MEDITIMI I DITËS – DETYRAT E MIA

Written by on June 5, 2017

Mk 12, 13-17 DETYRAT E MIA

 

Kërkoj hirin: që të di të kryej detyrat e mia ndaj Hyjit dhe njerëzve.

 

Në atë kohë, 13 i dërguan disa prej farisenjsh e herodianësh me qëllim që ta zënë në fjalë Jezusin.

Ja përfaqësuesit e dy palëve që nuk kanë asgjë të përbashkët, njerëzve që jetojnë në armiqësi të hapur. Këtu e kemi të qartë se diçka e rëndësishme i shtyri këta kundërshtarë që të paraqitën së bashku. Në jetën e njerëzve interesat dinë të jenë aq të fuqishme sa që njerëzit t’i tejkalojnë dallimet e vërteta që objektivisht i ndajnë prej njëri-tjetrit. Kundërshtaret e Jezusit kanë shestuar një plan dinak: Duhet ta zënë Jezusin në gabim publikisht. Vetëm kështu mund të formohet koalicioni mes farisenjve dhe herodianëve.

14 Këta erdhën e i thanë Jezusit: »Mësues, e dimë se je njeri që flet të vërtetën. Nuk je në kujdes për askënd, se ti nuk e merr parasysh pozitën që kanë njerëzit kur është puna të mësosh të vërtetën ashtu si kërkon Hyji të jetojmë. A është e lejueshme t’ia paguajmë Cezarit tatimin apo jo? A t’ia japim apo mos t’ia japim.«

Sa me dinakëri i afrohen Jezusit! Edhe pse ndoshta nuk deshën ta thonë këtë gjë sinqerisht dhe me zemër, prapëseprapë e thanë të vërtetën mbi Jezusin. Edhe pse janë kundërshtarë të tij, ia dhanë lëvdatën më të madhe i thanë: se është i vërtetë, i paanshëm dhe se e mëson udhën e Hyjit. Pranim më të madh Jezusi nuk kërkonte prej tyre.

Pyetjen ia bëjnë me dinakëri të madhe. Në të është kurthi. Mendonin: sido që të përgjigjet, do të bie në kurth sepse dike do të cenojë. Nëse thotë se duhet paguar, do të zgjojë urrejtjen e popullit që do t’i thotë se nuk është atdhetar dhe se bashkëpunon me okupatorin. Prandaj janë këtu përfaqësuesit e farisenjve. Nëse përgjigjet se nuk duhet paguar tatimin, atëherë do të marrë përsipër urrejtjen e përfaqësuesve të pushtetit të cilët do ta padisin së është kundërshtar që vepron kundër perandorisë romake. Prandaj janë këtu herodianët. Kemi mundësi të mendojmë se me çfarë interesi po prisnin të gjithë përgjigjen e Jezusit.

15 Ai e hetoi dredhinë e tyre dhe u tha: »Pse po më sprovoni? Ma bini ta shoh një denar!« 16 Ata ia sollën.

Jezusi e di se për çfarë arsyeje erdhën tek ai. Ata nuk e kërkojnë të vërtetën as nuk iu intereson për ta njohur, sepse edhe pyetja që bëjnë ka në vetvete pasoja të cilat ata i kanë paramenduar. Në dukje pyetja është interesante por ajo nuk ishte asgjë tjetër përveçse një mbulesë që fshihte dyfytyrësinë, zemërkeqësinë njerëzore dhe prishjen. Mirëpo Jezusi e pranon bisedën me ta. Ai është i vërtetë, i paanshëm, njeri që e mëson udhën e Hyjit. Nuk ka frikë për tu përgjigjur edhe në një pyetje të tillë provokuese. Ai edhe në këtë situatë dëshiron t’i mësojë bashkëbiseduesit e vet për të vërtetën dhe tu tregojë se cilin drejtim duhet marrë në qoftë se dëshirojnë të ecin në udhën e Hyjit.

Ai i pyeti: »E kujt është kjo fytyrë e ky mbishkrim?« »Të Cezarit.« – i përgjigjën ata. 17 Jezusi u përgjigj: »Çka i përket Cezarit, jepjani Cezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit!« I la me gojë hapët.

Në këtë çast Jezusi e zgjeron pyetjen dhe e bënë pyetje vërtetë të rëndësishme, duke ia dhen vlerën që kundërshtarët e tij as që e kishin ndër mend. Ata e pyesin për të drejtat e perandorit, ndërsa Jezusi iu paraqet të drejtat që i ka Hyji Jezusi nuk i mohon detyrimet që ka njeriu ndaj shtetit, por në të njëjtën kohë zbulon përmasën tjetër të detyrimeve që ka rëndësi shumë të madhe për njeriun. Qartë dhe pa asnjë hezitim Jezusi thotë: «Çka i përket Cezarit jepjani Cezarit». Kjo do të thotë se secili njeri gjërat që i përkasin shtetit dhe politikës duhet t’i marrë në mënyrë serioze. Njeriu është tepër i ndjeshëm në detyrime të cilat shoqëria dhe shteti i kanë ndaj tij, prandaj edhe ai vet do të duhej që detyrat e veta ndaj kësaj shoqërie dhe këtij shteti t’i plotësojë me ndërgjegje.

Në pjesën tjetër të përgjigjes Jezusi thekson se «cezari», që këtu përfaqëson shtetin dhe pushtetin, nuk i ka të gjitha të drejtat. Njeriu nuk është i kufizuar vetëm në shoqërinë tokësore. Hyji e ka krijuar dhe ai është i përcaktuar për jetën e pasosur, udhëton drejt takimit me Krijuesin. Në qoftë se njeriu duhet t’i japë Cezarit të gjitha gjërat që kanë figurën dhe mbishkrimin e tij, të njëjtin detyrim e ka edhe ndaj Hyjit. Njeriu është krijuar në përngjasimin e Hyjit, në vetvete ka shenjën dhe vulën e Hyjit; atëherë këtë gjë edhe duhet ta nderojë, ai vetveten e ka për detyrë t’ia japë Hyjit. Në qoftë se njeriu i plotëson detyrat ndaj Hyjit, nëse i jep «Hyjit çka i përket Hyjit», atëherë edhe detyrimet tjera do të kryej si duhet.

Njeriu që në jetën personale vërtetë është drejtuar drejt Hyjit e ka shkallën e vërtetë të vlerave. Jezusi nuk e kundërshton asnjë detyrim njerëzor, por dëshiron që njerëzit t’i shohin mirë cilat detyrime kanë dhe t’i plotësojnë si duhet. Më duhet që në shoqëri, në bashkësi ku jetoj sinqerisht ta jap kontributin tim. Mirëpo kam detyrim edhe më të madh që të jem besnik ndaj Hyjit prej të cilit vjen secili pushtet. Jezusi e ëmbëlsoj këtë gjë aq shumë me përgjigjen e vet. Prandaj me të drejt i mrekulloheshin.

Fjala e Hyjit më fton që në dritën e saj ta pyes vetveten se si i kryej detyrat e mia ndaj shoqërisë në të cilën jetoj, ndaj bashkësisë të cilës i përkas, familjes prej të cilës ka dal. Mirëpo edhe më shumë me duhet të shqyrtoj ndërgjegjen si i plotësoj detyrimet që i kam ndaj Hyjit. Detyrimet ndaj shoqërisë nuk guxojnë t’i përjashtojnë detyrimet ndaj Hyjit, por duhet të na drejtojnë për t’i plotësuar.

 


Current track

Title

Artist