MEDITIMI I DITËS – MARRËDHËNIA ME HYJIN DHE TË AFËRMIN
Written by Radio Maria on June 14, 2017
Mt 5, 20-26 MARRËDHËNIA ME HYJIN DHE TË AFËRMIN
Kërkoj hirin: që marrëdhënia ime me Hyjin të jetë themel i marrëdhënies sime me të afërmin.
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 20 nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.«
Jezusi i krahason nxënësit e vet me skribët dhe farisenjtë. Nuk i krahason me këdo. Këta njerëz janë njerëzit më të nderuar në popull. I krahason me ata që populli i nderon dhe në të cilët shikon shembullin të cilin duhet ta ndjekin. Në krahasimin e vet Jezusi nuk kërkon prej nxënësve të vet që të jenë si skribët dhe farisenjtë. Përkundrazi, prej tyre kërkon shumë më shumë se sa këto dy grupe të nderuara japin në jetën e tyre.
Skribët janë njohësit e jashtëzakonshëm të Shkrimit të shenjtë. U desh që të kryenin studime të gjata dhe vetëm pasi që arrinin vitet dyzetë të jetës kishin mundësi të pranoheshin ndër priftërinj, gjë që iu jepte pushtet që të binin vendime sipas të drejtës, sidomos në Sinedër në mbledhjet e të cilit fitonin të drejtën të marrin pjesë. Në mesin e tyre kishte skribë shumë të nderuar dhe të pranuar, siç ishte Hileli dhe Gamalieli, mësuesi i Shën Palit. Skribët shumë shpesh ishin prej rrethit të farisenjve. As Jezusi e as nxënësit e tij nuk kryen studime të tilla.
Farisenjtë ishin «të ndarit». Këtë domethënie e ka emri i tyre. U ndanë prej të gjithëve. Ata luftonin për Ligjin dhe dalloheshin në mënyrë të theksuar si besimtarë. E njihnin saktësisht Ligjin e Moisiut dhe traditën. Më gjithë shpirt prisnin ardhjen e Mbretërisë së Hyjit në tokë dhe nxisnin shpresën mesianike. Ndikimi i tyre në popull ishte shumë i madh. Njerëzit i vlerësonin dhe i nderonin. Edhe Shën Pali para kthimit të vet ishte farise.
Jezusi kërkon prej nxënësve të vet që të jenë më të drejtë se sa ishin skribët dhe farisenjtë. A thua nuk po kërkonte tepër? Si kanë mundësi këtë gjë ta zbatojnë në thjeshtësinë e vet, në përvujtëri dhe në padituri? Si ka mundësi që të krhahsohen në ndonjë mënyrë me këta njerëz të ditur dhe njohës të jashtëzakonshëm të Shkrimit të shenjtë, Ligjit dhe të traditës? Jezusi këto gjëra i di mirë dhe pranë të gjithave kërkon që nxënësit e tij të jenë më të mirë dhe të tregojnë më shumë. Qartë, Jezusi flet për një drejtësi tjetër e jo për atë drejtësi që e tregojnë skribët dhe farisenjtë.
21 »Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘ Mos vrit!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit. 22 E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budall’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.
Ja dallimi mes mësimit të vjetër dhe mësimit të ri. Këtu është përsosmëria e Ligjit. «Mos vrit» që kërkonte Ligji i Moisiut ishte një kërkesë shumë e lartë në marrëdhëniet ndernjerëzore. Tani Jezusi kërkon shumë më shumë. Ai kërkon që Ligji të jetë në brendi. Nuk guxojmë të vrasim as në zemër. Urrejtja dhe zemërimi nuk guxojnë t’i zotërojnë ndjenjat tona. Fatkeqësisht, ato aq shpesh ndikojnë në sjelljen tonë. Ne jemi dëshmitarët e kësaj gjëje në jetën e përditshme. Kronikat e zeza të gazetave na japin aq shumë shembuj në të cilët njerëzit për shkak të urrejtjes dhe zemërimit iu bënë të afërmve të keqen. Do t’i lutem Zotit që të me ndihmojë që t’i zotërojë këto forca negative që mos të marrin hov e kështu të më zotërojnë dhe të më pushtojnë.
23 Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!
Njeriu nuk ka mundësi që në mënyrë të sinqertë ta paraqes flinë dhe ta nderojë Hyjin në qoftë se nuk është në paqe me vëllanë e vet. Nuk kam mundësi ta nderoj Hyjin, e njeriun ta nënçmoj. Hyji lutjen e tillë nuk e pranon, nuk e pranon as flinë, sepse nuk e është e sinqertë. Kur nderojmë Hyji në zemër dëshiron ta gjej faljen. Para Hyjit ka rëndësi të madhe qëndrimi që kemi ndaj të afërmit. Ai më shumë çmon mirëkuptimin më të se sa flinë të cilën dua ta flijoj. A thua nuk kërkon prej meje flijim më të madh pajtimi më të afërmin tim se sa flija që e paraqes? Atëherë këtë gjë duhet t’ia dhuroj Hyjit si fli!
25 Ndrequ me shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të dorëzojë gjykatësit e ky rojtarit të gjyqit, që të mos të ndryjnë në burg. 26 Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash paranë e fundit.«
Jezusi jetën tonë e shikon në mënyrë reale. Në të ka kundërshtime, borxhe dhe padi. Ai u tërheq vërejtjen njerëzve se shumë gjëra kanë mundësi t’i rregullojnë vet pa fatkeqësi të tjera. Nuk duhet kërkuar diçka me dhunë. Dhuna e lind dhe e forcon dhunën! Në vend të dhunës që e detyron drejtësinë, Jezusi propozon pajtimin që sjell paqen dhe dashurinë në marrëdhëniet ndernjerëzore. O Zot, më jep fuqi që gjatë udhëtimit të ndreqem më tjetrin, që të kem mundësi të pajtohem. Me ndihmo që unë ta bëj hapin e parë, që unë i pari ta shtrij dorën dhe ta flas fjalën… Në qoftë se në këtë gjë më paraprin tjetri, bëj që të di sinqerisht dhe me gjithë zemër t’i përgjigjem.