MEDITIMI I DITËS – PJETRI SHKËMB DHE PALI MISIONAR

Written by on June 28, 2017

Mt 16, 13-20 PJETRI SHKËMB DHE PALI MISIONAR

 

Kërkoj hirin: që të jem mbështetja e meshtarëve sot dhe të dalloj në ta të dërguarit e Krishtit!

 

13 “Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”14 Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”15

“Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?”16 Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!” 17 Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell!

             E kremtja e dy apostujve të mëdhenj gjithmonë na lidh me shugurimin meshtarak. Vërtetë, në këto ditë të nxehta të verës shumë djem të ri në katedralet e tyre ia premtojnë besnikërinë dhe dëgjesën ipeshkvit të vet. Pas kësaj pasojnë Meshtë e para në famullitë e tyre të lindjes. Nuk na çudit kjo, sepse kjo gjë është lidhur ngushtë me të kremten e Shën Pjetrit e Palit. Ata plotësisht iu kushtuan Krishtit, e kjo gjë pritet edhe nga meshtarët e shuguruar. Të jesh i Krishtit do të thotë ta pranosh që ai të jetë udhërrëfyes dhe kompas i jetës meshtarake. Ta pranosh për drejtues personal, do të thotë t’ia dorëzosh të gjitha dhe të jesh krejtësisht i tij. Të jesh i Krishtit, do të thotë me jetën personale të përgjigjesh në këto pyetje të cila Jezusi u bëri apostujve të vet. T’u flasësh njerëzve për Krishtin, t’u transmetosh dhe t’u shpjegosh Fjalën e tij. Pastaj të hetosh sa i ka përfshi dhe sa është Krishti i pranishëm në jetën e tyre. Ti pyesësh kush është Krishti për ta dhe çfarë domethënie ka për ta.

            Pjetri në raste të ndryshme si nxënës i Jezusit ishte krejtësisht i veçantë. Ndër të paret e thirri, la gjithçka dhe shkoj pas Jezusit. Foli në emër të të gjithë nxënësve dhe u përgjigj kur të tjerët nuk guxuan. Pyeste, kundërshtonte, nuk ishte dakord. Ishte në mesin e katër ose tre apostujve që ishin dëshmitarë të disa ngjarjeve të veçanta të jetës së Jezusit. Ishte i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. E donte Jezusin, por edhe i ra mohit. Jezusi gjithashtu për arsye të të gjitha këtyre gjërave e donte Pjetrin prandaj dhe e emëroi Pjetër-Shkëmb dhe e vendosi që të jetë themeli i Kishës së tij. Pjetri e arsyetoi besimin e Jezusit dhe dashurinë e tij, sepse mbeti besnik dhe me jetën e vet dëshmoi për Zotërinë e vet. Dashuria e tij për Jezusin u tregua në mbështetjen që kishte në Jezusin: “Ku të shkojmë, o Zot! Ti ke fjalët e jetës së amshueshme!” kjo duhet të jetë mendimi drejtues i secilit meshtar.

            O Zot, sot në mënyrë krejtësisht të veçantë të lutem për meshtarët e ri. Këtyre ditëve nëpër katedralet tona dhe të mbarë botës, ata para bashkësisë së besimtarëve do të premtojnë se do të jenë plotësisht të tutë. Ndihmoji që vërtetë të tillë të mbetën. Meshtarët e tu, dhe meshtarë sipas Zemrës sate. Ti i thirre dhe ju fole në heshtjen e zemrave të tyre. Vetëm ti dhe ata e dini se kur kjo ndodhi. Po të lutem që kurrë mos të harrojnë këtë dialog tuajin dhe thirrja jote, o Zot, le të jehojë vazhdueshëm në zemrat e tyre. Nuk do ta kenë të lehtë. Njerëzit do t’i duan, do t’i dënojnë, do të shpifin kundër tyre, do të flasin për ta dhe do t’i kundërshtojnë. Ndonjëherë edhe e meritojnë këtë gjë për shkak të përshpejtimit të tyre në të folur, për shkak të gjesteve të gabuara dhe jetës së dyshimtë. Frymëzoj që të kenë në vetvete diçka nga shpirti i Shën Pjetrit dhe të shkojnë pas teje edhe atëherë kur të tjerët këtë gjë nuk e duan, edhe atëherë kur do të jenë të vetmuar.

18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!19 Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”20 Atëherë i urdhëroi nxënësit që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia.

            Janë meshtarët që në vetvete ndjejnë thirrjen që të shkojnë në vende të largëta për të shpallur Ungjillin tek ata që ende nuk ka ardhur. Ata e kanë në vetvete shpirtin e Shën Palit, apostullit të madh që ishte shpallës i palodhur i Lajmit të gëzueshëm. “I mjeri unë, nëse nuk predikoj!” bërtiti nga frika që mos t’i dorëzohet dembelisë dhe moskujdesit. Ai me jetën e vet dha përgjigje se kush ishte për të Krishti. E ndjente në vete se Krishti e përfshiu plotësisht sa që tha: “Nuk jetoj më unë, por në mua jeton Krishti!” Nuk kishte frikë nga  kërcënimet, nuk e ndalën gjykimet as vrasjet me gurë, as rrahjet as anithyerjet. Vërtetë ishte i jashtëzakonshëm, i vetëm, i papërsëritshëm. Deri në atë pikë sa që në fund të dëshmojë me jetën e vet për Ungjill. Prandaj për meshtarët e ri është frymëzim dhe udhërrëfyes që të jetojnë dhe të dëshmojnë për Krishtin siç bëri ai.

            O Zot, po të lutem për ata meshtarë që në vetvete kanë shpirtin misionar dhe dëshirojnë të shkojnë tek ata njerëz te të cilët nuk arriti ende Fjala jote. Ata janë si Pali që nuk deshi në asnjë vend të ndalet gjatë, por gjithmonë shkoi më tutje për t’u kthyer përsëri në bashkësitë që themeloi që t’i nxisë dhe t’i forcojë në fe. I tillë ishte edhe Shën Françesk Ksaveri. Shpirtin e tillë e pati edhe Atë Ante Gabriq. O Zot, të falënderoj për misionarët e tu që shkuan në vise të largëta dhe atje u flijuan plotësisht për Ungjill. Të falënderoj edhe për ata që sot nisën të gatshëm në mesin e njerëzve që ende nuk dëgjuan për ty dhe ju shpallin Fjalën tënde. Ji ti mbështetja dhe ngushëllimi i tyre në dobësi dhe në dëshpërim. Ndihmoju meshtarëve të ri që këtyre ditëve marrin Urdhrin e shenjtë të meshtarisë që të kenë në vetë shpirtin e zjarrtë të Shën Palit, që të jetojnë prej teje dhe për ty, sipas teje dhe me ty. Vetëm kështu do të jenë – shkëmbinj të fort të gatshëm dhe misionarë.

 


Current track

Title

Artist