MEDITIMI I DITËS – UDHA PERSONALE

Written by on June 2, 2017

Gjn 21, 20-25 UDHA PERSONALE

 

Kërkoj hirin që ta pranoj me guxim rrugën e jetës dhe thirrjen e Zotërisë «eja pas meje!».

 

«20 Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte nxënësi të cilin Jezusi e donte [posaçërisht], ai që në kohën e Darkës e mbështeti kokën në parzmën e Jezusit… 21 Kur Pjetri e vuri re këtë, i tha Jezusit: “Zotëri, e çka do të ndodhë me këtë?»

Jemi në përfundimin e Ungjillit të shkruar nga Shën Gjoni. Në faqen e fundit, na paraqitet Jezusi në shoqërinë e Pjetrit. Pjetri e dëshmoi para të gjithëve dashurinë e vet për Jezusin. Që nga ky çast, ai i përkiste plotësisht Jezusit. Ai e mori nga Jezusi kujdesin për Kishën. Kështu, për Pjetrin filloi jeta e re dhe ardhmëria e re. Jezusi e paralajmëroi se si do të dëshmonte deri në fund për Të. Kjo do të jetë shkalla më e lartë e dëshmisë që realizohet në martirizim.

Jezusi u nda për një çast prej bashkësisë dhe e thirri Pjetrin që të shkonte pas Tij. Pas tyre, u nis edhe Gjoni. Prandaj, Pjetri e pyeti për fatin e Gjonit. Pjetri e dinte se sa i madh ishte roli i Gjonit në bashkësinë e të Dymbëdhjetëve. Ai e dinte se sa thellë e kishte kuptuar Gjoni Jezusin dha se sa e rëndësishme ishte dëshmia e tij. Prandaj, interesohej se çfarë do të ndodhte me të. Apo Pjetri ishte tmerruar nga ajo që parafoli Jezusi për të? Ndoshta, donte të dinte nëse edhe dikush prej miqve të tij do të dëshmonte në të njëjtën mënyrë? Ndoshta, në këtë mënyrë, Pjetri kërkonte mbështetje psikologjike që të mos ishte vetëm, që ta kishte dikë për të bashkëbiseduar me të e që të kërkonte ndihmë dhe ngushëllim? Ndoshta për të gjitha këto, e mbi të gjitha për shkak të shqetësimit të vet, pyeti: « Zotëri, e çka do të ndodhë me këtë?»

«22 Jezusi iu përgjigj: “Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë, ty ç’po të duhet? Ti eja pas meje!»

O Zot, Ti e mësove Pjetrin që të mos shqetësohej për atë çka e përcaktove për Gjonin. Secili prej nxënësve të Tu ishte nisur drejt udhës së vet. Prandaj, Pjetrit i duhej të shkonte asaj rruge që ia caktove Ti.

Kjo është përgjigja që ia jep edhe pyetjeve tona për të tjerët. Secilit i thua: «më ndiq mua!» Prandaj, secili mund të vijë pas Teje vetëm në mënyrë personale. Edhe pse të gjithë shkojmë pas Teje, prapëseprapë secili e bën në mënyrën e vet dhe ashtu siç Ti e kërkon prej tij. Ndryshe vijnë pas teje babai dhe nëna në familje, e ndryshe meshtari. Ndryshe vjen vajza që përgatitet për jetën, ndryshe e moshuara që tashmë është në përfundimin e rrugës jetësore. Ndryshe vjen ai që është plot jetë dhe plane jetësore, e ndryshe ai që është në karrocën e invalidit, krejtësisht i varur nga ndihma e të tjerëve. Ndryshe vjen rregulltari që lutet në heshtjen e kuvendit të vet e ndryshe ai që predikon në qytete. Mirëpo, secili e ka udhën e vet, secili e ka thirrjen e vet. Më e rëndësishmja është që unë ta dalloj rrugën time, në mënyrë që me gatishmëri të udhëtoj në të. O Zot, më ndihmo në këtë gjë. Më ndihmo që ta pranoj me gatishmëri thirrjen që ma bën si udhërrëfyes të jetës time: «ti, eja pas meje!» Mos lejo që ta harroj veten në imagjinata dhe ëndrra për të ardhmen e jetës time. Nuk guxoj të mendoj se, në udhën Tënde, çdo gjë do të jetë pa brenga dhe ideale, se do të dëgjohet çdo lutje e se çdo sipërmarrje do jetë e suksesshme e çdo përpjekje e frytshme.

«23 Këndej edhe u hap ndër vëllezër fjala se ai nxënës nuk do të vdiste. E pra, Jezusi nuk tha “Nuk do të vdesë!”, por nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë [ty ç’po të duhet?’]»

Nxënësit e shpjeguan në mënyrën e vet këtë gjë. U desh të kalonte shumë kohë që ta kuptonin domethënien e vërtetë të fjalëve të Jezusit. Gjithmonë është i nevojshëm vendi dhe koha, që e vërteta të shkojë në vendin e vet. Prandaj, pohimet tona janë të përshpejtuara dhe përfundimet shumë shpesh pa vend dhe të gabuara.

Kur të vinte Shpirti Shenjt, Ai do t’i mësonte për të gjitha. Atëherë, do të bëheshin nxënës të vërtetë, të gatshëm që ta pranonin rrugën e vet dhe të shkonin pas Zotërisë, duke dëshmuar për Të me jetën e vet.

«24 Ky nxënës është ai që i dëshmon këto gjëra dhe vetë ai i shkroi. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë. 25 Ka edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat po të renditeshin një nga një, më thotë mendja se as mbarë bota s’do t’i zinte librat, që do të duhej të shkruheshin.»

Ungjilli, që shkroi Shën Gjoni, përfundon me këto fjalë. Ai ishte i vetëdijshëm se një shkrim i tillë nuk e përfshinte gjithçka për Jezusin, as nuk mund t’i sqaronte të gjitha ato çka bëri Jezusi. Gjëja më e rëndësishme është përcaktimi personal për Jezusin. Ai është i Gjallë edhe për mua, siç ishte për Apostujt. Këtë gjë na e mëson Ungjilli i Shën Gjonit. Prandaj, edhe është më se i nevojshëm.

 


Current track

Title

Artist