MEDITIMI I DITËS – SJELLJA E PËRVUAJTUR
Written by Radio Maria on June 9, 2017
Mk 12, 38-44 SJELLJA E PËRVUAJTUR
Kërkoj hirin: që të jem i thjeshtë dhe i përvuajtur në sjelljet e mia.
Në atë kohë, 38 Jezusi u thoshte nxënësve të vet: »Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin tjerët në sheshe, 39 të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. 40 Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!«
Në pyetjet të cilat Jezusi ua bënë skribëve nuk ka përgjigje. Në vend të përgjigjes vjen kritika e ashpër të cilën Ai ua drejton pikërisht atyre. Ndërsa njerëzit, turma e madhe e dëgjon me kënaqësi.
Ka mundësi të na befasojë toni i zërit të Jezusit dhe ashpërsia e fjalës së tij të cilën përdor gjatë qortimit që bënë. A thua nuk tha se është «zemër butë dhe i përvujtë»? Po këto fjalë? Jezusi më ashpërsinë e fjalëve të veta dëshiron tu tërheq vërejtjen njerëzve për seriozitetin e gjendjes jetësore në të cilën jetojnë skribët. Pasi që janë të nderuar në popull dhe përgjegjës, me mënyrën e jetës së tyre kanë ndikim të madh në popull. Jezusi dëshiron t’i qortojë se jeta e tillë është pengesa më e madhe për besimin e vërtetë në Hyjin. Prandaj paraqet çastet më të rëndësishme të jetës së tyre në të cilat kanë gabuar.
Fjalët e Jezusit nuk guxojmë t’i kuptojmë as t’i përjetojmë si fakte historike. Ato i përkasin Kishës dhe secilit prej nesh. Gjithmonë ekziston rreziku që në ne të ndërhyj stili jetësor më të cilin jetonin skribët në kohën e Jezusit. Më këtë gjë qortimi i Jezusit bëhet aktual dhe i drejtpërdrejt. Edhe sot e kësaj dite janë besimtarët që hidhërohen dhe shkandullohen kur shikojnë përpjekjet e Kishës për tu pastruar nga shtresat historike të cilat nuk janë në përputhje më fjalën që i tha Jezusi.
Më duhet t’i lutem Zotërisë që të më ndihmojë që të shoh cilat janë ato shenja që mora e të cilat Jezusi i pa në jetën e skribëve në kohën kur jetoi. «Petkat e gjata» janë shenjë me të cilën dikush dëshiron të paraqitet, ta tërheq vëmendjen e të tjerëve mbi vetvete. Ka aq shumë mënyra me të cilat kam dëshirë të paraqitem, dëshiroj ta paraqes veten të rëndësishëm dhe më vlerë në sytë e të tjerëve. «Vendet e para» janë shenjë e nderimeve. Kjo është dëshira për tu paraqitur në faqet e para të gazetave, dëshira për shkrepjet e fotoaparateve dhe kamerave televizive, dëshira për pushtet dhe vendet e rëndësishme plot nderim. Më e keqja në këtë situatë është se në hijen e të mirës ka mundësi të depërtojë e keqja së bashku me dëshirat e ulëta të cilat përfundojnë në shkatërrim. Sa veprimtarit e bamirësisë në kohërat e vështira të popujve të ndryshëm ishin rast i jashtëzakonshëm për këta njerëz të pandërgjegjshëm të cilët në mënyrë të paskrupullt shfrytëzuan mirësinë e të tjerëve për interesa të veta të ulëta dhe të ndyra! Sa shumë njerëz për këtë gjë u dëmtuan dhe vdiqën! Vërtetë, njeriu ka mundësi të gabojë në gjithçka në qoftë se nuk e drejtojnë vlerat e vërteta dhe dashuria e vërtetë për Hyjin dhe njeriun. Ndaj tyre Jezusi është shumë i qartë dhe i ashpër: «do të gjykohen rreptë!»
O Zot, më ruaj nga shpirti i tillë dhe me ndihmo që të dijë të jetoj në thjeshtësi të Ungjillit të cilin ma shpall.
41 Pastaj u ul kundruall arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. 42 Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, d.m.th. një të katërt të asit.
Çfarë dallimi të madh mes mënyrës së jetës së skribëve që «përlajnë shtëpitë e vejushave» dhe kësaj të veje skamnore! Sa me mendjemadhësi shëtisin të pasurit nëpër Tempull dhe gjuajnë lëmoshën e tyre në thesar. Dëshironin që të gjithë ta dinin sa kishin dhënë që t’i nderonin dhe t’i lavdëronin më shumë. Të gjitha i bënin për interesat vetjake. Të tillë janë sponsorët bashkëkohor të cilët japin nga teprica dhe i kemi të pranishëm në të gjitha reklamat, por ata gjithmonë kërkojnë të dihet sa kanë dhen, dhe çfarë kanë bërë të mundur. Po kush do të dijë për ata skamnorë të cilët me besnikëri dhe vazhdimisht japin për çdo vepër të mirë nga ajo pakicë që kanë.
43 Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha: »Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. 44 Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.«
Të shohim disa qëndrime. «Nga teprica e tyre» d.m.th. nga ajo që nuk më nevojitet dhe nuk di çfarë të bëj më të, duan që këtë dhuratë ta shohin të gjithë! «Nga skamja e vet» d.m.th. nga ajo për të cilën vërtetë kam nevojë, nga ajo që më nevojitet për jetë dhe nuk jam i detyruar ta ndaj prej pakicës që kam. Më siguri, është gjest i jashtëzakonshëm kur jep për një veprimtari humanitare ai që ka. Por nga kjo nuk duhet bërë shou. Heroizëm është kur jep ai që nuk ka mjaftë për vete sepse sheh se dikush ka më nevojë se ai. Kjo është një prizëm e shenjtërisë. Kjo është pikënisja e vejushës. Ajo është figura e Hyjit. Ai i dha të gjitha për ne, «të gjitha pati për jetesën e vet».
O Zot, bëj që të vij pas teje në thjeshtësi me aq sa kam mundësi! Më ndihmo që kur jap, të jap me zemër, ta jap krejt çka kam për jetesë!