MEDITIMI I DITËS – SHËLBIMI

Written by on May 26, 2017

Mt 28,16-20 SHËLBIMI

 

Kërkoj hirin e fesë së gjallë në Jezusin, që është tek Ati dhe ndërmjetëson për ne!

 

E kremtja e Shëlbimit na kujton të ardhmen tonë, hyrjen tonë në qiell. Ajo na zbulon fuqishëm se njeriu më në fund e mori vendin e vet përkrah Hyjit. Jezusi e fitoi këtë gjë me flijimin e vet. Ai na e hapi qiellin. Udha jonë na çon në qiell. Udhëtojmë drejt banesës së përjetshme, në të cilën do të jemi përjetësisht të lidhur me Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt në atë masë që e lejojmë që Trininë e Shenjtë të na përfshijë tashmë këtu mbi tokë dhe aq sa ne hyjmë në Të. Për këtë arsye, nxënësit u kthyen me gëzim në Jerusalem. Ishin të vetëdijshëm dhe besonin thellë se kishin korrur fitore mbi vdekjen, e cila tashmë nuk e ndan njeriun nga Hyji. Dera e qiellit është hapur njëherë e përgjithmonë për ne. Jezusi hyri i pari nëpër të. Kjo është porosia e Shëlbimit.

«16 Të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. 17 Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan. 18 Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. 19 Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! 20 Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!»

Shën Mateu e përfundon kështu Ungjillin e vet. Jezusi zbulohet si Zotëri i qiellit dhe i tokës. Ai është fitimtari përfundimtar. Ai e mori krejt pushtetin. Ky është përfundimi dhe plotësimi i misionit të Tij. Tani, Ai mund t’i dërgojë nxënësit në mbarë botën. E morën fuqinë e Zotërisë së ngjallur. Shpirti i Hyjit do të jetë me ta. Kisha do të lindë dhe do të përhapet me fuqinë e Pagëzimit në emrin e Tre Personave, në fuqinë e Trinisë së Shenjtë. Në fund, Jezusi premton praninë e vet dhe të qenit e vet me nxënës dhe besimtarë deri në të sosur të botës.

Plani i madh i Hyjit u plotësua. Mirëpo, ai duhet që të përhapet më tej, që ta përfshijë mbarë njerëzimin, të gjithë njerëzit, secilin në veçanti. Kjo është detyra e Kishës, kjo është detyra e të pagëzuarve. Kjo është detyra ime personale: të jem nxënës i vërtetë dhe besimtar i vërtetë; të dëshmoj për Hyjin dhe t’i ruaj urdhërimet e Tij.

Të falënderoj, o Zot, që mbetesh me ne, që punon edhe më tutje së bashku me ne. Nuk jam vetëm në shpalljen e Ungjillit Tënd. Na ndihmo të besojmë pa u lëkundur në praninë Tënde. Na ndihmo që Pagëzimi, të cilin e morëm, të jetë i dukshëm dhe veprues në jetën tonë. Bota, në të cilën jetojmë, le të shohë në ne dashurinë që është pasqyrimi i asaj dashurie që është brenda Trinisë së Shenjtë, në shenjën e të cilës e kemi pranuar Pagëzimin tonë.

«Në fund iu dëftua të Njëmbëdhjetëve… 15 Dhe u tha: “Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve. 16 Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet. … 19 Zotëria [Jezusi], pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. 20 Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.»

Shën Marku e mbyll kështu Ungjillin e vet. Edhe ai e shënon urdhrin që Jezusi ua jep nxënësve që ata të shkojnë në mbarë botën dhe ta predikojnë Ungjillin. Predikimi dhe dërgimi tashmë nuk kufizohen vetëm në Palestinë. Ungjilli tashmë nuk njeh kufij. Duhet t’u shpallet të gjithëve. Kush e pranon atë, e pranon jetën dhe shëlbimin; kush e refuzon, me këtë refuzim e ndëshkon vetveten.

Jezusi hyri në qiell, u kthye tek Ati. Mirëpo, Ai e premtoi bashkëpunimin dhe praninë e vet gjatë shpalljes që do ta bënin ata që besuan në Të. Apostujt do ta ndjenin dhe do ta përjetonin konkretisht këtë gjë gjatë dërgimit dhe shpalljes. Zotëria ishte me ta. Ai bashkëpunonte me ta, i përforconte dhe i ndihmonte gjatë përpjekjeve të tyre. Kjo gjë iu dha siguri të veçantë në misionin e tyre. Ai është i pranishëm në ndarjen e Sakramenteve, përmes të cilave ndahet dhe përhapet hiri i Lajmit të gëzueshëm. Ai është me mua edhe sot kur i ndaj Sakramentet, kur predikoj, kur dëshmoj në bashkim me Kishën. A besoj se Zotëria është me mua dhe se bashkëpunon, duke e përforcuar Fjalën me praninë e vet?

«Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt… 48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje… 50 Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. 51 E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit në qiell. 52 Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem 53 dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit.»

Duke u larguar, Jezusi i bekoi nxënësit e vet. Ky ishte gjesti i Tij i fundit ndaj nxënësve. Ky ishte bekimi që të ishin të guximshëm për të filluar një jetë krejtësisht të re. Ky ishte testamenti i Jezusit, shenja e hirit të padukshëm që do t’i përcillte në të gjitha udhët e tyre. Ata do të ishin të vetëdijshëm se në ta ka pushuar bekimi i Zotërisë. Prandaj, e kishin gëzimin në zemër dhe në fytyrë, edhe pse Zotëria po shkonte.

O Zot, bekimi Yt pushon edhe në mua. Ai më mbron nga fuqitë e këqija. Ai më mbush me siguri. Të falënderoj që më bekon. Të falënderoj që kështu më përcjell në udhëtimin tim jetësor.

 


Current track

Title

Artist