MEDITIMI I DITËS – SHENJAT DHE NGJARJA E RRËSHAJVE

Written by on June 3, 2017

Gjn 20, 19-23 SHENJAT DHE NGJARJA E RRËSHAJVE

 

Kërkoj hirin: që të besoj, se Jezusi ma dhuron Shpirti Shenjt

 

Jezus, apostujve ju premtove se do tu dërgosh Shpirtin Shenjt, Shpirtin Mbrojtës, Shpirtin e së vërtetës dhe të dashurisë. Ju premtove apostujve dhe Kishës, Shpirtin Shenjt Ngushëllues, Shpirtin e sigurisë dhe të paqes.

Ti je gjithmonë besnik, o Jezus në premtimet e tua, prandaj sot po të lutemi:

Na vizito me Shpirtin tënd të shenjtë që ai të na përfshijë plotësisht e të na shndërrojë. Ripërtërije në ne këtë dhuratë që nuk shprehet dot, sepse po shohim se në ne çdo gjë tashmë është vjetërsuar dhe është lodhur. Jezus, në ne dhe rreth nesh pothuajse asgjë nuk ndodh, jemi të ngjashëm me ujin që nuk lëviz aspak, kemi mbet pa jetë dhe pa hov. Na dërgo, Shpirtin Shenjt dhe ripërtërij në ne të gjitha dhuratat e Rrëshajve të para.

Na dërgo Shpirtin Shenjt Mbrojtës. Jezus, shumë shpesh ndjejmë veten të pasigurt prandaj na nevojitet mbrojtja dhe ndihma. Na befasojnë shpesh situatat e papritura dhe të pakëndshme të cilat e mbushin zemrën tonë me frikë e tmerr. Na dhuro, o Zot, Mbrojtësin më të mirë i cili do të na mbroj gjithmonë. Na dhuro Shpirtin tënd i cili do të jetë Mbrojtësi jonë në të gjitha çështje gjyqësore dhe në të gjitha gjyqet e kësaj bote. Në ne dhe rreth nesh le të plotësohet premtimi yt se nuk kemi nevojë të frikësohemi çfarë e si do të flasim, sepse në atë çast do të na dhurohet mbrojta e Shpirtit Shenjt. Na jep Shpirtin tënd që të jemi të sigurt se prej zemrave tona do të zhduk çdo frikë. Ende jemi plot frikë. Si mos ta kishim marrë aspak Shpirtin e bijësisë, por shpirtin e robërimit. Kemi frikë për të nesërmen. Kemi frikë prej lajmeve të këqija. Na rrethojnë parashikimet e mundimshme të cilat na shtypin. Na jep Shpirtin Shenjt Mbrojtës i cili do të na bind se ti na do.

O Zot, na mbush me Shpirtin e së Vërtetës. Ti the se e vërteta do të na lirojë, dhe na premtove se do të na japësh Shpirtin tënd i cili do të na udhëzojë në të vërtetën e plotë. Na dërgo, o Zot, Shpirtin e së vërtetës. Ai le të jetë drita e qartë dhe e pastër në këtë botë në të cilën zotëron errësira, gënjeshtra dhe mashtrimi. Na dërgo Shpirtin e të së vërtetës që në zemrat tona ajo të paraqitet në dritën e ditës që të bëhemi bartësit e saj në mesin e njerëzve. Eja, o Shpirt i së vërtetës dhe dëboje prej zemrave tona shpirtin dhe atin e gënjeshtrës.

O Zot, po të lutemi që përsëri të na dhurosh si dhuratë të sigurt Shpirtin e dashurisë. Në këtë botë të urrejtjes dhe të hakmarrjes, armiqësisë dhe mosbesimit aq shumë na nevojitet Shpirti i dashurisë. Eja, o Shpirti i dashurisë, në ndiz flakë. Eja, o Shpirti i dashurisë, dhe digje në ne çdo farë të urrejtjes dhe të hakmarrjes. Na liro prej të gjitha ndjenjave negative ndaj të afërmit. Me fuqinë e dashurisë sate, o Shpirti Shenjt, le të zhduket nga kjo botë në të cilën jetojmë secila urrejtje, ndarje, moskuptim dhe çdo dëshirë e hakmarrjes. Vendose paqen dhe dashurinë në zemrat tona, të njëjtën dashuri dhe të njëjtën paqe jepja botës në të cilën jetojmë. Në mbarë botën, me fuqinë e ndërhyrjes sate le të ndjehet gëzimi i papërshkrueshëm që i vërshoj apostujt ditën e Rrëshajve të para.

 

 


Current track

Title

Artist