Shenjti i ditës: 26 Maj – Shën Filip Neri, meshtar (1515 – 1595)
Written by Radio Maria on May 25, 2017
Shenjti i ditës: 26 Maj – Shën Filip Neri, meshtar (1515 – 1595)
Optimist si të gjithë ata që i besohen Provanisë dhe veçanërisht i gjallë dhe i gëzuar. Ky është imazhi që të vjen në mendje kur përmendet emri i Shën Filip Nerit. Ai, në fakt, zotëronte sekretin e simpatisë, një dhuratë që e përdorte për të tërhequr të rinjtë në orator. Por, ky shenjt zotëronte edhe cilësi të tjera të mëdha përveç karakterit të hareshëm. Metoda e tij edukuese mund të përmblidhet në frazën e famshme drejtuar të rinjve të zhurmshëm të fshatit: “Rrini urtë, nëse mundeni”.
Ai u shugurua meshtar në moshën tridhjetë e gjashtëvjeçare. Pas kësaj ai mendoi t’i jepte formë të qëndrueshme veprës së tij edukuese duke angazhuar meshtarë të tjerë të rinj në apostullatin e tij. Katërmbëdhjetë meshtarë iu përgjigjën thirrjes së tij dhe në vitin 1551 lindi Kongregata e Oratorit të Shën Marisë në Valiçelë, e cila u aprovua zyrtarisht nga Kisha në vitin 1583.
Sekreti i metodës së tij edukuese të efektshme gjendet në zemrën e tij të madhe. Mund të edukosh, nëse di të duash. Dhe ai kishte një zemër të madhe e bujare, jo vetëm në mënyrë figurative. Në moshën njëzet e nëntë vjeçare kishte kaluar një ekstazë mistike që ia zgjeroi zemrën derisa iu hapën brinjët. Fenomeni u konfirmua pas vdekjes së tij.
Filloi atëherë studimet e teologjisë për t’u bërë misionar, por një meshtar i tha se misioni i tij ishte në Romë. Lëvizi nga vendlindja e tij Firencja për në Qytetin e amshuar. Aty e dërgoi për tregti xhaxhai i vet. Në Romë bëri pak nga të gjitha që të mund të vazhdonte studimet dhe për të blerë librat e kushtueshëm, që nuk ngurroi t’i shiste një ditë për t’i ardhur në ndihmë një familjeje në nevojë. E thërrisnin “Pipo i mirë” sepse ia kushtonte të gjithë kohën e lirë asaj që sot quhet vullnetarizëm dhe që për atë ishte një përgjigje e thjeshtë ndaj urdhrit të dashurisë për të afërmin. Nuk ngurronte t’ua shtrinte dorën kalimtarëve për të blerë gjërat e nevojshme për fëmijët e varfër. Një ditë mori edhe një shpullë nga një njeri i mërzitur nga kërkesat e tij: “Kjo është për mua”, qe përgjigjja e tij; “tani ma jepni një monedhë për fëmijët e mi”.
Në shtratin e vdekjes brengosej se i duhej të pushonte në një dyshek të butë, ndërsa Krishti kishte vdekur në Kryq. Varri i tij ruhet në kishën e riparuar dhe të zmadhuar nga ai, që romakët vazhdojnë ta quajnë Kisha e Re. U kanonizua në vitin 1622.