MEDITIMI I DITËS – MISTERI I JEZUSIT

Written by on June 8, 2017

Mk 12, 35-37 MISTERI I JEZUSIT

 

Kërkoj hirin: që me besim ta pranoj misterin e personit të Jezusit që është Hyj dhe njeri.

 

Në atë kohë, 35 Jezusi, duke mësuar në Tempull, bëri këtë pyetje

Jezusi është në Tempull dhe mëson. Mësimi ishte pjesë thelbësore e dërgimit të tij. Mësonte në ambiente të hapura duke udhëtuar nëpër Palestinë, mësonte në sinagoga, në shtëpi, në Tempull. Të gjithëve që i takonte u shpallte Lajmin e gëzueshëm. Ju fliste njerëzve që ishin në shtëpitë e tyre, në vendin e tyre privat. Ju foli kur ishin në sinagoga ku shkonin për të dëgjuar shpjegimin e Shkrimit të shenjtë. Fliste në vende të hapura publike. Foli në Tempull të Jerusalemit, vendin më të nderuar për secili hebre. Jezusi ishte i pranishëm gjithkund.

Edhe sot janë të nevojshëm ata që mësojnë dhe predikojnë Fjalën e Hyjit. Tani do të lutem për të gjithë ata që morën këtë detyrë të rëndësishme dhe më përgjegjësi që të jenë besnik ndaj Shpirtit të Hyjit, që ta shpallin Fjalën e Hyjit, e jo ndonjë mësim të vetin. Të gjithë ne besimtarët jemi të thirrur që në njëfarë mënyre të «predikojmë». Nuk janë të thirrur vetëm Ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, rregulltaret dhe katekistët për të predikuar. Askush nuk ka mundësi të arsyetohet se nuk është i thirrur ta bëj këtë gjë, dhe se kjo gjë nuk i përket atij.

O Zot, më ndihmo që të di t’i them fjalën e vërtetë atij që këtë fjalë e pret prej meje që t’i shpjegoj atë gjë që nuk e ka të qartë në besimin e vet. Më jep mundësi që të gjej kohë që të meditoj dhe të studioj Shkrimin e shenjtë, që personalisht ta pranojë mësimin e Kishës.

Në këtë pjesë, shohim se si Jezusi e tregon qartë epërsinë e vet mbi pleqtë e popullit dhe të gjithë të tjerët të cilët si përgjegjës iu përkisnin rrymave të ndryshme fetare të hebraizimit. Epërsia e tij nuk shfaqej vetëm në përgjigjet e jashtëzakonshme që jepte në pyetje që ia bënin por edhe në pyetje të cilat ai vet i bënte, e në të cilat ata nuk dinin të përgjigjeshin. Shën Marku ungjilltar këtë gjë e përmbledh në këto fjalë: «Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje». Jezusi paraqitet si njohës i jashtëzakonshëm i Shkrimit të shenjtë, si skrib i shkëlqyeshëm. Edhe kësaj here i erdhi radha ta bëj një pyetje.

 »Si mund të thonë skribët se Mesia është biri i Davidit? 36 kur vetë Davidi, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, tha: ‘I tha Zoti Zoti t’im: rri në të djathtën time, deri t’i vë armiqtë e tu shtrojë të këmbëve të tua?’

Këtu ai e citon Ps 110. Ai i njihte psalmet dhe i luste në bashkësi, më siguri i luste edhe kur ishte vetëm. Në to është e pranishme përvoja e ndryshme jetësore në të cilën secili ka mundësi ta gjej vetveten derisa lut psalmet, siç thotë Shën Augustini, mënyra më e shkëlqyeshme që të mësohemi për tu lutur. Prandaj liturgjia i vlerëson kaq shumë dhe na porosit për t’i lutur. Mbi ta duhet të meditojmë dhe t’i përvetësojmë si lutje shumë personale për jetën tonë të përditshme. Duke cituar këtë psalm, Jezusi paraqet faktin se një pjesë e psalmit «të rrish në të djathtë të Hyjit» i përket atij dhe uljes së tij në fron në të djathtën e Atit pas ringjalljes. Të jesh në të djathtën e Atit, do të thotë ta ndash pushtetin me Atin. Më këtë gjë Jezusi thotë qartë se nga është dhe ku e ka vendin e vet. Ai është Biri i Hyjit.

37 Vetë Davidi e quan atë Zot! Si është atëherë i biri? »Masat e popullit e dëgjonin me kënaqësi.

Këtu, Jezusi shërbehet më mënyrën e shprehjes që përdorin rabinët kur argumentojnë. Dy tekste vihen përball njëri-tjetrit që të arrijmë përfundimin e ri, sintezën e re. Jezusi dëshiron të thotë se është e pakuptueshme për një babë tokësor që njërit prej bijve të vet t’i japë titullin e madh «Zotëri, Zotërues» në kuptimin biblik për të cilin flitet këtu. Pyet, si pra bashkëkohësit e tij i thonë «bir i Davidit»! Nëse është Zotëri, Zotërues, si pra mund të jetë bir?

Shën Pali në letrën Romakëve thotë se Jezusi është pasardhës i Davidit sipas trupit, i bërë Bir i Hyjit, në fuqinë e Shpirtit shenjtërues të ringjalljes nga të vdekurit (Rom 1, 3-4). Më këtë pyetje, Jezusi dëshiron të tërheq vëmendjen në misterin personal. Ai e di se nuk është vetëm «bir i Davidit» por edhe «biri i Hyjit». Personin e Jezusit njeri, kemi mundësi ta kuptojmë vetëm në dritën e ringjalljes së Zotërisë.

Më duhet t’i lutem Zotit që të më ndihmojë për ta kuptuar misterin e tij. Që edhe unë ta dëgjoj me kënaqësi! Dua të të adhuroj, o Zot, edhe pse nuk i kuptoj të gjitha për personin tënd. Gjithashtu do të lutem edhe për njerëzit rreth meje që mos të ndalën në njohjen e Jezusit më arsyetim se është e vështirë për ta kuptuar se në të njëjtin person është njeriu dhe Hyji.

 


Current track

Title

Artist