MEDITIMI I DITËS – THIRRJA QË MË BËN JEZUSI

Written by on June 10, 2017

Mt 9, 9-13 THIRRJA QË MË BËN JEZUSI

 

Kërkoj hirin: që të jem nxënës besnik i Jezusit në thirrjen që më bën.

 

Në atë kohë, 9 Jezusi pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: »Eja mbas meje!« Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.

Jezusi përsëri na befason më sjelljen e vet. Kur iu ofrua skribi që të shkojë pas tij, Jezusi ia tërhoq vërejtjen në kërkesën që ua bënë atyre që i shkojnë pas dhe nuk e pranoj për nxënës të vetin. Kësaj here, kalon nëpër qytet afër doganës, pothuajse për rrugë dhe pa kurrfarë bisede, e thërret doganierin që të shkojë pas tij. Bëhet fjalë për njeriun e urryer, pikërisht për shkak të punës që bënte. Publikisht dihej se njerëzit e tillë pasuroheshin në llogari të të tjerëve, në mënyrë të veçantë në llogari të të varfërve. Pranë kësaj, puna është e tillë sa që i duhet të bashkëpunojë më zaptuesin romak. Hebrenjtë e urrenin këtë njeri, ndërsa romakët e nënçmonin. Mateu ishte një njeri të cilin asnjë hebre që ishte rabin nuk do ta pranonte në shkollën e vet si nxënës. Për çudi, Jezusi e thërret. Bashkësisë së vogël të peshkatarëve të cilët tashmë i kishte thirrur që të jenë nxënësit e tij, ia bashkon edhe një mbledhës të taksave që më vonë do të shkruaj Ungjillin prej të cilit po meditojmë në këto çaste.

Edhe Mateu na befason. Nuk bënë asnjë pyetje me të cilën në çfarëdo mënyre do të tregonte habinë e vet. Nuk kundërshton. Menjëherë, në të njëjtin çast, ngrihet dhe shkon pas Jezusit. Ai sillet pikërisht ashtu siç kishte thënë Jezusi se duhet të sillet ai të cilin ai e thërret që të jetë nxënësi i tij. I ndërpret të gjitha, nuk shkon për tu përshëndetur me të afërmit e vet, nuk i dhimbset asgjë, e pra sigurisht që ishte shumë i pasur. Kush dëshiron të shkojë pas Jezusit, duhet të jetë i gatshëm të flijojë gjithçka. Ky është kushti pas të cilin njeriu nuk ka mundësi të shkojë pas Jezusit. A jam i gatshëm që në udhëtimin tim pas Jezusit, nëse është e nevojshme, t’i braktisë të gjitha që të jemi më afër tij dhe më besnik ndaj tij?

10 Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, qe se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij. 11 Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij: »Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?«

Mateu përjetoj gëzim të madh në zemër për shkak të thirrjes që ia bëri Jezusi. Si të ishte liruar nga diçka, si të ishte zhdukur brenga që e mundonte ditë e natë e nuk dinte si të lirohej prej saj. Jezusi e liroj prej të gjithave dhe ia fali besimin. Mateu e dinte se njerëzit e shmangin dhe nuk dëshironin të jenë me të. Disa e nënçmonin haptas. Deshi t’i braktis të gjitha dhe të kërkonte një stil tjetër jete, por nuk gjente mënyrën për ta realizuar këtë gjë. Ai ishte i robëruar me rendin shoqëror të cilit i përkiste. Dhe ja, tani erdhi Jezusi që e njihte mirë mundimin dhe vajtjen e tij. Jezusi e dinte se në Mateun rrahte një zemër e mirë të cilën kishte nevojë vetëm ta pastronte prej të gjitha gjërave që kishin mbetur në të gjatë ditëve që kryente këtë punë të pandershme. Jezusi e liron prej kësaj dhe e thërret që të bëhet nxënësi i tij. Mateu nuk pati mundësi të përjetojë një gjë më të mirë që të bëhet njeri tjetër, gjë që në zemër aq shumë e dëshironte. Donte këtë gjë ta festonte me të gjithë miqtë që kishte. Ajo që kishte ndodh brenda tij meritonte një festë të madhe. Mirëpo në tryezën e tij ishin vetëm tagrambledhësit dhe mëkatarët. Këtu ishte edhe Jezusi më nxënësit e vet. Çfarë shoqërie! Farisenjtë shkandullohen dhe e gjykojnë mënyrën e sjelljes së Jezusit. Si guxon Jezusi të rrijë e të haj më tagrambledhësit dhe mëkatarët? Kjo pyetje i mundonte. Në qoftë se Jezusi është rabin, atëherë nuk guxon as nuk duhet të sillet në këtë mënyrë.

12 Jezusi, kur i dëgjoi, përgjigji: »Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve! 13 Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftojë të drejtët, por mëkatarët.«

Jezusi e di se çfarë i mundon farisenjtë. Ai do që t’i hap sytë dhe horizontet e tyre të ngushta. Ai është i mëshirshëm, dhe mëshirën më së shumti ka mundësi ta tregojë ndaj mëkatarëve. Ai këtë gjë e bënë edhe në këtë gosti. Dëshiron të jetë në shoqërinë e tyre, sepse i do dhe dëshiron që tu ndihmojë. Ai erdhi për shkak të tyre. Nuk lejon që kushdo ta mbyll në një grup të njerëzve që veten e konsiderojnë të pastër, të drejtë dhe të pa mëkat, prej të cilit pastaj do t’i gjykonte të gjithë të tjerët. Ai erdhi për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit.

Edhe sot secilën ditë përsëritet e njëjta skenë. Secila Meshë e shenjtë është gosti në të cilën bashkohen njerëzit mëkatar që kërkojnë falje dhe mëshirë. Jezusi na bashkon në Eukaristi jo si të ishim ne njerëz të pastër dhe të pa mëkat, por pikërisht si mëkatarë. Ai na fton në gostinë e vet, që tregon edhe më mirë se sa dëshiron që të jetë më ne mëkatarët. Secila Eukaristi na paraqet dashurinë e tij të cilën e tregoi ndaj nesh që jemi mëkatarë. Ai e dhuroi jetën për të na shëlbuar dhe për të na liruar nga mëkati.

Të falënderoj, o Zot, që kam mundësi të ulëm afër teje si mëkatar. Të falënderoj që mëkatet e mia nuk të largojnë prej meje. Të falënderoj që më afrohesh personalisht dhe bashkohesh më mua në Kungimin e shenjtë. Vetëm në mëkatin dhe përvujtërinë time kam mundësi të të them: «O Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën pullazin tim…»

 


Current track

Title

Artist