MEDITIMI I DITËS – FRIKËSOHUNI PËR SHPIRTIN JO PËR TRUPIN

Written by on June 23, 2017

E diela e XII gjatë vitit A

 

Mt 10, 26 -33 FRIKËSOHUNI PËR SHPIRTIN JO PËR TRUPIN

 

Kërkoj hirin: që të besoj se më duhet të frikësohem nga ata që dëmtojnë shpirtin.

 

Na ndihmo, o Jezus,  që fjalët e Ungjillit të sotëm t’i zbatojmë në jetën tonë. Fjala që përsëritet tre herë në pjesën e Ungjillit është: “Mos kini frikë!” duam të dëgjojmë, o Jezus, ty që këtë fjalë të njëjtë na drejton në situatën tonë jetësore.

Mos ua kini frikën njerëzve! Kujdeseni shumë për atë gjë që do të thonë njerëzit, për atë gjë që mendojnë njerëzit, për ato gjëra që njerëzit i presin prej jush. Fiksoheni nga kritikat dhe reagimet e tyre. Dridheni para mendimit publik sikur të ishte ky mendim i pagabueshëm dhe i gjithëdijshëm. Mos ua kini frikën njerëzve. Nuk janë ata përcaktues për gjithçka. A nuk ua dhashë unë Fjalën e jetës? Kthehuni nga unë dhe shikoni ato gjëra që me pëlqejnë mua, që i përgjigjen fjalës sime. Jini të guximshëm kur duhet të lodheni shumë për gjërat e Hyjit. Kjo, shumë shpesh është në kundërshtim të plotë me ato gjëra që i duan njerëzit, me ato gjëra që bota i pret prej jush.

Mos ua kini frikën atyre që mund të dëmtojnë trupin tuaj. Si të ishte burimi kryesor i frikës dhe i panikut mes jush nga ata që mund të dëmtojnë trupin, të rrezikojnë vendin e punës suaj, që dikush tu zvogëlojë pagën e merituar. Frikësoheni që para botës mos të jini qesharak, që mos tu shpallin të prapambetur. Keni frikë nga ata që mund tua marrin fytyrën, mund tu dëmtojnë shëndetin, interesat tuaja materiale. Por, fatkeqësisht, nuk keni frikë nga aq shumë mundësi me të cilat ju vet i merrni fytyrën vetes, ia merrni pafajësinë, pastërtinë, dashurinë për të vërtetën. Nuk luftoni në mënyrë të vendosur kundër gënjeshtrës, të pavërtetës, tërheqjeve që ua bën kjo botë. Kështu ju nuk kini frikë për dëmtimin e shpirtit tuaj, për dëmtimin e zemrës së pastër, për dëmtimin e fesë. Si të ishte për ju me konkrete siguria materiale se sa jeta e pasosur dhe gjendja e hirit. Përsëri ju thërras: Frikësohuni nga ata që dëshirojnë ta dëmtojnë shpirtin tuaj; kini frikë nga ata që dëshirojnë tu zënë në rrejtën e pamoralit, drogës dhe të gënjeshtrës. Kini frikë nga ata që zemrën tuaj e mbushin me programe televizive çnderuese. Kini frikë nga ata që ju largojnë nga lutja dhe nuk dëshirojnë që ju të bashkoheni me Hyjin. Frikësohuni prej atyre njerëzve që nuk marrin pjesë në Meshë dhe dëshirojnë tu bëjnë si veten që të mos të kremtoni të dielën dhe festat si ditë të Zotit. Armiku i njeriut që prej fillimit, babai i gënjeshtrës dhe vrasësi i njerëzve – djalli, është i pranishëm gjithmonë. Prandaj kini frikë nga ata që ne ju dëshirojnë ta shkatërrojnë jetën e hirit dhe dëshirojnë tu zhysin në mallkimin e mëkatit.

Për çdo gjë tjetër mos kini frikë, sepse Ati juaj është në qiell. Ai kujdeset për ju. Asgjë nuk mund tu ndodh pa vullnetin e tij. Besoni në planet e dashurisë që ka për ju dhe ruajeni paqen e zemrës dhe të shpirtit. Për Të, ju keni vlerë më të madhe se çdo krijesë të cilën Ai vetë e krijoi.

Ndërsa në botë në të cilën jetoni, mos kini frikë. Unë e munda botën. Mua nuk me frikësoj mendimi i njerëzve. Po të frikësohesha nuk do të bëja asgjë. Në botë bëra gjithçka me forcën e dashurisë dhe të bindjes. Ati ishte vazhdimisht me mua. Gjeja kryesore ishte ta kryej vullnetin e tij. Frika e vetme që kisha ishte që mos të lëndoi dashurinë e tij të pakufishme.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend