MEDITIMI I DITËS – ZOTËRIA I SHTRËNGATËS
Written by Radio Maria on July 3, 2017
Mt 8, 23-27 ZOTËRIA I SHTRËNGATËS
Kërkoj hirin: që të besoj në Zotërinë se ai është Zotëruesi i erës dhe i shtrëngatës.
Në atë kohë, 23 si hyri Jezusi në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij. 24 Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.
Jezusi ishte i rrethuar me grupin e nxënësve të cilët shkonin pas tij kahdo që shkonte. Kësaj here të gjithë janë me të në barkë në det. Përnjëherë u çua stuhia e madhe. Liqeni i Gjenezaretit ishte i njohur për shtrëngatat që çoheshin në mënyrë të papritur dhe të befasishme. Nxënësit ishin prej këtyre anëve dhe e njihnin liqenin. Pranë kësaj ishin edhe peshkatar të shkathtë dhe liqeni me teket që kishte nuk ishte aspak i panjohur për ta. Kaq shpesh kishin peshkuar këtu, nëpër të kishin lundruar dhe kishin përjetuar stuhi të shumta dhe të befasishme. Mirëpo duket se kësaj here kjo shtrungatë ishte veçanërisht e fuqishme. Derisa ata luftojnë më të gjitha fuqitë që barka mos të përmbyset dhe që të vazhdojë lundrimin, Jezusi flinte. Për të dukej se nuk po ngjante asgjë. Kjo ishte një skenë vërtetë e pazakonshme dhe e çuditshme. Nxënësit luftojnë për të ruajtur jetën në liqenin e tërbuar, kurse Jezusi nuk dëgjonte asgjë, ai flinte.
Kjo skenë u bë simboli i Kishës, figurë e bashkësisë sonë kishtare. Kisha është sikur barka në det në të cilin është i pranishëm Zotëria. Aq shpesh gjendet në shtrëngatë dhe në stuhi dhe duket se atij nuk i përket asgjë. Na bënë përshtypje se si ai nuk reagon në asgjë, duket se nuk është, e jo vetëm se fle.
Kjo gjë mund të jetë edhe figura e jetës sime personale që i përngjan bakës në det. Më duket se jam i braktisur nga të gjitha dhe të gjithë, se jam i braktisur edhe nga Zotëria. Askund nuk shoh dërdalje. Çdo gjë është e errësuar dhe të gjitha me kërcënohen. Puna nuk më ecën. Shëndetin nuk e kam si dua. Fëmijët janë nisur në udhët e botës që i tërheqin dhe i mbajnë të lidhur. Lutëm dhe ofshaj, dhe asgjë nuk ndodh. O Zot përse? Përse u vërsulën mbi mua të gjitha këto? Përse me braktise?
Ndoshta si meshtarë dhe rregulltar përjetoj mossukses në përpjekjet e mia apostolike. Aq shumë përpjekje, aq shumë angazhim në punën time, e asgjë nuk ndodh! Aq shumë flijim dhe vuajtje kërkojnë angazhimet e veçanta, aq shumë lutje, përsëri pothuajse nuk ndodh asgjë. Njerëzit janë shumë të vakët. Të rinjtë janë të pa interesuar. Përse, o Zot? Përse ti nuk ndërhyn? Përse kjo thatësirë dhe kjo vetmi? Përse e lejon këtë mundim dhe këtë përpjekje që më harxhon aq mundimshëm e pas vetës lë hidhërimin dhe pakënaqësinë?
25 Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: »Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!« 26 »Pse po frikësoheni, o fepakët? – u tha.
Nxënësit nuk kanë mundësi të durojnë më. Pështjellimi arriti kulmin. Atyre ju ka mbet vetëm një gjë: ta zgjojnë Jezusin. Britma e tyre i përngjan britmës së të humburit: na ndihmo se mbaruam!
Ka çaste kur vërtetë më duhet t’i drejtohem Zotërisë në të njëjtën mënyrë siç bëjnë nxënësit e tij atë natë në stuhi. Kur me duket se më nuk ka zgjidhje, kur më përfundojnë fuqitë dhe jam në skaj të shkatërrimit, kur më nuk ndihmon asnjë përvojë, atëherë më duhet të bërtas dhe të lutem: «O Zot, më shpëto!»
Jezusi nuk është në rrëmujë. Si të mos e shihte aspak stuhinë por vetëm nxënësit e vet të tmerruar. Ju drejton pyetjen, përse janë të tillë. Nuk ngrihet aspak, por rri ashtu si është i ulur ose i shtrirë në barkë. Pyetja e tij lë përshtypje të madhe në këtë situatë. Jezusi e bënë këtë pyetje që nxënësve të vet tu hap sytë në këtë situatë për realitetet tjera. Dëshiron tu thotë: «Nëse shtrëngata është këtu, a thua edhe unë nuk jam këtu në mes jush, së bashku me ju? Përse pra keni frikë? A nuk e përjetuat tashmë pushtetin tim mbi natyrën? Përse pra ky frikësim? Ku e keni fenë?
O Zot, edhe unë iu përngjaj nxënësve të tu. Jam fepakët! Dëgjoj pyetjen tënde: «Përse frikësohesh, fepakët?» Nuk e di, o Zot! Prapëseprapë nuk me mungon përvoja jetësore kur vetëm feja me dha siguri dhe paqe në pasigurinë time dhe në luftën e brendshme. Më ndihmo që të besoj se si je pranë meje edhe atëherë kur mendoj se ti nuk je dhe se me ke braktisur.
Atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe. 27 Njerëzit të habitur thoshin: »Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?«
Krejt kjo skenë është e fuqishme në historicitetin e vet dhe në porosinë që ka. Kurrë nuk guxoj ta harroj. Kur më duket se çdo gjë ka humbur, kur më duket se nuk ka më kurrfarë kuptimi në barkën e jetës sime ose në anije e madhe të Kishës, kjo skenë duhet të më flasë në këto situata.
O Zot, fashiti shtrëngatat e mia të brendshme dhe frikësimet! Zotërues i shtrëngatës dhe i qetësisë, më ndihmo!