sate:
Ti me mirësi u jep zell në fenë e tyre,
Ti me ëmbëlsi u jep guxim në qëndrueshmërinë e tyre,
Ti bujarisht u jep ngadhënjim në agoninë e tyre,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Dhe prandaj qielli dhe toka, duke të adhuruar,
po të këndojnë një këngë të re
dhe ne, me mbarë fuqitë e engjëjve,
brohorasim duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
Antifona e kungimit Krh. Gjn 12, 26
Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje.
Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im.
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me dhuratën e shenjtë, përvujtërisht po të lutemi, o Zot, bëj që me këtë shërbesë në festën e shën Lorencit, t’i sprovojmë frytet e shpëtimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.