21 qershor – Shenjti i ditës: Shën Luigj Gonzaga, rregulltar (1568–1591)

Written by on June 20, 2017

21 qershor – Shenjti i ditës: Shën Luigj Gonzaga, rregulltar (1568–1591)

 

            Ky shenjt vdiq në moshën 22-vjeçare nga murtaja, sepse mori mbi shpatulla një të sëmurë nga murtaja që e gjeti në rrugë. Imazhet e tij të pikturuara dobët i bëjnë padrejtësi personalitetit të këtij shenjti të mrekullueshëm. Ai ishte i biri i don Ferrante Gonzagës, markez i Kastiliones të Stiviereve, afër Mantovës, dhe i konteshës Marta Tana e Santenës. Luigji u rrit që në fëmijëri mes ushtarëve, me synimin e një karriere ushtarake. Ishte vetëm katër vjeç kur i ati e mori me vete në fortesën e Kazalmagjores, në lumin Po. Si një djalë i gjallë dhe i zgjuar, ai mori barut, e mbushi një top lufte dhe qëlloi, duke rrezikuar që të shtypej. Për të mos e lënë që t’i shtohet zelli fetar rinor, i ati e dërgoi në oborrin e Dukës së madh të Toskanës si nxënës që të mësonte sjelljet e shoqërisë së lartë. Ai mësoi ta donte me dashuri Virgjërën duke e frekuentuar me zell shenjtëroren e Zojës Lajmëtare të Shërbëtorëve të Marisë.

           

Pasi u kthye në familje, Luigji mori Kungimin e parë nga duart e Shën Karl Borremeut që ishte për vizitë në Bresha. U dërgua në oborrin e Spanjës bashkë me të atin, i cili ndërkohë ishte emëruar administrator kryesor i pallatit mbretëror. Luigji qëndroi dy vjet në Madrid si nxënës nderi i princit trashëgimtar. Dhe këtu aspak i tërhequr nga shkëlqimet mbretërore, ai u dha pas Meditimeve të përditshme të të lumit Pjetër Kanisit dhe vendosi të hynte në Shoqërinë e Jezusit. Nuk vlejti për asgjë zemërimi i të atit për ta larguar nga një qëllim i tillë. Ai hoqi dorë nga titulli trashëgimtar në favor të të vëllait Rudolfit dhe më 25 nëntor 1585 hyri në Kolegjin Romak të jezuitëve. Zgjuarsia e tij e gjallë, e bashkuar me një përshpirtëri të fortë, e çuditi mësuesin e tij, Shën Robert Belarminin, dhe të gjithë ata që patën privilegjin të jetonin afër tij në gjashtë vitet e fundit të jetës, kur u poq formimi i tij njerëzor dhe shenjtëria e tij. Në vitin 1590 u përhap epidemia e murtajës dhe kleriku i ri mori lejen që t’u kushtohej të sëmurëve në Spitalin e Shën Sikstit, e pastaj në atë të Shën Marisë së Ngushëllimit. Gjesti i tij bujar i kushtoi jetën. U lumturua në vitin 1605 dhe u kanonizua në vitin 1726. Papa Piu XI e shpalli pajtor të Veprimit Katolik. Varri i tij ruhet në një kapelë në qoshe të kishës së Shën Injacit në Romë.


Current track

Title

Artist