MEDITIMI I DITËS – PËRJETIMI SHPIRTËROR

Written by on May 30, 2017

Lk 1, 39-45 PËRJETIMI SHPIRTËROR

 

Kërkoj hirin: që të di ta dëgjoj tjetrin kur do të ma dhurojë përjetimin shpirtëror.

 

39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.

Përse ky përshpejtim? Përse ky nxitim nëpër malet e Judës? Kemi mundësi ta paramendojmë shumë lehtë këtë skenë konkrete: Maria shpejton tek kushërira e saj Elizabeta.

Shumë gjëra ka përjetuar Maria këtyre ditëve. Zemrën e ka përplot me ndjenja dhe ka dëshirë të gjitha këto t’i bashkëndaj me dikënd. Mirëpo, kujt t’ia thotë, para kujt ta hap zemrën e saj? Në të kanë ndodhur ngjarje të mëdha. Kush ka mundësi t’i kuptojë të gjitha këto? Do ta përqeshin, do të tallën më të? Do ta qortojnë sepse e paraqet veten si të rëndësishme? Kush është ajo që të bëhet Nëna e Birit të Hyjit? Të gjitha këto u bashkuan në Marinë që kishte nevojë që t’i ndante me dikënd dhe të bisedonte për to. Në të njëjtën kohë dëgjoj nga engjëlli se edhe Elizabeta e pret djalin. Edhe kjo gjë e befasoj. Për këtë gjë nuk ka mundësi të bisedojë më askënd në Nazaret. Prandaj shkon tek Elizabeta.

Sa e bekuar dhe sa e bukur është miqësia e vërtetë. Sa i lumtur është ai që di se dikujt ka mundësi t’ia thotë të gjitha, e ky nuk do ta nënçmojë, nuk do ta përqesh as nuk do të tallet më të. A kam dikë që mund t’ia them të gjitha që janë mbledhur në shpirtin tim, që mund t’ia tregoj gëzimet shpirtërore? A di t’i dëgjoj të tjerët të cilët i paraqesin para meje përjetimet shpirtërore? A jam i hapur ndaj tyre?  

41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:

Takimi i dy nënave të cilat me ndërhyrjen e veçantë të Hyjit mbartin fëmijët nën zemrën e tyre. Në të njëjtën kohë ky është takimi i mistershëm i Jezusit me Gjon Pagëzuesin. Gëzimi është atmosfera në të cilën ndodh takimi. Shpirti Shenjt është shkaktari i këtij gëzimi. Ky është Shpirti i njëjtë që është i pranishëm në të gjitha ngjarjet e mistershme që e përcjell edhe këtë takim. Personat janë të mbushur me Shpirtin e Hyjit, plot me hir. Prandaj gëzimi është i madh. Është fryti i bashkëpunimit me Shpirtin Shenjt.

“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim.

Pa ndonjë hyrje të veçantë, pa fjalë me të cilat dëshiron të arsyetohet, në përshëndetjen e Elizabetës Maria ndjen se ajo e ka kuptuar plotësisht. Sa e kënaqur ishte dhe sa gëzim përjetoi në atë çast. Elizabeta e ka kuptuar atë që  i ndodhi Marisë prandaj e bekon. E bekon Hyjin për të gjitha që bëri.

Këto janë fjalët e lutjes, Të falemi Mari, të cilën kaq shumë e lusim por kuptimi i saj na mbetët i panjohur. Tani në këtë kohë kemi mundësi që ta kuptojmë domethënien e saj të thellë. Maria është e bekuar, sepse është i bekuar fryti i kraharorit të saj. Jezusi është nën zemrën e nënës së vet në vend të sigurt dhe të ngrohtë. Ndjen dashurinë e zemrës së saj, dashurinë e cila do ta përcjell edhe kur do të ketë ftohtë në ditët e para të jetës mbi tokë, kur do të jetë i përndjekur në dhe të huaj dhe kur do të jetë në kryq.  Kjo dashuri nuk do t’i mungoj kurrë. Sa e rëndësishme është dashuria e nënës ndaj fëmijës, i përngjan domosdoshmërisë së ushqimit për jetën e secilit person. Të falënderoj, o Zot, për dashurinë e nënës sate dhe për dashurinë e nënës sime në të cilën më mbarti dhe më edukoi.

Këtu, të dy nënat hynë në mister. Ato e ndjenë këtë gjë. Ndoshta edhe ne e kemi rastin të takojmë njerëz që jetojnë në një përmasë më të thellë dhe më të lartë të jetës shpirtërore. Sa mirë dinë këta persona të njohin veprimin e Hyjit në vetvete dhe në botë, që për ne aq shpesh është e panjohur dhe e fshehur, sepse jetojmë tepër shumë në sipërfaqe!

Elizabeta dallon çfarë Hyji bëri në Marinë mirëpo fjalët e saj në të njëjtën kohë janë shenjë e nderimit dhe e adhurimit. Më ndihmo, o Zot, që të di ta dalloj veprimin tënd në vetvete dhe në rrethin ku jetoj. Që të dijë për këtë gjë të të falënderoj dhe të të bekoj.

45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

Sa fjalë të thjeshta dhe të sinqerta janë këto fjalë të Elizabetës! Ajo pa më të rëndësishmen në Marinë, prandaj e lavdëron. Ky është besimi i Marisë më anë të cilit i pranoj të gjitha që ia tha Hyji. Ajo është «Arka e re» në të cilën Hyji është i pranishëm, sepse hyri aty. Në të është e pranishme prania e gjallë e Hyjit. «Visari përshpirtshëm», lutu për ne! Hyji nuk do të banoj në gjëra, por në njerëzit e fesë. Maria për shkak të besimit të saj ishte banesa më e denjë për Hyjin. «Arka e besëlidhjes», lutu për ne! A nuk është mënyra e vetme dhe e vërtetë në të cilën Hyji ka mundësi të jetë i pranishëm dhe i dukshëm në botë – feja jonë?

Më shumëzo dhe më forco fenë, O Zot, që në jetën time të njihet prania jote në botën e sotme.

 


Current track

Title

Artist