Shenjti i ditës: 12 Qershor – Shën Onufri, vetmitar (+ 400)

Written by on June 11, 2017

Shenjti i ditës: 12  Qershor – Shën Onufri, vetmitar (+ 400)

            Egjiptian, murg në Tebaide, vetmitar për shtatëdhjetë vite në vetminë e plotë të shkretëtirës, ky shenjt vetmitar ka fituar admirim e përshpirtëri mbi të gjitha në Mesjetë, falë Jetës që e shkroi një dishepull i tij, murgu Pafnuci. Takimi mes të dyve qe i pazakonshëm. Pafnunci deshi të vetëdijësohej për jetën e vetmitarëve të shkretëtirës dhe pasi kishte ecur për shumë ditë mes rërës, ndeshi në një figurë që kishte pak gjëra njerëzore: një trup të mbuluar nga mjekra e gjatë dhe nga flokët e gjatë të shpupurisur. Pafnuci i frikësuar, u nis të ikte, por plaku me zë qetësues e mbajti dhe iu prezantua.

            Onufri jetonte në shkretëtirtë që prej shtatëdhjetë vitesh; pas një periudhe të shkurtër noviciati në Tebaide, e la kuvendin në kërkim të një vendi të vetmuar. Pasi bëri disa milje, u strehua në një shpellë, brenda të cilës gjeti një vetmitar të vjetër. I kërkoi bekimin, sipas zakonit, pastaj sëbashku u nisën në kërkim të një strehe të dytë për Onufrin e ri. Mbërritën në një oaz me hije dhe këtu u ndanë. Vetmitari i vjetër u kthye çdo vit për ta vizituar. Në takimin e fundit, ndërsa po ndaheshin plaku u ligështua dhe vdiq. Onufri e varrosi në rrethojën e tij. «Ja», përfundoi Onufri, duke iu drejtuar vizituesit të ri, «Hyji të ka dërguar tek unë që ta varrosësh denjësisht trupin tim, sepse kam mbërritur tashmë në fund të jetës sime». Pafnunci, pak ditë më pas kreu shërbesën e hidhërueshme duke e varrosur vetmitarin e shenjt mes shkëmbinjëve: pastaj u kthye në kuvendin e tij dhe i tregoi bashkësisë atë që kishte parë e dëgjuar. Shenjti vetmitar është shumë i njohur si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Nderohet si pajtor i pëlhurendësve, fakt i pazakonshëm për një njeri «të veshur vetëm me flokët e tij shumë të gjatë dhe me një shirit gjethesh mbi krah», siç pohon biografi i tij, dëshmitar okular. Atij i është kushtuar një kishë e vjetër në një qoshe magjepëse të Romës, në pjerrësirën e Gjianikolos, ku ruhet varri i poetit Torkuat Taso.


Current track

Title

Artist