MEDITIMI I DITËS – LAVDËRIMI

Written by on May 29, 2017

Gjn 17, 1-11 LAVDËRIMI

 

Kërkoj hirin që njohjen e Hyjit të mos e themeloj vetëm në njohjen shpirtërore, por edhe në njerëzit konkretë, me të cilët u njëjtësua Jezusi.

 

«1 Jezusi, si i tha këto, i çoi sytë e vet kah qielli dhe vazhdoi: “O Atë, arriti koha: jepi lavdi Birit tënd që Biri të të japë lavdi ty 2 e që me pushtetin, të cilin ia dhe mbi çdo njeri, t’u japë jetën e pasosur të gjithë atyre që ia dhe ti.»

Pas mësimit dhe bisedës me nxënësit, Jezusi u përqendrua tek Ati dhe ia drejtoi Atij fjalët e fundit, para se të dilte nga dhoma e Darkës së fundit, para se të shkonte në kopshtin e Gjetsemanit. I çoi sytë drejt qiellit: ky ishte qëndrimi i Jezusit, gjatë të cilit përqendrohej plotësisht në Atin. Në bisedën e tij me Atin, në lutjen e vet, Ai tregoi se sa i rëndësishëm është trupi. Kjo do të thotë se ne flasim edhe «me anë të trupit tonë» në lutje dhe se trupi është i lidhur me lutjen. Këtë gjë nuk guxojmë ta lëmë pas dore.

Erdhi çasti kur Jezusi duhej të nisej për të dëshmuar deri në fund. Ai shikonte lavdërimin e Atit në këtë gjë. Mirëpo, ky nuk është lavdërimi me të cilin jemi mësuar ne. Lavdërimin tonë, ne përpiqemi që ta tregojmë zhurmshëm dhe me vepra të jashtme, që shumë herë nuk kanë vlerë të vërtetë. Pas këtyre lavdërimeve, ndjejmë më shumë zbrazëti dhe pakënaqësi, sesa përpara tyre. Lavdërimi i Jezusit e pati vlerën e vet në veprën e dashurisë, në të cilën e dha gjithçka për shëlbimin e njerëzve, për jetën e pasosur të secilit, jetën që Ati e ka caktuar. Edhe pse shkoi në mundime, Jezusi foli për to si për lavdërimin. Mundimet, në kuptimin e tyre më të plotë, janë vërtet lavdërim që ka vlerë të përjetshme. Më këtë lavdërim, ne e marrim jetën e pasosur.

Të falënderoj, o Zot, që na i hap sytë për të parë vlerat e vërteta. Të falënderoj që takimi me Atin, i cili kalon nëpër dhimbje dhe mundim, paraqitet në sytë e Tu si lavdi e Atit. Po, kjo është vepra më e lartë e dashurisë, që e tregon Ati ndaj nesh. Të gjitha këto realizohen në dorëzimin Tënd. Më ndihmo që jeta ime të jetë lavdërim i Hyjit.

«3 E kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin. 4 Unë të dhashë lavdi mbi tokë: e kreva veprën, që ma dhe ta kryej.»

Jezusi e kishte përqendruar çdo gjë te lavdërimi i Atit. Çdo gjë që bëri ishte lavdërim i Hyjit. Krejt jetën e vet e shpenzoi që ta tregonte Atin, që t’ua atë zbulonte njerëzve. Këtë gjë e donte më së shumti. Nuk deshi që të kemi disa ide, iluzione dhe kotësira për këtë gjë. Gjithçka e bëri në mënyrë shumë konkrete. Dashurinë ndaj Atit e lidhi me dashurinë ndaj njeriut. Dashuria jonë ndaj Atit duhet të jetë ashtu siç është dashuria e Tij ndaj nesh. Për këtë arsye, kjo është aq konkrete dhe e ndjeshme. Meqë ne e kuptojmë më shumë botën e dukshme dhe të prekshme, Jezusi dëshiron që pikërisht përmes kësaj bote të kalojë edhe njohja jonë e Hyjit dhe dashuria jonë për Hyjin. Prandaj, Jezusin mund ta shikojmë afër vetes në çdo njeri që e takojmë në përditshmërinë tonë dhe jetojmë me të. Jezusin e «njohim» në çdo të sëmurë, në çdo njeri që pëson dhe në atë që është në nevojë. A jam i mësuar që në jetën konkrete, në njerëzit e rëndomtë, ta takoj Jezusin? Nëse Hyjin e kërkojmë diku tjetër, diku «në mendime dhe në zbrazëti», atëherë ne jemi si zonja e tregimit që vijon.

Një grua ishte shumë e përshpirtshme, besnike dhe përplot me dashuri ndaj Hyjit. Çdo mëngjes shkonte në kishë. Rrugës haste fëmijë që kishin nevojë për të, lypës që i kërkonin ndihmë, por ajo ishte aq shumë e angazhuar me mendimet e veta të përshpirtshme, saqë nuk e vërente asnjërin prej tyre.

Kështu, një mëngjes po zbriste rrugës për në kishë që të merrte pjesë në Meshën e shenjtë. Arriti pikërisht në çastin kur po fillonte Mesha. Shtyu derën, por ajo nuk hapej. E shtyu më shumë, por vuri re se dera ishte e mbyllur me çelës. E trazuar, që për të parën herë do të mbetej pa Meshë, nuk dinte ç’të bënte. Çoi sytë dhe përpara syve të saj qëndronte mbishkrimi: «Unë jam këtu jashtë!»

«5 E tani, o Atë, më lavdëro para…  6 Ata ishin të tutë, ti m’i dhe. 7 Tani e kuptuan se gjithçka më dhe, vjen prej teje… 8 Ata i pranuan dhe e kuptuan se me të vërtetë dola prej teje dhe besuan se ti më dërgove.»

Jezusi dëshironte t’i shndriste nxënësit që ta kuptonin se erdhi që t’u jepte çdo gjë që mori nga Ati. Krejt jetën e vet e shpenzoi që t’i mësonte njerëzit për Atin. Qëndrimi i Tij ishte që t’ua dhuronte dhe t’u ndihmonte që ta njihnin Atin. Edhe vetë Atë e dërgoi Ati. Nga Ati vjen çdo nismë. Ai i nxit zemrat e njerëzve që t’i afrohen Jezusit. Ai i nxiti zemrat e nxënësve që t’i afroheshin, ndërsa po kalonte brigjeve të detit dhe në rrugët e Palestinës kur i zgjodhi dhe i thirri nxënësit.

«9 Unë për ta lutem. Nuk lutem për botën, por për ata që ti m’i dhe, sepse janë të tutë. 10 Gjithçka kam unë është jotja e çka ke ti imja, dhe në ta u lavdërova. 11 Unë nuk rri më në botë e ata janë në botë, e unë po vij te ti. O Atë i shenjtë! Ruaji në Emër tënd ata që ti m’i dhe që të jenë një sikurse ne!»

Jezusi i pa nxënësit e vet para vetes. Tani lutej vetëm për ta. Ata kishin nevojë për lutjen e Tij, sepse nuk ishin ende të vetëdijshëm se gjithçka do të ndodhte brenda pak ditësh. Në lutjen dhe në shpirtin e vet, Jezusi i pa dhe ia dorëzoi Atit.

 

 


Current track

Title

Artist