MEDITIMI I DITËS – ZOTËRIA I JETËS DHE I VDEKJES

Written by on July 8, 2017

Mt 9, 18-26 ZOTËRIA I JETËS DHE I VDEKJES

 

Kërkoj hirin: që të besoj në Jezusin që është Zotëria i jetës dhe i vdekjes.

 

Në atë kohë, 18 ndërsa Jezusi po mësonte, qe se iu afrua një kryetar, ra përmbys para tij dhe i tha: »Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të ngjallet.«

Përsëri përpara Jezusit është njeriu në vështirësi. Ata e zëvendësojnë njëri-tjetrin, qoftë duke i sjell të tjerët, qoftë duke u afruar vetë tek Jezusi. Secili vjen me mundimin e vet, secili është i ngarkuar me dhimbjen e vet. Jezusi sapo e kreu rragatjen ose posa ktheu përgjigje në pyetje, njerëzit fillojnë të shpalosin para tij problemet konkrete. Ai i dëgjon dhe i përjeton situatat e tyre.

Ja tani një epror. Ungjilli i Shën Markut na tregon se ky njeri ishte kryetari i sinagogës. Kjo do të thotë se ishte njeri i nderuar dhe i çmuar në vendin ku jetonte. Ai ishte përgjegjës për bashkimet e të shtunës në sinagogë. Ai është në hall. Vajza i vdiq dhe kërkon ndihmë. Feja dhe besimi i tij në Jezusin, i tejkalojnë të gjithë ata, që deri me tani erdhën tek Jezusi dhe i kërkuan ndihmë. Jezusi, ende asnjë njeri nuk e ngjalli së vdekuri. Çdo gjë që bëri i përkiste sëmundjes që e përjetonin njerëzit gjatë jetës. Këtu është në pyetje vdekja. Ky njeri në përvujtëri të madhe dhe me besim të thellë vjen tek Jezusi dhe i lutet që t’i ndihmojë. Dikush tjetër në situatë të njëjtë nuk do ta bënte këtë gjë. Kush ka mundësi të luftojë me vdekjen? Kush do të korr fitore mbi të? Ky njeri beson se Jezusi do t’i ndihmojë. Besimi i tij në Jezusin është aq i tejdukshëm sa që fjalët e lutjes që bënë na dukën të pabesueshme: «Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të ngjallet.» Ky njeri beson në pushtetin e Jezusit, beson në dorën e Jezusit.

19 Jezusi u ngrit dhe bashkë me nxënësit e vet shkoi pas tij. 20 Kur qe, një grua e cila vuante nga derdhja e gjakut tash dymbëdhjetë vjet, iu afrua mbas shpine e ia preku kindin e petkut të tij, 21 sepse thoshte në vete: »Do të shërohem nëse ia preku vetëm petkun e tij!

Jezusi më siguri ia pat lakmi fenë këtij njeriu që i lutej për vajzën e vdekur. Ngrihet menjëherë dhe shkon pas tij. Çdo gjë që  është e nevojshme për mrekulli ai e bëri. Feja të cilën Jezusi e kërkon në këto raste, është e pranishme në këtë njeri në mënyrën më burimore. Kryetari beson se Jezusi ka pushtet vajzën e tij të vdekur ta kthej në jetë vetëm nëse e prek me dorë. Kjo është feja e bekuar e atij që guxon ta shpresojë këtë gjë. Kjo fe është më e fuqishme se ajo që u ndryshon vendin maleve.

Dhe derisa në rrugë, Jezusin e rrethon turma që me vëmendje të madhe përcjell secilin hap që bënë, një grua në nevojën e vet mendon çfarë të bëj. Jezusi është këtu para saj. Nuk ka nevojë që ta ndal. Ai është i ngarkuar dhe po shkon për t’i ndihmuar njeriut që ia kërkoi ndihmën. Beson dhe mendon: «Më duhet vetëm ta preki dhe do të shërohem. Mjafton që t’ia preku vetëm petkun e tij. Kush do të më dallojë në këtë turmë që shtrydhet rreth tij!» Cilat ndjenja e përshkonin zemrën e saj derisa po mendonte ashtu! Frika e vërtetë dhe gëzimi i fshehtë. Dëshira për tu shëruar dhe feja e vërtetë e tejkaluan frikën. Kjo gjë e shpëtoi. Shtriu dorën dhe e preku Jezusin.

O Zot, vetëm të të prek, vetëm ta vendos marrëdhënien me ty. Vetëm më ketë prekje le të më përfshi pushteti yt për ta zhdukur dobësinë dhe ligësinë time.

22 Jezusi u soll, e pa dhe i tha: »Ki besim, o bijë! Feja jote të shpëtoi!« Dhe gruaja u shërua në atë moment.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Jezusi sillet si të duhej të gjitha të ngjanin kështu. Për të, të gjitha këto dukën gjëra aq të zakonshme. Ai i jep zemër gruas e cila në atë çast u shërua. Më duhet ta kem thjeshtësinë dhe besimin e kësaj gruaje kur afrohem tek Jezusi. Vetëm në këtë mënyrë kam mundësi të shërohem, vetëm në këtë mënyrë kam mundësi ta marrë hirin e tij.

23 Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit, dhe si i pa ata që u binin fyejve dhe njerëzit që po bënin zhurmë,24 u tha: »Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle.« Ata e përqeshën. 25 Dhe, pasi u qitën njerëzit përjashta, hyri Jezusi, e mori për dore vajzën dhe ajo u ngrit. 26 Lajmi i kësaj mrekullie u përhap anembanë asaj krahine.

Takimi i Jezusit me ata që zyrtarisht po e qanin vajzën e vdekur është i pazakonshëm. Ajo tashmë ka vdekur dhe ata i kryejnë detyrimet që kanë ndaj saj duke e vajtuar. Prandaj qeshën kur Jezusi i dëbon nga dhoma. Qartë ai e kupton vdekjen ndryshe e jo si e kuptojnë ata. Për ne vdekja është e tmerrshme dhe ndarje përfundimtare nga jeta. Prandaj kemi frikë prej vdekjes. Jezusi nuk mendon kështu. Ai e di se më vdekje jeta jonë shndërrohet, por nuk na merret, siç lutemi në Meshën për të vdekur. Ai e di se është Zotëria i vdekjes dhe i jetës. Prandaj i afrohet thjesht dhe pa kurrfarë gjestesh të jashtëzakonshme, dhe e ringjall bijën e kryetarit.

Njerëzit e përqeshen, sepse nuk patën besim në Jezusin. Përse njeriu beson kaq me vështirësi? O Zot, shëroje mosbesimin tim, ma pastro zemrën prej dyshimeve! Ma jep fenë e madhe dhe të fortë!

 


Current track

Title

Artist