Liturgjia e Fjalës – 1 dhjetor – e diel – Java I e Ardhjes
Written by Radio Maria on November 1, 2024
ARDHJA
E DIELA E PARË ARDHJES
C
Antifona e Hyrjes Krh. Ps 24, 1-3
Te Ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim. Hyji im, në ty shpresoj, mos lejo të turpërohem! Të mos ngihen në mua armiqtë e mi! Kushdo shpreson në ty nuk do të mbetet i turpëruar.
Nuk thuhet Lavdi
Kolekta
Jepu po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, besimtarëve të tu vullnetin që, me vepra të mira, të dalin para Krishtit tënd që po vjen, kështu që, të vënë në të djathtën e tij, të meritojnë ta fitojnë mbretërinë qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jer 33, 14-16) (fq. 1098)
Unë të bëj të ngallitë për Davidin një pinjoll drejtësie.
Lexim prej librit të Jeremisë profet
14 Ja, po vijnë ditët – është shpallje e Zotit – e do ta çoj në vend fjalën e mirë që ia premtova shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës:
15 Në ato ditë e po në atë kohë, do të bëj të ngallitë për Davidin një pinjoll drejtësie, Ai do ta çojë në vend të drejtën e drejtësinë mbi tokë.
16 Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Jerusalemi do të banojë në siguri. Dhe ja, emri me të cilin do të quhet Qyteti: ‘Zoti është Drejtësia jonë.’«
Fjala e Zotit
Psalmi 25 (24) (fq. 683)
Ref. TEK TI, O ZOT, E LARTËSOJ SHPIRTIN TIM
4 Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
e m’i mëso shtigjet e tua.
5 Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im,
Ref. TEK TI, O ZOT, E LARTËSOJ SHPIRTIN TIM
8 I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
9 të pervujtëve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.
Ref. TEK TI, O ZOT, E LARTËSOJ SHPIRTIN TIM
10 Të gjitha udhët e Zotit janë mëshirë dhe e vërtetë
për ata që mbajnë Besëlidhjen e tij e urdhërimet.
14 Miqësisht sillet Zoti me ata që e druajnë,
për t’ua njoftuar Besëlidhjen e vet.
Ref. TEK TI, O ZOT, E LARTËSOJ SHPIRTIN TIM
Leximi i dytë (1Sel 3, 12 – 4, 2) (fq. 1667)
Zoti i forcoftë zemrat tuaja për momentin e ardhjes së tij.
Lexim prej letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, 12 bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të gjithë njerëzve siç është dashuria jonë ndaj juve! 13 Ai i forcoftë zemrat tuaja në shenjtëri të patëmetë para Hyjit dhe Atit tonë për Ardhjen e Zotit tonë Jezusit me të gjithë shenjtërit e tij.
4,1 Mandej, vëllezër, ju lutemi ngrohtësisht dhe ju përbejmë në Zotin Jezus që, sikurse mësuat prej nesh si duhet të jetoni për t’i pëlqyer Hyjit, ashtu edhe jetoni që të përparoni edhe më tepër. 2 Patjetër i dini urdhërimet që ju kemi dhënë prej anës së Zotit Jezus.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde dhe na jep shëlbimin tënd. (Ps 85, 8)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 21, 25-28.34-36) (fq. 1497)
Çlirimi juaj është afër.
Lexim prej ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 25 »Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tija. 26 Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse ‘trupat qiellorë do të lëkunden’ 27 e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me madhëri. 28 Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!
34 Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës që ajo Ditë të mos ju vijë papritmas, 35 sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë.
36 Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.«
Fjala e Zotit
Thuhet
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Pranoji, po të lutemi, o Zot, dhuratat që i morëm prej bujarisë sate e po t’i kushtojmë dhe pasi Ti na mundëson të kremtojmë këtë mister, bëj të fitojmë shpërblimin e shëlbimit të amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I ARDHJES – I
Dy ardhjet e Krishtit
33. Ky prefacion thuhet: në Meshët e kohës nga e Diela e parë e Ardhjes deri më 16 dhjetor; në Meshët e tjera që kremtohen në këtë kohë dhe nuk kanë prefacionin e vet.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai, me ardhjen e parë në përvujtërinë e natyrës sonë njerëzore,
e çoi në vend premtimin e vjetër
dhe na hapi rrugën e shpëtimit të amshuar,
që, kur të vijë së dyti me lavdinë e madhërisë së vet,
të mund të marrim të mirat e premtuara,
që tani guxojmë t’i shpresojmë duke i pritur me kujdes.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues
dhe me të gjithë aradhen e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
Antifona e Kungimit Ps 84, 13
Zoti do ta japë të mbarën, e toka jonë do ta japë frytin e vet.
Lutja pas kungimit
Na vleftë, po të lutemi, o Zot, pjesëmarrja në këto mistere të shenjta, me të cilat, në këtë jetë të kalueshme tokësore, na mëson t’i duam të mirat qiellore të amshueshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 511.