MEDITIMI I DITËS – I RREPTË DHE I BUTË

Written by on June 23, 2017

Mt 7, 1-5 I RREPTË DHE I BUTË

 

Kërkoj hirin: që të jem i rreptë ndaj vetvetes e i butë ndaj të tjerëve.

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 1 »Mos gjykoni, që të mos gjykoheni! 2 Sepse me çfarë gjykimi të gjykoni, me atë do të gjykoheni! E me atë masë që matni, me atë edhe juve do t’ju matet.

Në shoqërinë tonë, duket se njerëzit që kanë më së shumti punë janë gjyqtarët, prokuroret dhe avokatet. Kjo është shenjë e qartë se sa në krizë është komunikimi jonë njerëzor. Mirëpo kjo është vetëm ajo gjë që e dimë haptas njëri për tjetrin, ndërsa lendet në gjyqe vërtetë janë të shumta dhe të mëdha. Raftet e gjykatave janë plot dosje që presin zgjidhjen. Te rejat vijnë vazhdimisht dhe bëhen grumbull… Kjo është vetëm një pjesë e realitetit tonë. Sa gjykime janë të pranishme në jetën e përditshme, në biseda dhe marrëdhënie si të padukshme? Sa gjykime të shumta kryhen çdo ditë në komunikimin e ndërsjellët? Kush ka mundësi të gjitha këto t’i numërojë dhe t’i shikojë!

Në mësimin e sotëm që na dhuron Jezusi, hetojmë së si edhe sot na flet për gjënë thelbësore në jetën tonë. Jezusi është njeri që bënë diagnozë të jashtëzakonshme. Meditimet e tij gjithmonë drejtohen tek më e rëndësishmja: Këtu thotë: «Mos gjykoni!» Interesant, nuk kërkon që mos të gjykojmë rreptë, padrejtësisht ose që mos të mbajmë krah në gjykimet tona, por kërkon thjeshtë që mos ta gjykojmë tjetrin aspak. Pikërisht në këtë gjë ne jemi shumë të shpejt. Aq shpejt e matim tjetrin me shikim dhe pa asnjë fjalë e vendosim në një kategori duke e gjykuar. Sa shpejt në mendime e vlerësojmë tjetrin dhe përsëri pa fjalë marrim qëndrim të padrejtë ndaj tij, e gjykojmë. Sa gjykime të tilla bëjmë gjatë bisedave me të tjerët dhe për të tjerët, kush ka mundësi të gjitha këto t’i numërojë?

Më këto gjykime ngrihemi mbi të tjerët dhe marrim të drejtën që t’i vlerësojmë dhe tu japim nota. Aq shpesh dimë të jemi ta vrazhdët, kritik dhe të rreptë ndaj të tjerëve! Jezusi nuk dëshiron të thotë që mos të jemi konstruktiv në vlerësimet tona dhe mos ta vlerësojmë botën rreth vetës në mënyrë objektive. Kur diçka është e keqe, atëherë përpara kësaj nuk guxojmë t’i mbyllim sytë dhe të themi se është mirë. Kur kripa humb njelmësimin, ajo është prish dhe duhet hedhur. Kur diçka është mëkatare dhe e padenjë, atë gjë nuk guxojmë ta pranojmë si të pa mëkat dhe të denjë.

Jezusi dëshiron të na tërheq vërejtjen që mos të harrojmë se marrëdhëniet tona ndaj të tjerëve janë «masa» e marrëdhënies së Hyjit ndaj nesh. Nëse e pres dhe e dua mëshirën e Hyjit ndaj meje, atëherë edhe unë duhet të jem i mëshirshëm ndaj të tjerëve. Kjo është masa për masë.

O Zot, bëj që kurrë mos të harroj: se nuk kam mundësi ta kërkoj prej teje masën e mëshirshme ndaj meje, derisa unë të tjerëve rreth meje iu jap masën e pamëshirshme!

3 Pse e shikon lëmishtën në sy të vëllait tënd, kurse nuk e sheh traun në sy tënd? 4 Dhe, si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Prit ta nxjerr lëmishtën nga syri yt’, kurse e ke traun në syrin tënd?

Arsyeja e parë që të mos gjykojmë është krejt e thjeshtë: mos i gjykoni të tjerët, që ju mos tu gjykojë Hyji. Arsyeja e dytë që mos të gjykojmë paraqet paaftësinë tonë që t’i shohim si duhet ato gjëra që vërtetë ndodhin në zemër të të afërmit tonë. Askurrë nuk kemi mundësi të depërtojmë në brendinë e njeriut tjetër; kemi mundësi të shikojmë vetëm ato gjëra që i paraqet jashtë. Kurrë nuk mund ta dimë çfarë mbartë tjetri në zemër dhe përse e bëri një gjë, përse reagoi në atë mënyrë! Kurrë nuk mund ta dimë se çfarë fshihet pas një sjelljeje të dukshme as pas gjesteve të pahijshme të njerëzve që i gjykojmë. Prandaj jemi në rrezik të madh që të gjykojmë shpejt, sepse nuk shohim ato gjëra që tjetri përjeton dhe ndjen. E kur e shikojmë vetveten dhe zemrën tonë, jemi aq të gatshëm që t’i arsyetojmë të gjitha dhe t’i përligjim.

5 Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt, e mandej do të shohësh ta nxjerrësh lëmishtën nga syri i vëllait tënd.

Më këtë fjali Jezusi e përmbledh marrëdhënien tonë të drejt dhe të gabueshme ndaj të afërmit. Jezusi na kthen tek vetja jonë. Më duhet që të jem shumë më kërkues ndaj vetvetes se sa ndaj të tjerëve. Ai nuk dëshiron që të jemi të painteresuar për vëllain tonë. Përkundrazi! Mirëpo kujdesi dhe interesi jonë duhet vërtetë të jenë të sinqerta dhe pozitive. Më duhet t’i ndihmoj të afërmit që t’i njoh dhe t’i shoh gabimet e veta dhe dobësitë. Tjetri ka mundësi t’i shoh në ne ato gjëra që ne nuk duam as nuk kemi mundësi që t’i shohim. Mirëpo, edhe këtu, Jezusi na fton që së pari të jemi kërkues ndaj vetvetes. Ta kemi zemrën e gjykatësit të rreptë ndaj vetvetes, ndërsa ndaj të afërmit zemrën amnore përlot mirësi.

O Zot, më ndihmo që kritika ime të jetë konstruktive dhe mirëdashëse. Që të dijë më fjalë të buta dhe të vërteta të tregoj atë gjë që nuk është e mirë në tjetrin. Le të jenë të gjitha fryt i qëllimeve të pastra dhe dëshirave që kam për t’i ndihmuar të afërmit tim. Mos lejo që të më kalojë koha duke gjykuar të tjerët, duke treguar dobësitë dhe të këqijat e tyre. Më liro nga kritika keqdashëse. Ma mëso mirësinë që të mendoj mirë për vëllain tim.

 


Current track

Title

Artist