Shenjti i ditës: 25 Maj – Shën Gregori VII, papë (1020 – 1085)

Written by on May 24, 2017

Shenjti i ditës: 25 Maj – Shën Gregori VII, papë (1020 – 1085)

 

Ildebrandi, papa i ardhshëm Gregori VII, u lind në Soana të Toskanës. Ai shkoi në Romë për të hyrë në kuvendin benediktin të Shën Marisë mbi Aventino, ku ishte abat një xhaxha i tij. Qëlloi në një periudhë të mundimshme në historinë e Kishës. Në katedrën e Pjetrit ndërroheshin me ritëm të shpejtë papë të zgjedhur nga romakët e papë të zgjedhur nga perandori gjerman Henriku III. Pati edhe një papë dymbëdhjetë vjeçar, Benedikti IX, i cili i frikësuar nga revoltat e nxitura nga familjet fisnike rivale, ia la tiarën kryepriftit Graciano.

Pasi veshi zhgunin benediktin, që nuk do ta heqë as kur do të zgjidhet papë, Ildebrandi shoqëroi në Gjermani papën e larguar, Gregori VI, dhe u kthye me papën e ri, Leoni IX, i cili e emëroi abat të Shën Palit. Bashkë me Shën Pier Damianin, ai qe një bashkëpunëtor i vlefshëm i pesë papëve, derisa më 22 prill 1073 ai vetë u zgjodh papë “nga zemërimi i popullit”. Pasi e pranoi emërimi me “shumë dhimbje rënkime e të qara”, ai çoi përpara me guxim reformat e filluara, duke marrë admirimin e miqve dhe po aq fyerje nga kundërshtarët e shumtë.

Qe, siç mund të thuhet, një papë i papërshtatshëm, mbi të gjitha për perandorin Henriku VII. Ai nuk ia fali poshtërimin e Kanosës dhe shkishërimet e përsëritura. Shumë meshtarë që ishin të mbrojtur nga autoriteti i perandorit, falë të cilit ishin emëruar, bënin jetë mondane. I hidhëruar, papa i shkruante mikut të tij, abatit të Klunit, Shën Ugos: “ … me zor gjej ipeshkvij të ligjshëm për nga zgjedhja dhe jeta, që ta udhëheqin popullin e krishterë për dashurinë e Krishtit, e jo për ambiciet e botës”. E pagoi me mërgim vendosmërinë me të cilën e mbajti timonin Kishës në dallgët e mëdha të imoralitetit dhe rivaliteteve të perandorit, i cili i kundërvuri një antipapë dhe u nis për në Romë. Papa, i braktisur nga të gjithë, gjeti shpëtim në Kështjellën e Shën Engjëllit, prej ku u shpëtua nga normani Roberti, Guiskardi. Ky, pasi kishte plaçkitur Romën, e mori me vete papën në Salerno. Gregori VII vdiq vitin pasues dhe u varros në katedralen e Salernos. Kishte punuar e vuajtur derisa Kisha, nusja e Krishtit, “të mbetej e lirë, e pastër dhe katolike”, siç shkruan ai vetë në letrën e tij të fundit.


Current track

Title

Artist