MEDITIMI I DITËS – MBRETËRIA E DASHURISË U ZBULOHET TË VEGJËLVE
Written by Radio Maria on July 8, 2017
Mt 11, 25 – 30 MBRETËRIA E DASHURISË U ZBULOHET TË VEGJËLVE
Kërkoj hirin: që të besoj, se Jezusi mund të pushojë.
O Jezus, vera është kohë për pushimet vjetore. Por Ti thërret që të pushojmë me Ty dhe në Ty. Na fal sa herë që mendojmë se në pushimet vjetore mund të shkëputemi edhe prej Teje për të pushuar dhe kur e harrojmë lutjen e përditshme dhe pjesëmarrjen në Meshën e shenjtë. Ti thërret qëndrueshëm: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur, dhe unë do t’i çlodh!” Po vijmë tek ti, o Zot Jezus, që të na pranosh për të na çlodhur. Vetëm në Ty është paqja, vetëm në Ty është pushimi i shpirtit dhe i trupit.
Lodhja është pjesë përbërëse e jetës sonë. Shumë shpejt na zotëron lodhja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, për shkak të dëshpërimit të njerëzve, për shkak moskuptimit dhe të mospranimit. Na shëro, o Jezus, nga ky mundim dhe bëj që të pushojmë që të jemi të aftë të hapemi para njerëzve rreth nesh dhe të mos lodhemi kurrë duke bërë mirë.
Jemi të lodhur edhe për shkak të vetes sonë. Na kanë dëshpëruar mossukseset dhe vendimet e parealizuara. Jemi plot me vuajtje dhe trishtim për shkak të dobësive që i përsërisim. Të gjitha këto na mundojnë dhe na ngarkojnë. Jemi të lodhur, o Jezus, nga vetja jonë. Po vijmë të Ti që Ti, t’i rregullosh të gjitha, që të pushojmë në Ty dhe të kemi mundësi ta pranojmë vetveten, që të kemi mundësi ta pranojmë jetën tonë, kufizimet dhe dobësitë tona që të aftësohemi të kryejmë vullnetin tënd në përmasat e mundësive që kemi. Na përtëri dhe bëj që të pushojmë, o Jezus, që përsëri të nisemi në jetë më hov të ri dhe me gëzim.
Jemi të lodhur, o Jezus, nga barra e jetës se ditëve tona. Jemi të lodhur, sepse vazhdimisht dëgjojmë lajme të këqija, lexojmë për tragjeditë njerëzore dhe për katastrofa, sepse na mbushin me ndarjet politike, sepse dëgjojmë rreth nesh për shpifje dhe çnderime. Jemi të lodhur për shkak të kujdesit të vazhdueshëm si do të jetojmë nesër, për shkak të pasigurisë së vendit të punës. Jemi të lodhur, o Jezus, nga shkolla dhe provimet, për shkak të regjistrimit dhe kushteve të pranimit. Këshilli yt, o Jezus, është si ilaçi shërues në plagë. Po, o Jezus, të vijmë tek Ti do të thotë të gjejmë pushimin dhe paqen.
Nuk e di, o Jezus, si do të zgjidhesh të gjitha këto situata. Shpesh mendoj se ti je fajtor për shumëçka. Disa gjëra me dukën të pakalueshme. Mirëpo ti me thua së këto gjëra Hyji i fshehi nga të diturit dhe të urtët dhe ua ka zbuluar të vegjëlve. Jezus, thjesht dua që ta pranoj thirrjen tënde, dua thjeshtë që të besoj në Ty dhe në atë fjalë që e thua Ti. Dua të mbështetëm plotësisht në premtimin Tënd. Kur, ti, o Jezus, thua kështu, kështu duhet të jetë.
Me thërret tek Ti, sepse Ti je zemër butë dhe i përvuajtur, më thërret tek Ti, sepse ke zemër që i kupton të gjithë. Ti na thërret tek Ti, sepse Ti e njeh natyrën e secilit prej nesh, dhe në lodhjen tënde nuk mendon në vetvete, por në të tjerët, në ne. Edhe, ti, o Jezus, shumë shpesh ishe i lodhur dhe nuk pate vend ku ta pushosh kokën, nuk pate vend për tu fshehur dhe për të pushuar. Vetëm natën dite ta kërkosh Atin që në lutje dhe në vetmi të të pushojë shpirti yt. Na mëso, o Jezus, se në ty kemi mundësi të lëmë secilën barrë, sepse ti erdhe për të marrë të gjitha dhimbjet tona.