MEDITIMI I DITËS – NDIHMA E ZOTËRISË

Written by on June 30, 2017

Mt 8, 5-17 NDIHMA E ZOTËRISË

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Jezusi ka mundësi të me ndihmojë që bashkë me të të mbart dobësitë e mia.

 

Në atë kohë, 5 kur Jezusi hyri në Kafarnaum, iu paraqit një centurion dhe iu lut: 6 »Zotëri, shërbëtori im është ratë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.«

Në Kafarnaum ishin të përzierë Hebrenjtë dhe populli i vjetër që gjithmonë kishte jetuar aty, Romakët okupator, shumë të ardhur dhe kalimtarët. Takimet mes tyre nuk shmangeshin dot. Mirëpo hebrenjtë e rreptë ishin të kujdesshëm se me kë takoheshin që të mos përlyheshin. Jezusi kalon nëpër qytet. Takimi i parë publik të cilin e përshkruan Shën Mateu ungjilltar është me një pagan, me centurionin romak. Jezusi nuk është vetëm afër tij por ai e lejon që njeriu t’i afrohet dhe t’i lutet. Më ketë gjë tregon qartë se ai nuk dëshiron të mbyllet në një patriotizëm të ngushtë vendor. Mbretëria e qiellit është për të gjithë njerëzit. Ai erdhi për të shëlbuar mbarë njerëzimin që nga fillimi i botës e deri në përfundimin e saj. Në sytë e Hyjit secili njeri ka vlerë. Nuk ka popull të privilegjuar, nuk ka të pasur dhe të pushtetshëm, të inkuadruar dhe të painkuadruar. Të falënderoj, o Zot, që të gjithë kemi mundësi të afrohemi tek ti pa asnjë dallim gjinor dhe moshe, përkatësie etnike dhe feje, pasurie dhe varfërie. Asgjë, pikërisht asgjë nuk e pengon më njeriun që të afrohet tek ti.

Centurioni afrohet me besim të thellë. Ai na jep shembull si duhet të paraqitet lutja në thjeshtësi. Lutja e ti buron nga situata konkrete. Ai e përshkruan vështirësinë në të cilën gjendet shërbëtori i tij. Gjëja më e bukur në lutjen e tij është se ai nuk lutet për vete por për tjetrin. Lutja e tij nuk është «vetjake». Tjetri nuk i përket rrethit më të ngushtë familjar, nuk është në lidhje gjaku me të. Ai lutet për shërbëtorin e vet që vuan tepër shumë.

Unë a lutem vetëm për vete dhe nevojat e mia? Ndoshta ndonjëherë lutem edhe për të afërmit e mi? A i kujtoj ata që janë në nevojë, ose ndoshta për këta njerëz nuk lutet askush?

7 Jezusi i tha: »Do të vij dhe do ta shëroj. « 8 Por centurioni i përgjigj: »O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim, por vetëm jep urdhër e do të shërohet shërbëtori im. 9 Sepse, edhe unë që nuk jam tjetër, por një njeri i nënshtruar, kam nën urdhrin tim ushtarë dhe unë i them njërit: ‘Shko!’ dhe ai shkon e një tjetri: ‘Eja!’ dhe ai vjen, e shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ dhe ai e bën«

Jezusi menjëherë dhe me gatishmëri përgjigjet në lutjen e tij. Dëshiron të shkojë në shtëpinë e tij. Angazhohet plotësisht për centurionin, sepse ai është i rëndësishëm, duhet t’i ndihmojë atij që u angazhua plotësisht për shërbëtorin e vet. Mirëpo centurioni më fjalët e veta tregon ndjeshmërinë e madhe për krejt situatën. Nuk dëshiron që Jezusin t’ia nënshtrojë vështirësisë dhe kritikave të atyre që po e përcillnin që të shohin se çfarë do të bënte. Nëse Jezusi do të hynte në shtëpinë e tij, ai me vetëdije dhe haptas do të thyente atë caktim të Ligjit që këtë gjë e ndalonte. Ky njeri tregon ndjeshmëri të madhe dhe përvujtëri duke thënë se nuk është i denjë që Jezusi të vij tek ai. A jam i vetëdijshëm për këto fjalë kur gjatë Meshës së shenjtë së bashku me të tjerët para Kungimit të shenjtë lutem: «O Zot, unë nuk jam i denjë që të hysh nën pullazin tim…»? Më ndihmo, o Zot, që të jem i thjeshtë dhe i përvuajtur sikurse është ky pagan. Më ndihmo që të jem i vetëdijshëm për takimin më ty në Kungim të shenjtë!

 10 Jezusi, kur e dëgjoi, u mrekullua dhe u tha atyre që po i shkonin pas: »Për të vërtetë po ju them: ende nuk e gjeta te asnjë njeri tjetër në Izrael një fe kaq të madhe! 11 Prandaj po ju them: shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit,  12 ndërsa bijtë e Mbretërisë do të hidhen jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh.«

Jezusi e lavdëron besimin e centurionit i cili beson se mjafton vetëm një fjalë e Jezusit për të vepruar në shërbëtorin që nga larg. Jezusi e paraqet si shembull të fesë së madhe të cilën deri me tani nuk e ka gjet. Po, në Mbretërinë qiellore do të jenë shumë njerëz për të cilët ne ndoshta mendojmë se nuk i përkasin asaj. Kjo është fshehtësia e dashurisë së Hyjit dhe e përgjigjes së njeriut në këtë dashuri.

13 Atëherë i tha centurionit: »Shko e le të bëhet ashtu siç besove!« Dhe shërbëtori i tij u shërua po në atë orë.

Përgjigja e Jezusit është shpërblim për fenë e jashtëzakonshëm të centurionit. Ai e kreu mrekullinë sepse centurioni pat besim që ishte themeli i fesë së tij. Ma shumëzo fenë, o Zot!

14 Kur Jezusi shkoi në shtëpinë e Pjetrit, pa vjehrrën e Pjetrit ratë ndër ethe. 15 Jezusi ia preku dorën, atë e lëshuan ethet, u çua e i shërbeu. 16 Kur u bë natë i sollën shumë të djallosur. Jezusi me fuqinë e fjalës i dëboi shpirtrat dhe i shëroi të gjithë të sëmurit, 17 që kështu të plotësohej fjala e Isaisë profet që thotë: »Ai mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona«

Jezusi shëron dhe e jep shëndetin. Ai angazhohet për njeriun, është në shërbim të njeriut që është në vështirësi dhe vuan. Të falënderoj, o Zot, që e dëgjon lutjen time! Të falënderoj që i mbartë dobësitë dhe dhimbjet e mija!


Current track

Title

Artist