MEDITIMI I DITËS – FEJA NË RINGJALLJE

Written by on June 6, 2017

Mk 12, 18-27 FEJA NË RINGJALLJE

 

Kërkoj hirin: që të besoj palëkundshëm në ringjallje që është themeli i fesë sonë!

 

Në atë kohë 18 Saducenjtë që mësojnë se nuk ka ringjallje, erdhën dhe e pyetën Jezusin:  19 »Mësues, Moisiu urdhëroi për ne: ‘Po vdiq vëllai i ndokujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij të martohet me gruan e tij e t’i lindë fëmijë vëllait të vet.’

Ja grupi i tjetër i njerëzve të cilët dëshirojnë të flasin me Jezusin. Këta janë Saducenjtë. Emrin e marrin nga Sadoku që dikur ishte kryeprift. Fjala sadok në përkthim do të thotë «i drejtë». Saducenjtë ishin një grup i veçantë që i përkisnin aristokracisë shekullare që përgjithësisht kishte ndikim të madh në priftërinjtë në Jerusalem. Theksonin rëndësinë e Ligjit të Moisiut. Zakonisht lajmëroheshin në përcjellje të farisenjve, mirëpo dalloheshin qartë prej tyre në besim, vlerësime politike si edhe në qëndrimet që kishin ndaj Jezusit e pastaj edhe ndaj të krishterëve të parë. Mohonin ringjalljen nga të vdekurit, pavdekësinë personale, shpërblimin pas vdekjes dhe ekzistencën e shpirtrave të mirë dhe të këqij. Kur u rrënua Tempulli dhe u zhduk kulti, nuk patën asnjë arsye të ekzistonin më, prandaj edhe u zhdukën.

Këta erdhën tek Jezusi dhe nga perspektiva e besimit të vet ia bëjnë një pyetje. Si përfaqësues të arsyes dhe dyshimeve i paraqesin njerëzit, botëkuptimet e të cilëve janë të ngjashme me të tyre. Njerëz të tillë ka edhe sot e kësaj dite. Edhe për këta njerëz, ringjallja, jeta pas vdekjes, eskatologjia, nuk janë asgjë tjetër përveçse një përrallë që nuk ka kurrfarë lidhje me jetën konkrete.

Saducenjtë në pyetjen e tyre theksojnë atë gjë që është e rëndësishme në Ligjin e Moisiut, që është kujdesi për pasardhës. Prandaj e veja që mbeti pa fëmijë duhet që të martohej për vëllain e burrit. Ky ishte argumenti i saducenjve që të bëjnë pyetjen për ringjalljen në të cilën nuk besonin.

20 Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe vdiq, por nuk la pasardhës. 21 I dyti e mori atë e vdiq, por nuk la trashëgimtar. Po ashtu edhe i treti. 22 Asnjëri prej të shtatëve nuk la trashëgimtar. Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. 23 Pas ringjalljes (kur të ngjallen) gruaja e cilit do të jetë? Sepse, të shtatë e patën grua.«

Kjo pyetje vërtetë është plot përqeshje dhe krejtësisht teorike. Mirëpo saducjentë e konsideronin material të mirë për të sulmuar besimin në ringjallje. Edhe kjo pyetje bënë pjesë në grupin e «pyetjeve – kurth» të cilat Jezusit ia bënin kundërshtaret e tij. Mirëpo Jezusi përgjigjet seriozisht dhe në përgjithësinë e kontekstit e dallojmë rëndësinë e madhe që ka përgjigja e tij.

24 Jezusi u përgjigji: »Po a nuk jeni në gabim shi pse nuk e kuptoni Shkrimin e shenjtë e pushtetin e Hyjit?

Edhe pse ata e shpjegonin Shkrimin e shenjtë, Jezusi ua tërheq vërejtjen se kanë mundësi ta kenë gabim edhe pse mendojnë se e njohin dhe e shpjegojnë mirë Shkrimin. Jezusi përgjigjet në pyetjen e tyre me seriozitet të madh edhe pse ia bëjnë me përqeshje dhe ironi. Ringjallja është përmasë e jetës së Hyjit dhe i tejkalon kategoritë e vendit dhe të kohës në të cilën jetojmë. Për të nuk kemi mundësi të gjykojmë as të flasim si për diçka që i përket jetës sonë të përditshme konsumuese dhe materiale. Ringjallja e tejkalon këtë përmasë të besimit tonë duke na vendosur në besimin e realiteteve që nuk mund të provohen. Prandaj Jezusi u thotë: «nuk kuptoni». Ringjallja tejkalon kuptimin e tyre dhe i përket sferës së «pushtetit të Hyjit». Kjo pyetje u bë gjithmonë si problem i njeriut besimtar dhe jobesimtar. Kjo pyetje bëhet edhe sot si problem i njeriut bashkëkohor. Ky njeri ringjalljen e përjeton si pamundësi për shkak të turmës së madhe të njerëzve që do të duhej të ringjalleshin dhe për shkak të shkatërrimit të trupit që ik në mundësitë alternative siç janë mishërimi i serishëm dhe nirvana.

Këtu, me besim të thellë dhe adhurim para Zotërisë me duhet të them: O Zot, nuk kuptoj se çfarë është ringjallja dhe nuk kam asnjë përvojë për të. Por kam besim në ty dhe në Fjalën tënde. Ti më flet për të si për realitet në të cilin na pret. Besoj, o Zot, forcoje fenë time!

25 Sepse, kur njerëzit të ngjallen prej së vdekuri, as burrat s’do të marrin gra, as gratë burra, por do të jenë porsi engjëjt në qiell. 26 Përsa mandej i përket çështjes së ringjalljes të të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut, në fragmentin mbi dukurinë e ‘Kaçubës’, se si i tha Hyji: ‘Unë jam Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit?’ 27 Hyji nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve. Jeni shumë gabim!«

Jeta e të ringjallurve nuk vazhdon në të njëjtën mënyrë si jeta e tashme tokësore. Kjo nuk do të kishte kuptim. Jeta tjetër është më cilësore, sepse është përmasë shpirtërore. Jezusi thjesht dëshiron të thotë se ata që ringjallën do të kenë «kujdese» të tjera që janë shumë më të larta se vetëm burrat të marrin gra e gratë burra. Pengu i ringjalljes është Hyji i gjallë që në të njëjtën kohë është Hyji i të gjallëve e jo i të vdekurve. Biseda përfundon më fjalë shumë serioze dhe domethënëse që iu drejtohen saducenjve dhe të gjithë të tjerëve që kanë të njëjtat botëkuptime: «Jeni shumë gabim!»

 


Current track

Title

Artist