Karlo Akutis i shenjtë

Written by on May 23, 2024

Karlo Akutis i shenjtë

 

23 maj 2024

 

Papa Françesku ka njohur mrekullinë që i atribuohet ndërmjetësimit të të Lumit Karlo Akutis, duke i hapur rrugën e shenjtërimit të tij si shenjti i parë i shekullit 21.

Adoleshenti italian i programimit kompjuterik, i cili vdiq nga kanceri në vitin 2006, njihet për përkushtimin e tij të madh ndaj pranisë së vërtetë të Jezusit në Eukaristi.

Njohja e mrekullisë së dytë që i atribuohet ndërmjetësimit të Akutis bën të mundur që Akutis të mund të shenjtërohet gjatë Vitit Jubilar 2025 në Kishën Katolike.

Në një dekret të 23 majit, Papa Françesku miratoi shërimin e mrekullueshëm të një vajze 21-vjeçare nga Kosta Rika të quajtur Valeria Valverde, e cila ishte afër vdekjes pasi u plagos rëndë në kokë gjatë një aksidenti me biçikletë ndërsa studionte në Firence në vitin 2022.

Pasi vajza iu nënshtrua një kraniotomie urgjente për të ulur presionin intrakranial, familjes iu tha se situata e saj ishte shumë kritike dhe se ajo mund të vdiste në çdo moment, sipas Dikasterit të Vatikanit për Çështjen e shenjtërve.

Gjashtë ditë pas aksidentit, nëna e Valerias shkoi në një shtegtim në Asizi për t’u lutur për shërimin e vajzës së saj në varrin e të Lumit Karlo Akutis, duke lënë një shënim të shkruar.

Në të njëjtën ditë, Valeria filloi të merrte frymë vetë dhe të nesërmen ajo rifitoi përdorimin e gjymtyrëve të sipërme dhe pjesërisht e rifitoi edhe të folurin.

Valeria doli nga reparti e kujdesit intensiv 10 ditë pas shtegtimit të nënës së saj dhe iu nënshtrua testeve të mëtejshme që treguan se kontuzionet hemorragjike kortikale të përkohshme në të djathtën e trurit të saj ishin zhdukur plotësisht.

Ndryshe nga parashikimet mjekësore, Valeria kaloi vetëm një javë në terapi fizike dhe më 2 shtator 2022, dy muaj pas aksidentit të saj, ajo shkoi në një shtegtim në varrin e Karlo Akutis në Asizi me nënën e saj për të falënderuar për shërimin e saj të plotë.

 

Shenjti i parë në shekullin 21

 

I lindur në vitin 1991, Karlo Akutis është i Lumturi i parë i këtij mijëvjeçari që e lumturoi Kisha Katolike.

Menjëherë pas Kungimit të tij të parë në moshën 7-vjeçare, Karlo i tha nënës së tij: “Të jem gjithmonë i bashkuar me Jezusin: Ky është plani im i jetës”. Për ta arritur këtë, Karlo u përpoq të ndiqte meshën e përditshme sa më shpesh të ishte e mundur në kishën e famullisë përballë shkollës së tij fillore në Milano.

Karlo e quajti Eukaristinë “autostrada ime për në Parajsë” dhe bëri gjithçka që ishte në fuqinë e tij për ta bërë të njohur këtë prani. Dëshmia e tij i frymëzoi prindërit e tij që të ktheheshin në praktikimin e besimit katolik, si dhe shoqen e tij që i përkiste besimit hindu, të kthehej dhe të pagëzohej.

Karlo ishte një fëmijë i aftë për teknologjinë, i donte kompjuterat, kafshët dhe videolojërat. Udhëhësi i tij shpirtëror tha se Karlo ishte i bindur se dëshmitë e mrekullive eukaristike mund të ishin bindëse për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë se Jezusi është i pranishëm në çdo Meshë.

Gjatë dy viteve e gjysmë, Karlo punoi me familjen e tij për të krijuar një ekspozitë mbi mrekullitë eukaristike që u shfaq premierë në vitin 2005 gjatë Vitit të Eukaristisë, të cilin e shpalli Papa Gjoni Pali II dhe që atëherë ka vazhduar të paraqitet në mijëra famulli në pesë kontinentet.

Shumë nga shokët e klasës, miqtë dhe anëtarët e familjes së Karlos kanë dëshmuar se si ai i afroi ata me Hyjin. Karlo ishte një person shumë i hapur dhe nuk kishte turp të fliste me shokët e tij të klasës dhe këdo që takonte për gjërat që donte: Meshën, praninë e Jezusit në Eukaristi dhe Parrizin.

Mbahet mend se ka thënë: “Njerëzit që rrinë para diellit nxihen; njerëzit që rrinë përpara Eukaristisë bëhen të shenjtë”.

 

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend