Shenjti i ditës: 30 Maj – Shën Zhan d’Ark, pajtore e Francës (1412 – 1431)

Written by on May 29, 2017

Shenjti i ditës: 30 Maj – Shën Zhan d’Ark, pajtore e Francës (1412 – 1431)

Zhan d’Ark u lind dhe u rrit në fshatin francez Domremi. Për disa vite kjo fshatare e pashkolluar ka bërë vepra që për nga denjësia mund të krahasoheshin me ato të udhëheqësve më të mëdhenj që ka pasur Franca, nga Karli i Madh deri tek Napoleoni. Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare ka drejtuar ushtrinë franceze dhe ka mundur ushtrinë më të përgatitur angleze, duke rrëzuar bastionet e Orléans që për vite me radhë i kishin bërë qëndresë goditjeve të rrethuesve. Ka kurorëzuar mbretin e frikshëm dhe mosmirënjohës të Francës, Karlin VII, dhe pas kthesës së papritur të tij ka vazhduar luftën me ata pak njerëz të mbetur përkrah saj. Në fund ra në pritën që ia bënë burgonjët, e tradhtuar dhe e shitur me çmim të shtrenjtë nga duka i Luksemburgut. Pësoi procesin e një grupi klerikësh që udhëhiqej nga ipeshkvi i Bovuas. Zhan d’Ark u ankua deri tek papa kundër këtij ipeshkvi, por zëri i saj nuk mundi të arrinte në Romë.

Ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç kur hipi në podiumin e ekzekutimit me vdekje në sheshin publik të Ruenit dhe u dogj e gjallë. Ky ishte dënim që u jepej të ashtuquajturave shtriga. Vetëm pas njëzet vjetësh u rishikuan dokumentet e procesit dhe u rivendos e vërteta me dhënien e plotë të pafajësisë vajzës heroike. Ajo ishte shpallur fajtore se u ishte bindur zërave të mistershëm që i erdhën ndërsa po kulloste delet dhe e ftuan që të merrte armët. Ajo, një vajzë shtatëmbëdhjetëvjeçare, e vetme kundër pushtuesve të fuqishëm anglezë. Që atëherë filloi një lëvizje e pandalshme përshpirtërie popullore ndaj Virgjëreshës së Orleanit që Franca e zgjodhi si pajtoren e vet të shenjtë në vitin 1922. Dy vjet më parë, në vitin 1920, papa Benedikti XV e kishte ngritur në nderet e altarit.


Current track

Title

Artist