Shenjti i ditës – 27 qershor: Shën Cirili i Aleksandrisë, ipeshkëv e mësues i Kishës (376–444)

Written by on June 26, 2017

Shenjti i ditës – 27 qershor: Shën Cirili i Aleksandrisë, ipeshkëv e mësues i Kishës (376–444)

  

Cirili qe at dhe mësues i Kishës (titull që i është dhënë nga papa Leoni XIII), orator i shkëlqyer, polemist i nivelit të lartë, teolog i qartë i Mishërimit. Por, mbi të gjitha ai qe një bari i mirë për grigjën e tij, syhapur dhe i kujdesshëm për ta mbajtur larg gabimeve që përhapte Nestori, ipeshkvi i Kostandinopojës. Duke injoruar pasurinë teologjike perëndimore, Nestori kishte hartuar një interpretim personal të hyjnisë së Krishtit dhe, për rrjedhojë, të amësisë hyjnore të Marisë, që e thyente unitetin e Krishtit, duke vendosur në të dy subjekte, një njerëzor e një hyjnor, të bashkuar njëri me tjetrin vetëm rastësisht. Me këtë dualizëm u duk sikur u zgjidhën shumë vështirësi për Mundimin dhe vdekjen e Shpëtimtarit. Si pasojë, Maria degradohej në rolin Nënës së Krishtit njeri, jo më Nënë e Krishtit Hyj. Ashtu si Atanasi, paraardhësi i tij, Cirili u hodh kryengulthi në mbrojtje të ortodoksisë, duke provuar poshtërimin e burgut. “Për fenë e Krishtit”, shkroi ai, “ne jemi gati të pësojmë gjithçka: hekurat, burgun, të gjitha shqetësimet e jetës, edhe vetë vdekjen”.

 

Koncili i Efesit i vitit 431, pika e shkëlqimit e teologjisë së Mishërimit dhe mariane, i dënoi tezat e Nestorit që Shën Cirili i kishte kallëzuar te papa Çelestini I, dhe e bëri të veten doktrinën e ipeshkvit të Aleksandrisë së Egjiptit. “Emanueli është sigurisht me dy natyra: atë hyjnore dhe atë njerëzore. Megjithatë, Zoti Jezus është një, një i vetmi bir i Hyjit, Zot e njeri bashkë, jo një njeri i hyjnizuar i ngjashëm me ata që për hir janë pjesëtarë të natyrës hyjnore, por Hyj i vërtetë që për shpëtimin tonë shfaqet në formën njerëzore”. Predikimet e tij gjatë Koncilit, sidomos Predikimi në lavdi të Nënës së Hyjit, i kanë hapur rrugën lulëzimit të madh të studimeve e të përshpirtërisë mariane. Kjo përshpirtëri u përhap nga Lindja në Perëndim falë penës frytdhënëse të këtij mësuesi të Kishës, i nderuar si mësues jo vetëm nga kaktolikët, por edhe nga Kisha kopte, siriane dhe etiope.


Current track

Title

Artist