MEDITIMI I DITËS – EDHE UNË JAM APOSTULL

Written by on July 12, 2017

Mt 10, 7-15 EDHE UNË JAM APOSTULL

 

Kërkoj hirin: që të kuptoj se edhe unë jam apostull aty ku jetoj.

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 7 Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është ngjat!’ 8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni!

Këto janë këshille dhe qortime të cilat Jezusi ua bënë apostujve në fillimin e misionit. Ata pritën që Jezusi tu thotë se çfarë do të bënin, prandaj edhe e dëgjojnë me vëmendje. Ai ju thotë ato gjëra që ka për zemër dhe të cilat i do aq shumë.

Ndoshta kemi menduar se Jezusi do tu thotë diçka të veçantë dhe të fshehtë, do tu zbulojë disa fshehtësi të mëdha dhe dëshira. Këtu nuk ka asgjë të fshehtë dhe të panjohur. Çdo gjë është aq e qartë dhe konkrete. Ata duhet të thonë se si Hyji është aq afër njeriut, se Mbretëria e tij është këtu në mesin tonë. Hyji është pranë njeriut, është me njeriun dhe për njeriun. Për këtë gjë duhet të bëhem i vetëdijshëm në jetën time të përditshme. Kjo do të thotë se Hyji është pranë meje gjatë jetës sime dhe në rrugët e mia. Ai është me mua në punët e mia. Unë nuk jam vetëm as kur të tjerët me braktisin. Bëj, o Zot, që të mos harroj kurrë: se i je pranë meje!

Apostujt në mënyrë të veçantë duhet të jenë konkrete në dërgimin e tyre. Çdo gjë që bëri Jezusi, të gjitha që përjetuan me të, duhet t’i bëjnë edhe ata. Ata janë të dërguarit e Hyjit që ndërmjetësojnë për vëllezërit e vet, i shërojnë, ju sjellin paqen dhe gëzimin, i mbrojnë nga i Keqi. Ka rëndësi të madhe që gjatë udhëtimit të jenë gjithnjë të vetëdijshëm se si të gjitha i morën falas dhe falas duhet t’i japin.

Fatkeqësisht, njeriu sot të gjitha i shikon në dritën e fitimit dhe çdo gjë përjeton si biznes. Prandaj këto fjalë jehojnë pakuptueshëm. Të japësh falas! Si ta bëjmë këtë gjë kur çdo gjë dëshirojmë ta shndërrojmë në të holla? Deri edhe kohën! Në Hyjin të gjitha janë dhuratë, për ne të hollat janë gjithçka. Sa më shumë t’i kemi aq më shumë i duam. Në Jezusin çdo gjë është ndryshe. Jeton i varfër, dhe çdo gjë që bënë e bënë falas. Në të çdo gjë është hir. Ne hirin dëshirojmë ta blejmë. Sa shumë bëhet tregti me sakramente! Ata janë dhurata më e dëlirë e Hyjit, ndërse ne shumë shpesh i kemi shndërruar në tregti dhe në spektakël. Edhe unë jam «apostull», sepse jam i pagëzuar. Me punën time serioze dhe të ndershme jap dëshmi për Mbretërinë qiellore. Ku mund të shëroj, të ndihmoj dhe ta zvogëloj ndikimin e të Keqit unë?

9 Mos bashkoni në breza tuaj as ar, as argjend, as të holla bakri; 10 as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as të mbathura, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë në ushqimin e vet. 11 Në çdo qytet apo fshat që të hyni, pyetni a është aty ndonjë njeri i ndershëm e banoni tek ai deri të shkoni më tej.

Vazhdojnë këshillat tjera. Këto nuk janë do farë këshillash që mund të pranoj ose mos të pranojë sipas lirisë sime. Këto janë urdhërime. Apostujt duhet të sillën kështu, përndryshe nuk e plotësojnë dërgimin. Po të ishte ndryshe, atëherë ky nuk është dërgimi i Jezusit, atëherë ky është biznesi i tyre. Kërkesat janë serioze. Mos të fitojnë asgjë, por të jetojnë në varfëri. Ne e kemi humbur këtë kuptim të Jezusit për varfërinë. Gjithmonë kërkojmë sigurinë dhe çdo gjë dëshirojmë ta sigurojmë. Fatmirësisht, gjithmonë ka njerëz të cilët e jetojnë Ungjillin fjalë për fjalë. Këta janë njerëzit që japin shije dhe dritë, njerëzit që e tregojnë rrugën.

12 Kur të hyni në shtëpi, uroni paqe. 13 Nëse shtëpia është e ndershme, le të zbresë mbi të paqja juaj; po nuk qe e denjë, paqja juaj le të kthehet tek ju. 14 Por, po qe se ndokund nuk ju pranojnë ose nuk i dëgjojnë fjalët tuaja, dilni prej asaj shtëpie e prej atij qyteti dhe shkundeni edhe pluhurin prej këmbëve tuaja.

Apostulli është njeri që sjell paqen. Paqja është gjeja më e madhe që mund t’ia dëshirojmë dikujt. Paqja është plotësia e të mirës, diçka aq konkrete, edhe pse e paplotë, i kthehet atij që e shprehi. Sot kemi nevojë për paqe. Kemi nevojë më së shumti për paqen e brendshme që është themeli i çdo komunikimi dhe e krejt jetës sonë shoqërore. «Kjo është paqja sikur lumi…» O Zot, na dhuro paqen tënde. Këtë gjë na premtove: «po ju jap paqen time, paqen time po ju lë…»

15 Për të vërtetë po ju them: Ditën e Gjyqit do ta ketë më lehtë Sodoma e Gomorra se ai qytet.«

Misioni apostolik nuk është i lehtë. Nuk është turizëm as ndonjë përshpirtëri e vakët. Apostujt përjetuan refuzim dhe nënçmim. Para syve do tu mbyllën dyert dhe do tu kthehet shpina. Do të jenë njerëz të padëshirueshëm. Mirëpo, pranë të gjithave, duhet të vazhdojnë misionin. Nuk ka të ndalur as kthim prapa para se iu tha Jezusi. Mirëpo para atyre që nuk e pranojnë rri qortimi serioz. Nuk di se kush do të dëshironte, ditën e gjyqit, të jetë mes atyre që nuk i pranuan nxënësit e Jezusit???

O Zot, po të lutem për të gjithë misionarët dhe apostujt. Po të lutem për katekistët dhe të gjithë të tjerët që njerëzve ua mësojnë fenë. Bëjë që të mos dobësohen. Bëj që të mos ndalen për shkak të moskuptimit dhe inidiferentizimit të atyre që u flasin dhe iu predikojnë. Ji ti mbështetja e tyre më e madhe në të gjitha përpjekjet dhe mundimet.

 


Current track

Title

Artist