MEDITIMI I DITËS – UDHA DHE DERA E NGUSHTË

Written by on June 26, 2017

Mt 7, 6.12-14 UDHA DHE DERA E NGUSHTË

 

Kërkoj hirin: që të kem guxim të nisem udhës së ngushtë që çon në jetë.

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 6 Mos ua jepni qenve gjënë e shenjtëruar as mos i qitni para derrave margaritarët tuaj që, pasi t’i shkelin, të mos kthehen kundër jush e t’ju shqyejnë.«

Gjuha me të cilën flet Jezusi është plot simbole dhe shprehje të forta. I mungojnë nuancat të cila ekzistojnë në gjuhën tonë, prandaj ndonjëherë na duken të pakuptueshme siç është e pakuptueshme ndonjë enigmë që duhet gjetur për ta kuptuar. Të tilla janë edhe këto mendime të Jezusit. Shpjeguesit e Shkrimit të shenjtë i kuptojnë në dy mënyra. Thonë se bëhet fjalë për ushqimin e shenjtë, për mishin e kafshëve të cilat janë flijuar në Tempull. Gjithashtu, bëhet fjalë për mësimin e çmueshëm dhe të shenjtë të cilin nuk duhet ta paraqesim para njerëzve të cilët janë të paaftë, ose nuk janë të gatshëm për ta pranuar dhe kanë mundësi për ta keqpërdor. Gjithsesi, bëhet fjalë për këshillin që kërkon prej nesh që të jemi të matur dhe plot nderim ndaj gjërave të shenjta.

Krishterimi është përmasë e shenjtërisë. Ai është «gjeja e shenjtëruar», prandaj nuk guxojmë ta ekspozojmë në mënyrë të pandërgjegjshme duke ia paraqitur kujtdo dhe në çfarëdo mënyre. Hidhërimi që mund ta tërheqim mbi vete për shkak të pamaturisë sonë dhe ofrimit të gjësë së shenjtë atyre që nuk janë të aftë për ta pranuar nuk i shërben askujt.

Këtu jemi gjithashtu para pyetjes, a duhet t’ia tërheqim vërejtjen sharësit që mos të shaj? Do të ishte tepër e thjeshtë të përgjigjeshim vetëm më «po» ose «jo». Varet nga rrethanat konkrete. Ndonjëherë është e nevojshme, ndonjëherë e arrimë efektin e kundërt. Gjithsesi, askurrë nuk guxojmë që në rrethana të tilla mos të kemi takt dhe butësi të nevojshme për tu afruar tek të tjerët dhe për ta paraqitur porosinë ungjillore atje ku nuk jemi të sigurt si do të jetë reagimi.

12 Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëni edhe ju atyre! Ja, verevërte Ligji e Profetët!«

Në të ashtuquajturën «rregull të artë» Jezusi e përmbledh Ligjin dhe Profetët. Këtu paraqitet në mënyrë shumë të thjeshtë jo gjë që është e koklavitur dhe në mënyrë të pakuptueshme e shprehur në shumë urdhërime dhe ndalesa që janë në Ligj. Ky parim ishte shumë i njohur në kohërat e vjetra. Ndër të tjera, të gjitha religjionet kanë parime të ngjashme dhe rregullore. Mirëpo, kjo rregull ishte shprehur në kuptim negativ, e edhe sot e kësaj ditë ka mundësi të dëgjohet nga njerëzit ose të lexohet në libra, ndërsa Jezusi na sjell në formë pozitive. Kur shprehet në mënyrë pozitive, lë mbresë të madhe dhe është më kërkuese: çfarë do që tjetri të bëj ty, bëj edhe ti atij.

O Zot, ti e pranon urtinë që lindi mes njerëzve në bazë të përvojës së tyre dhe e vendos në Lajmin e gëzueshëm. Ja jep përmasën pozitive dhe e forcon porosinë dhe kërkesën e tij. Të falënderoj për shembullin me të cilin me tregon se duhet nderuar secilën të mirë që e shoh tek të tjerët.

13 »Hyni nëpër derë të ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje e shumë janë asish që kalojnë nëpër të!

Përsëri kemi një figurë konkrete dhe të qartë: dera e ngushtë dhe e gjerë. Përse Jezusi kërkon kaq shumë? Përse kërkon që të hyjmë nëpër derën e ngushtë? Përse mos të ecim rrugës së gjerë dhe mos të hyjmë nëpër derë të gjerë? Përse jetën mos ta bëjmë më të lehtë? A thua drejt kësaj nuk anon natyra jonë? Kemi mundësi të rendisim pyetjet tona dhe t’ia bëjmë Jezusit. Përgjigja është një dhe shumë e qartë, në pajtim me të ose kundër tij, duke e pranuar ose duke e refuzuar. Dera dhe rruga e gjerë, jeta e lehtë njeriun e le të brishtë dhe ia shpërndanë fuqitë. Në këtë udhë ecet «lehtë», mjafton t’i lëshohesh në krah masës që të të mbartë. Mirëpo në këtë rrugë njeriu humb dhe pëson. Qortimi i Jezusit është serioz.

O Zot, me falë se shumë shpesh gjendëm në udhën e gjerë. Këto janë çastet e dembelisë dhe çastet kur nuk kam vullnet, prandaj lejoj që jeta dhe bota të me mbartin dhe të me vërshojnë. Nuk ia dal ta kundërshtoj rrymën që më tërheq. Mendoj së kështu është më lehtë dhe sipërfaqësisht duket se ashtu është. Më ndihmo që të di të bëhem serioz dhe të ndalem. Më ndihmo që ta braktisi masën që më dorëzon rrymës. Më ndihmo që të mendoj dhe të veproj sipas shpirtit të Lajmit të gëzueshëm.

14 Sa e ngushtë është dera e sa e ngushtë është rruga që çon në jetë e janë pak asish që e gjejnë!«

Ai që nuk shpall derën dhe rrugën e ngushtë, jo, nuk e predikon Ungjillin. Ai që nuk e zgjedh rrugën dhe derën e ngushtë, nuk hyn në Jetë. O Zot, të falënderoj që je me mua në udhën e ngushtë. Të falënderoj që në këtë udhë gjej bashkudhëtaret që janë drejtuar drejt Jetës. Të falënderoj për të gjithë ata njerëz që ja dalin të notojnë kundër rrjedhës së ujit dhe ecin përballë erës. Të falënderoj për shembujt e atyre njerëzve që patën mundësi të rrinë në rrugën e gjerë, por e zgjodhën udhën e ngushtë. Të falënderoj për forcën që jep në rrugën e ngushtë.

 


Current track

Title

Artist