MEDITIMI I DITËS – LUTJA NGA ZEMRA

Written by on June 21, 2017

Mt 6, 7-15 LUTJA NGA ZEMRA

 

Kërkoj hirin: që lutja ime të dalë dhe të jetë nga zemra.

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 7 »Kur të thoni uratë, mos teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet urata nëse thonë shumë fjalë. 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni.

Shumë shpesh pyesim: si të lutemi? Lexojmë libra për lutjen, marrim pjesë në seminare dhe në fund përsëri themi se nuk dimë të lutemi. Prandaj kemi të drejt kur themi se lutjet tona janë teprim fjalësh. Jezusi na tërheq vërejtjen se lutja nuk guxon të jetë e tillë. Lutjet nuk guxojnë të kenë shumë fjalë të cilat as vetë nuk kemi mundësi t’i përcjellim si duhet, e lë më të jemi të përqendruar në to. Neve nuk na pëlqen kur njerëzit na përsërisin gjërat e njëjta të cilat nuk përfundojnë kurrë. Të tillë jemi ne në lutjet tona në të cilat i rreshtojmë fjalët. Janë ditët në të cilat, ndoshta jemi të lodhur dhe kur nuk mund të bëjmë ndryshe por vetëm të përsërisim lutjet që i kemi mësuar. Këto janë rastet e veçanta. Lutja duhet të dalë prej zemrës sonë dhe si e tillë gjithmonë është e re dhe e freskët. O Zot, shumë shpesh se di si dhe çfarë të them. Vij para teje si fëmijë i mërzitshëm. Ndonjëherë me vjen turp. Më fal se nuk di ndryshe! Dëshiroj vetëm të të them se të dua. Por as atëherë nuk e di a mjafton kjo ose më duhet të them ose të bëj diçka tjetër?

9 Prandaj lutuni kështu: Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë Emri yt! 10 Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullnesa jote si në qiell ashtu në tokë!

Këtë lutje e tha Jezusi prandaj e quajmë lutja e Zotërisë. Kjo është një ndër lutjet e para që mësojmë e të cilën ndoshta e lusim më së shpeshti në jetë. Kjo është lutja e vetme të cilën disa njerëz dinë për ta lutur. Thonë se në lutjen Ati ynë përmblidhet Ungjilli, se i përmban të gjitha lutjet tjera, se thjeshtë është lutja më e përsosur. Në këtë lutje ndjehemi plotësisht të lidhur dhe në bashkim sepse i drejtohemi Atit të përbashkët. Lusim që të shenjtërohet emri i tij. Ky emër do të shenjtërohet në ne dhe përmes nesh në jetën tonë në qoftë se jetojmë në drejtësi dhe pa mëkat. Lutemi që të vij Mbretëria e Hyjit dhe të bëhet e dukshme në jetën tonë të përditshme. Kjo do të thotë se më krejt fuqitë tonë përpiqemi për këtë botë duke i përdorur të gjitha mjetet që Hyji na i dha për të mirën e njeriut dhe të botës. Në kërkesën e tretë lusim që të dimë vullnetin tonë ta ndërtojmë në vullnetin e Hyjit siç bëri Jezusi kur tha: «Ja po vij, për ta kryer vullnetin tënd». Drejt kësaj duhet drejtuar secila lutje që bëjmë. Kulmi i lutjes së krishterë është kur kemi mundësi të themi: u bëftë vullnesa jote!

11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot! 12 Na i fal fajet tona, sikurse ua falim ne fajtorëve tanë!

Plot besim i drejtohemi Atit për atë gjë që na nevojitet çdo ditë. Kjo është buka. Duhet të lutemi dhe të falënderojmë për bukën. Mirëpo ne nuk jemi të kufizuar vetëm në bukë që ushqen trupin tonë por e kërkojmë edhe bukën që ushqen shpirtin tonë. Prandaj kjo kërkesë i përket edhe Bukës së jetës, Eukaristisë. Pastaj lutemi që Hyji t’i falë mëkatet tona. Këtu secili në mjerimin e vet ka pse t’i lutet Atit. Mirëpo lutja jonë lidhet ngushtë me gatishmërinë tonë që t’i falim të tjerët. Këtë gjë nuk guxojmë ta harrojmë. Kulmi i lutjes sonë është në falje. Më këtë gjë dëshmojmë se dashuria është më e fortë se gjithçka tjetër.

13 E mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i Ligu!

Tani kërkojmë që Ati të na ndihmojë që mos t’i nënshtrohemi tundimit, thjesht mos të lejojë që t’i afrohemi sferës së tundimit. I lutemi Shpitit të forcës dhe të dallimit të të mirës dhe të të keqes. I Ligu nuk është një gjë abstrakte, ai është real. Është qenie. Prandaj i lutemi Atit që të na lirojë prej tij. Ati është më i fortë se çdo e keqe dhe se i Keqi. I lutemi që të na lirojë për të gjitha pritave të tija: të kaluara, të tashme dhe të ardhme. Më duhet të besoj në pushtetin e Atit mbi të Keqin. Me duhet ta meditoj këtë lutje të cilën aq shpesh e lus gjatë ditës, e cila është ndoshta e vetmja që e lus, që të jem më i vetëdijshëm për përmbajtjen e saj dhe forcën që zotëron. Si e lus lutjen “Ati ynë?” A jam i vetëdijshëm për gjërat që Jezusi deshi t’i thotë kur na la këtë lutje?

14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; 15 por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet e tuaja.«

Kjo është e lidhur më kërkesën e psetë. Lutja ime, flija ime të cilën dëshiroj ta praqes, ka mundësi të pranohet vetëm nëse unë i bëj të afërmit tim atë gjë që e kërkoj prej Atit tim qiellor. Si kam mundësi të kërkoj falje në qoftë se unë nuk jam i gatshëm të fal? Qartë, këtu është aktuale vërejtja e Jezusit që na bëri në fillim të këtij meditimi: «Kur të luteni mos teproni me fjalë!»

 


Current track

Title

Artist