Shenjti i ditës: 27 Maj – Shën Agustini i Kanterbury, ipeshkëv (+604)

Written by on May 26, 2017

Shenjti i ditës: 27 Maj – Shën Agustini i Kanterbury, ipeshkëv (+604)

Sipas informacioneve historikisht të sigurta, bashkësitë e para të krishtera të pranishme në Britaninë romake dalin në vitet 300, edhe pse legjenda thotë se ishulli ka qenë ungjillëzuar nga Jozefi i Arimatesë. Në shekullin IV, legjionet romake u sulmuan në veri nga pitët dhe skotët që zbrisnin nga Irlanda, dhe nga saksonët që pushtuan brigjet lindore. Zgjerimi anglo-sakson përfundoi me kapitullimin e Londrës në vitin 457. Besimet idhujtare të pushtuesve ia zunë vendin fesë së krishterë. Në shekullin VI, mbreti i Kentit, Etelberti, u martua me një princeshë të krishterë. Ajo ishte e bija e mbretit të Parisit, e cila i kërkoi bashkëshortit mbret si dhuratë një kishë dhe meshtarë katolikë për të kremtuar aty lutjet hyjnore. Kërkesa i mbërriti në Romë papës, shën Gregori i Madh. Ai ishte murgu i parë që u ngrit në selinë papnore dhe i pari të cilit iu dha titulli servus servorum Dei.

Papa e plotësoi me gëzim dëshirën e mbretëreshës së re dhe ia besoi misionin eprorit të kuvendit të Shën Andreas në Çelio. Ai u nis i dëgjueshëm me dyzet murgj. U ndalën në kuvendin e Lerinsit, ku Agustini – kështu quhej eprori – mori lajme jo shumë të mira lidhur me barbarët saksonë. E pasi guximi nuk ishte virtyti i tij i parë, ai u kthye mbrapsht dhe i kërkoi papës që t’ia ndryshonte drejtimin, e ta niste mes njerëzve më pak luftënxitës. Papa u mjaftua vetëm me një inkurajim atëror dhe e ridërgoi në Britani me udhëzime të mëtejshme. Mbi të gjitha ai po shkonte në ishull jo si murg i thjeshtë, por si ipeshkëv. Shugurimi i tij ipeshkvnor u bë në Arles.

Më në fund Agustini me shokë e kaluan Kanalin dhe mbi shkëmbinjtë e bardhë të Doverit i priti vetë mbreti. Ai i përcolli misionarët me ceremoni në selinë e tyre në Kanterbury. Ky qytet u caktua të bëhej kryeqyteti i fesë së Anglisë. Aty ndodhet abacia e madhe që mban emrin e Agustinit. Puna misionare e Agustinit me shokë pati sukses të madh. Mbretër e nënshtetas kërkuan pagëzimin. Për këtë punë të mirë, papa e shpërblen Agustinin duke e emëruar atë arqipeshkëv kryesor të Anglisë, me një ftesë të bukur që të mbetej shërbëtor i përvuajtur i vëllezërve edhe nën mësimet fisnike. Gregori e Agustini vdiqën në të njëjtin vit, të kurorëzuar që të dy me kurorën e shenjtërisë.


Current track

Title

Artist