Shenjti i ditës: Shën Enriku, perandor (973 – 1024)

Written by on July 12, 2017

Shenjti i ditës: Shën Enriku, perandor (973 – 1024)

 

 

Është parë se virtytet e krishtera lulëzojnë edhe në vendet dhe kushtet që duken pak të përshtatshme. Enriku, i lindur në Baiern, u rrit në një pallat mbretëror i rrethuar nga njerëz të shenjtë. Vetë duka i Baiern, babai i tij, i quajtur «grindaveci», në shkollën e gruas së përshpirtshme arriti ta mposhte karakterin e keq deri në pikën sa që u quajt më pas «paqësori». Një vëlla i Enrikut, Bruno, veshi veshjen e kuvendit dhe u bë ipeshkëv i Augustës. Brigjida, njëra prej dy motrave hyri në kuvend dhe tjetra u martua me mbretin e shenjtë Shtjefnin e Hungarisë. Pati si mësues privat ipeshkvin e Regensburgut, shën Volfgangun, që – me sa tregojnë biografët – e ndoqi edhe pas vdekjes. Iu shfaq, dhe shënoi në murin e dhomës së gjumit një «gjashtë». Enriku duke menduar se do të vdiste brenda gjashtë ditësh u përgatit siç i ka hije një të krishteri të mirë. Pasi kaluan gjashtë ditët, shkoi data në gjashtë muaj, e kështu i kaloi gjashtë vite me një jetë të ndershme. Në krye të gjashtë viteve Enriku u gjend në fronin e Gjermanisë, me një bagazh të madh virtytesh të krishtera falë të cilave mundi t’u rezistonte joshjeve të jetës mondane dhe krenarisë së pushtetit dhe t’i kushtohej me angazhim të madh qeverisjes së mirë. Qe një sovran i aftë për t’u bërë ballë krizave të mëdha evropiane që shpërthyen në fund të mijëvjeçarit të parë, i dashur nga populli i tij dhe nga vetë italianët, ata vasalë grindavec që pasi hoqën Arduinin, markezin e Ivreas, i ofruan Enrikut kurorën e Italisë.

Papa Benedikti VIII vuri në kokën e tij dhe në atë të bashkshortes së përshpirtshme e të butë Kunegondës kurorën prestigjoze të perandorisë së shenjtë romake që kishte qenë e Karlit të Madh. Mbreti Enriku pati fatin e mirë të takonte në rrugën e vet njerëz me ngritje të madhe shpirtërore. Pas shën Volfgangut pati si këshilltar shën Odilonin, abat të Kluny, riparues i shpirtit të thjeshtë të kuvendit, me të cilin, nxiti reformën e klerit dhe të kuvendeve, duke bashkëpunuar jo vetëm me Kluny, por edhe me Montekasinon, Kamaldolin dhe Einsiedeln. Ai vetë do të kishte dashur të veshë veshjen e benediktinëve dhe për këtë Piu X e shpalli zyrtarisht pajtor të Oblatëve të shën Benediktit. Është kanonizuar në 1146.


Current track

Title

Artist