Fjalimi i Atit të shenjtë,Françeskut Papë,në Vigjiljen e Lutjes me rastin e Ditës Botërore të Rinisë
Written by Renzo Mazzotti on October 12, 2016
Udhëtimi Apostolik i Atit të shenjtë Françeskut Papë në Poloni me rastin e Ditës XXXI Botërore të Rinisë
(27-31 korrik 2016)
VIGJILJA E LUTJES ME TË RINJTË
Campus Misericordiae, Krakovë, 30 korrik 2016
FJALIMI I ATIT TË SHENJTË
Të dashur të rinj, mirëmbrëma!
Është bukur të jesh këtu me ju në këtë vigjilje lutjeje.
Në fund të dëshmisë së saj të guximshme dhe prekëse, Rand na ka kërkuar diçka. Na ka thënë: “Ju kërkoj sinqerisht të luteni për vendin tim të dashur”. Një histori e shënuar nga lufta, dhimbja, humbja, që përfundon me një kërkesë: atë të lutjes. Çfarë do të ishte më mirë se ta fillonim vigjiljen tonë duke u lutur?
Vijmë nga pjesë të ndryshme të botës, nga kontinente, vende, gjuhë, kultura, popuj të ndryshëm. Jemi “bij” të kombeve që ndoshta janë duke diskutuar për konflikte të ndryshme, apo ndoshta janë edhe në luftë. Të tjerë vijmë nga vende që mund të jenë në “paqe”, që nuk kanë konflikte lufte, ku shumë nga gjërat e dhimbshme që ndodhin në botë janë vetëm pjesë e kronikave të lajmeve dhe shtypit. Por jemi të vetëdishëm për një realitet: për ne, sot dhe këtu, të ardhur nga pjesë të ndryshme të botës, dhimbja, lufta që jetojnë shumë të rinj, nuk janë më diçka anonime, për ne nuk janë më një lajm i shtypit, kanë një emër, një fytyrë, një histori, një afërsi. Sot lufta në Siri është dhimbja dhe vuajtja e shumë njerëzve, e shumë të rinjve si e guximshmja Rand, që është këtu mes nesh dhe na kërkon që të lutemi për vendin e saj të dashur.
Ka disa situata që mund të rezultojnë të largëta, derisa në një farë mënyre t’i prekim. Ka disa realitete, të cilat nuk mund t’i kuptojmë, sepse i shohim vetëm nëpërmjet ekranit (të celularit apo kompjuterit). Por kur marrim kontakt me jetën, me ato jetë jo më të mediatizuara nga ekranet, atëherë na ndodh diçka e fortë: të gjithë e ndiejmë nevojën për tu përfshirë: “Mjaft qytete të harruara” siç thotë Rand; kurrë s’duhet të ndodhë më që vëllezërit tanë të jenë “të rrethuar nga vdekja e vrasjaet” duke ndjerë që askush nuk do t’i ndihmojë. Miq të dashur, ju ftoj të lutemi së bashku për motivin e vuajtjes së shumë viktimave të luftës, të kësaj lufte që është sot në botë, derisa një herë e përgjithmonë të mund të kuptojmë që asgjë nuk e justifikon derdhjen e gjakut të një vëllai, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme sesa njeriu që kemi afër. Dhe në këtë kërkesë për lutje dua të falenderoj edhe ju, Natalia e Miguel, sepse edhe ju keni bashkëndarë me ne betejat tuaja, luftërat tuaja të brendshme. Na i keni paraqitur ato dhe mënyrën si e keni tejkaluar. Ju jeni shenjë e gjallë e asaj që mëshira do të bëjë me ne.
Ne tani nuk do fillojmë të bërtasim kundër ndokujt, nuk do të fillojmë të zihemi, nuk duam të shkatërrojmë, nuk duam të shajmë. Ne nuk duam ta mundim urrejtjen me më shumë urrejtje, ta mundim dhunën me më shumë dhunë, ta mundim terrorin me më shumë terror. Dhe përgjigja jonë për këtë botë në luftë ka një emër: quhet vëllazëri (vëlladashje), quhet bashkim, quhet familje. Festojmë faktin që vijmë nga kultura të ndryshme dhe bashkohemi për tu lutur. Fjala jonë më e mirë, biseda jonë më e mirë le të jetë bashkimi në lutje. Le të bëjmë një moment në heshtje dhe të lutemi; t’i vëmë para Hyjit dëshmitë e këtyre miqve, të njëjtësohemi me ata për të cilët “familja është një koncept qw nuk ekziston, shtëpia një vend vetëm për të fjetur dhe për të ngrënë”, ose me ata që jetojnë në frikë e besojnë se janë të përjashtuar përgjithmonë për shkak të gabimeve e mëkateve të tyre. T’ia paraqesim Hyjit edhe “luftërat” tona, “luftërat” tona, luftëra që secili i mbart në vete, në zemrën e tij. Dhe për këtë, për të qenë në familje, në vëllazëri, të gjithë së bashku, ju ftoj të ngriheni, të kapeni për dore dhe të luteni në heshtje të gjithë.
(Heshtje)
Ndërsa luteshim më vinte ndër mend figura e Apostujve ditën e Rrëshajëve. Një skenë që na ndihmon të kuptojmë gjithçka që Hyji ëndërron të realizojë në jetën tonë, në ne dhe me ne. Atë ditë dishepujt ishin mbyllur brenda nga frika. Ndiheshin të kërcënuar nga një mjedis që i përndiqte, që i shtrëngonte të rrinin në një banesë të vogël, të detyruar të mos lëviznin. Frika ishte bërë zotëruesja e tyre. Në atë kontekst ndodhi diçka spektakolare, diçka madhështore. Erdhi Shpirti Shenjt, gjuhë të zjarrta pushuan mbi ta, duke i shtyrë në një aventurë që kurrë nuk do ta kishin ëndërruar. Gjithçka do të ndërronte tërësisht.
Kemi dëgjuar tri dëshmi, kemi prekur me zemrat tona historitë e tyre, jetët e tyre. Kemi parë sesi ata, sikurse dishepujt, kanë jetuar çaste të ngjashme, kanë kaluar momente të mbushur me frikë, në të cilat dukej se gjithçka do shembej e do rrëzohej. Frikë dhe ankth që lindin nga fakti që kur del nga shtëpia mund të mos shohësh më të dashurit e tu, frikë që të mos ndihesh i vlerësuar dhe i dashur, frikë që nuk gjen mundësi të tjera. Ata bashkëndanë me ne të njëjtën përvojë që patën dishepujt, kanë provuar të njëjtën frikë që të çon në një vend të vetëm. Ku na çon frika? Në mbyllje. Dhe kur frika fshihet në mbyllje, shoqërohet gjithmonë me “motrën e saj binjake”, paralizën; të ndjerit të paralizuar. Të ndjesh që në këtë botë, në qytetet tona, në bashkësitë tona, nuk ka më vend për tu rritur, për të ëndërruar, për të krijuar, për të fituar horizonte të reja, për të jetuar, është një nga gjërat më të këqija që mund të ndodhin në jetë, e në mënyrë të veçantë në rini. Paraliza na humb shijen e kënaqësisë së takimit, të miqësisë, shijen e të ëndërruarit bashkë, të ecjes së bashku me të tjerët. Na largon nga të tjerët, na ndalon të shtrëngojmë duart, siç e pamë (në koreografi), të gjithë të mbyllur në ato dhomëza të vogla prej xhami.
Por e vërteta është diçka tjetër: të dashur të rinj, nuk kemi ardhur në botë për “të vegjetuar”, për ta kaluar sa më mirë, për ta bërë jetën një poltronë në të cilin na merr gjumi; përkundrazi, kemi ardhur për një gjë tjetër, për të lënë gjurmë. Është trishtim i madh të kalosh jetën pa lënë gjurmë. Mirëpo kur e zgjedhim rehatinë, duke pështjelluar gëzimin me konsumimin, atëherë çmimi që paguajmë është shumë, shumë i shtrenjtë: humbim lirinë. Nuk jemi të lirë të lëmë gjurmë. Humbim lirinë. Ky është çmimi. Dhe ka shumë njerëz që duan që të rinjtë të mos jenë të lirë; ka shumë njerëz që nuk ua duan të mirën, që duan që ju të jeni të habitur, si kukulla, të përgjumur, por asnjëherë të lirë. Jo këtë jo! Na duhet ta mbrojmë lirinë tonë!
Pikërisht këtu kemi paralizën e madhe, kur fillojmë të mendojmë se gëzimi është sinonim i komoditetit, që të jesh i gëzuar do të thotë të ecësh në jetë i përgjumur ose i narkotizuar, se e vetmja mënyrë për të qenë i gëzuar është të jesh i habitur. Është e sigurt se droga të bën keq, por ka shumë droga të tjera që shoqëria i pranon e të cila ia dalin për të na skllavëruar më shumë. Njëra dhe tjetra në zhveshin në të mirën tonë më të madhe: në liri. Zhvishemi nga liria.
Miq, Jezusi është Zotëria i rrezikimit, është Zotëria i gjithmonë “përtej – më shumë”. Jezusi nuk është Zotëria i kënaqësisë, i sigurisë dhe i komoditetit. Për të shkuar pas Jezusit, është e nevojshme të kemi një dozë guximi, është e nevojshme të përcaktohemipër ta shndërruar poltronën më një palë këpucë që të ndihmojnë për të ecur në rrugë që nuk i ke ëndërruar as menduar kurrë, nëpër rrugë që kanë mundësi t’i hapin horizontet e reja, të aftë për të përhapur gëzimin, atë gëzim që lind nga dashuria e Hyjit, gëzimi që në zemrën tënde le çdo gjest, çdo qëndrim të mëshirës.Shkoni nëpër rrugë për t’i shkuar pas “çmendurisë” se Hyjit tonë që na mëson për ta takuar në të uriturin, të etshmin, të zhveshurin, në të afërmin që është i vetmuar. Ecni në udhët e Hyjit tonë që na thërret të jemi aktor politik, persona që mendojnë,frymëzues shoqëror që na nxit për të menduar për një ekonomi më solidare se kjo e sotmja. Në të gjitha ambientet në të cilat do të jeni, dashuria e Hyjit ju thërret që ta sjellim Lajmin e gëzueshëm duke bërë jetën tonë dhuratë Atij dhe të tjerëve. Kjo do të thotë të jemi të guximshëm, kjo do të thotë të jemi të lirë!
Keni mundësi të më thoni: Atë, por kjo nuk është për të gjithë, është vetëm për disa të zgjedhur! Po, është e vërtetë, e këta të zgjedhur janë të gjithë ata që janë të gatshëm për të bashkëndarë jetën e tyre me të tjerët. Në të njëjtën mënyrë Shpirti Shenjt shndërroj zemrën e dishepujve ditën e Rrëshajve – ishin të paralizuar – e bëri këtë gjë edhe me miqtë tanë që bashkëndan me ne dëshmitë e tyre. Po përdor fjalët e Miguelit: ti the se ditën në të cilën “ta besuan përgjegjësinë për të ndihmuar në funksionimin më të mirë të shtëpisë, atëherë ke filluar të kuptosh se Hyji të kërkonte diçka. Kështu filloi shndërrimi.
Ky është sekreti, të dashur miq, se të gjithë jemi të thirrur për ta provuar. Hyji pret diçka prej teje. A e keni kuptuar? Hyji kërkon diçka prej teje, Hyji pret diçka prej teje, Hyji të pret ty. Hyji vjen për të rrënuar mbylljet tona, vjen për të hapur portat e jetrave tona, të vizioneve tona, të shikimeve tona. Hyji vjen për të hapur çdo gjë që ty të mbyll. Ai është duke të ftuar për të ëndërruar, dëshiron të të tregojë se bota me ty mund të jetë ndryshe. Kjo gjë është kështu: nëse ti nuk e jep më të mirën që ke, bota nuk do të jetë ndryshe. Këtu kemi sfidën.
Koha që po e jetojmë nuk ka nevojë për të rinj – poltronë por për të rinj më këpucë, më mirë, më këpucë punë të mbathura. Kjo kohë pranon vetëm lojtar të skuadrës së parë në fushë, nuk ka vend për rezervistë. Bota e sotme ju kërkon që të jeni protagonistë të historisë sepse jeta është e bukur gjithmonë kur duam ta jetojmë, gjithmonë kur dëshirojmë që në të të lëmë gjurmë. Historia sot kërkon që ta mbrojmë dinjitetin tonë e mos t’i lejojmë të tjerët që të vendosin për të ardhmen tonë. Jo! Neve na duhet ta përcaktojmë të ardhmen tonë, ju të ardhmen tuaj! Zotëria, si ditën e Rrëshajve, dëshiron të realizojë një ndër mrekullitë më të mëdha që mund të provojmë: të bëj që duart e tua, duart tona të shndërrohen në shenja të pajtimit, të bashkimit, të krijimit. Ai i do duart tua për të vazhduar ndërtimin e botës së sotme. Dëshiron të ndërtojë me ty. E ti, si i përgjigjesh? Si përgjigjesh, ti? Po ose jo? (Po).
Do më thuash: Atë, po unë jam shumë i kufizuar, jam mëkatar, çfarë mund të bëj? Kur Zotëria na thërret nuk mendon në atë gjë që jemi, as në atë gjë që ishim, as në ato gjëra që i kemi bërë ose i kemi lënë pas dore për t’i bërë. Përkundrazi: në çastin kur na thërret, Ai është duke shikuar çdo gjë që kemi mundësi të bëjmë, krejt dashurinë më të cilën kemi mundësi t’i infektojmë të tjerët. Ai vë bast gjithmonë me të ardhmen, me të nesërmen. Jezusi të projekton në horizont, Ai kurrë nuk të vendos në muze.
Prandaj, miq, Jezusi sot të thërret që të lesh gjurmë në jetë, gjurmë që shënon historinë, që shënon historinë tënde dhe historinë e shumë të tjerëve.
Jeta sot na thotë se është shumë e lehtë ta ngulisim vëmendjen në ato gjëra që na ndajnë, në ato gjëra që na largojnë. Dëshiron të na bëj të mendojmë se të mbyllemi është mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga të gjitha që na bëjnë keq. Sot ne të rriturit – ne, që jemi të rritur! – kemi nevojë për ju, për të na mësuar, ashtu siç jeni duke bërë ju sot – që të jetojmë bashkë në dallueshmëri, në dialog në bashkëndarje të kulturave të shumta, në jetë jo si një kërcënim por si një mundësi. Dhe pikërisht ju jeni një mundësi për të ardhmen. Kini guxim të na mësoni ne që është më lehtë për të ndërtuar ura sa sa për të ngritur mure. Kemi nevojë ta mësojmë këtë gjë. Dhe të gjithë së bashku kërkojmë që ju të na kërkoni që të gjithë të ecim nëpër rrugët e vëllazërimit. Kërkojmë që ju të bëheni paditësit tanë, nëse ne zgjedhim udhën e mureve, udhën e armiqësisë, udhën e luftës. Të ndërtosh ura: a e dini cila është ura e parë që duhet ndërtuar? Një urë që mund ta realizojmë këtu, tani: t’ia shtrëngojmë dorën, t’ia japim dorën njëri-tjetrit. Guxim, bëjeni tani. Bëjeni këtë urë njerëzore, jepni dorën, të gjithë ju: kjo është ura themelore, është ura njerëzore, është e para, modeli e të gjitha të tjerave. Gjithmonë është rreziku – thash dje – të mbetemi me dorë të shtrirë, por në jetë është e nevojshme të rrezikojmë, sepse kush nuk rrezikon nuk fiton. Me këtë urë, të shkojmë përpara. Këtu, kjo urë themelore: të shtrëngimit të duarve është ura e madhe e vëllazërore, dhe kanë mundësi të mësojnë ta bëjnë të mëdhenjtë e kësaj bote!… por jo për tu fotografuar – kur e japin dorën e mendojnë diçka tjetër, por për të vazhduar për të ndërtuar ura edhe më të mëdha. Nëse kjo urë njerëzore është fara e shumë urave tjera; do ta kemi gjurmën.
Sot, Jezusi, që është Udha, të thërret ty, ty, ty (tregon secilin) që të lesh gjurmën tënde në histori. Ai që është Jeta, të thërret të lësh gjurmë që mbush me jetë historinë tënde dhe atë të të tjerëve. Ai që është e Vërteta, të thërret, të braktisësh udhët e ndarjes, të largimit, të pakuptimit. A e pranon këtë thirrje? (Po). A e pranon? (Po). Si përgjigjesh tani – dua të shikoj – që duart e tua dhe këmbët e tua të jenë të Zotërisë që është Udha, e Vërteta, dhe Jeta? Si përgjigjes? (Po). Zoti i bekoftë ëndrrat tuaja. Faleminderit.