MEDITIMI I DITËS – NJOHURITË E REJA

Written by on May 23, 2017

Gjn 16, 12-15 NJOHURITË E REJA

 

Kërkoj hirin që të jem gjithmonë i hapur para Shpirtit të së vërtetës.

 

«Jezusi u tha nxënësve të vet: 12 Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë por tani s’mund t’i kuptoni. 13 E kur të vijë ai ‑ Shpirti i së Vërtetës ‑ Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën.»

Jezusi u foli nxënësve të vet për rolin e Shpirtit Mbrojtës, i cili do të jetë përgjithmonë me ata që do t’i përjashtojnë nga sinagogat dhe do t’i paraqesin në gjyqe. Do të jetë me ata që do t’i gjykojnë dhe do t’i dërgojnë në vendet e vdekjes vetëm e vetëm pse janë nxënësit e Tij dhe sepse besuan në Ungjill. Shpirti i Hyjit do të jetë me ta, do t’i ngushëllojë dhe do t’u ndihmojë që të mbeten besnikë deri në fund. Të tillët, shumë shpesh me këngë në gojë, do të hyjnë nëpër arena ose do të ngjiten në tribunat e vdekjes. Do të jenë të guximshëm dhe do të luten për ata që i mundojnë, sepse në vetvete e kanë fuqinë e Shpirtit Mbrojtës. Kështu do të jetë që nga nxënësi i parë, Shën Shtjefni, e deri te martiri i fundit përpara ardhjes së Krishtit mbi tokë.

Jezusi donte që t’u thoshte shumë gjëra nxënësve të vet, mirëpo e ndjente se nuk ishin gati. Në atë çast, ata nuk ishin të aftë t’i mbartin të gjitha ato që donte t’u thoshte. Duhej të kalonte një kohë e caktuar e rritjes dhe e pjekurisë, deri kur do të ishin të gatshëm ta pranonin atë çka atëherë nuk mund ta pranonin. Jezusi ishte i durueshëm e nuk ishte i dhunshëm. Ai i kuptonte nxënësit e vet.

Kështu është edhe me besimin tonë. Ai rritet dhe është vazhdimisht dalje nga vetvetja. Besimi i përngjan jetës që rritet dhe zhvillohet. Në të hyjmë ngadalë dhe gradualisht i zbulojmë gjërat e reja. Vijnë njohuritë e reja e kështu janë të nevojshme interpretimet e reja. Në situatat jetësore, në kohët e reja, është e nevojshme përgjigjja e re e fesë. Ashtu si ata që e duan njëri-tjetrin dhe janë miq të vërtetë, të cilët kanë gjithmonë çka t’i thonë tjetrit, e ndjejnë se kanë mundësi të duan më shumë dhe të bëhen miq më të mirë, ashtu edhe feja kërkon prej nesh qëndrueshmërinë, kërkimin e shprehjeve të reja dhe gatishmërinë tonë për të dhënë përgjigje të reja në fe, në Hyjin.

O Zot, edhe unë jam në fillim, njësoj si nxënësit e Tu, me të cilët ishe së bashku në dhomën e Darkës së fundit. Nuk mund ta zotëroj gjithçka në një çast të jetës sime. Kam nevojë të rritem dhe kam nevojë të jem i qëndrueshëm. Edhe mua më thua, o Zot, se nuk mund ta mbart gjithçka përnjëherësh. Jam i padurueshëm. E dua gjithçka menjëherë. Shikoj se edhe në të përditshmen time nuk mund t’i mbart të gjitha gjërat që i dëshiroj. Nuk gjej kohë për takim me Ty, për lutjet e mia. Nuk ia dal t’i vizitoj ata që dëshiroj dhe që kanë nevojë për mua. Nuk arrij të marr pjesë në atë takim, nuk arrij ta përfundoj leximin e librit që shumë kohë përpara e kam filluar. Nuk ia dal të ulem me të afërmit e mi që të bisedoj me ta në qetësi. Sa shumë gjëra, o Zot, nuk arrij t’i përballoj. Më ndihmo që të mbetem i hapur për gjërat e mira dhe fisnike. Më largo nga qëndrimi mendjemadh dhe i vetëmjaftueshëm se arrita mjaft dhe se nuk kam nevojë për gjëra të tjera. Nuk dua të mbyllem, as të jem i padurueshëm në rritjen e ngadalshme dhe në pjekurinë e fesë.

Jezusi premton Shpirtin e të Vërtetës. Ai do t’i drejtojë nxënësit me pedagogjinë e vet në të gjitha ato gjëra për të cilat kanë nevojë që ta kuptojnë dhe ta pranojnë Ungjillin. Ai do t’u ndihmojë që edhe ata të jenë pedagogë të atyre që i udhëheqin dhe i drejtojnë në të Vërtetën.

Edhe sot kemi nevojë, o Zot, për ata që na udhëheqin në të Vërtetën. Dhurojua Shpirtin Tënd. Le të jenë përnxitësit e guximshëm të së Vërtetës. Jepu durimin. Le të jenë të gatshëm që ta ndalojnë ecjen e vet duke e përshtatur me ecjen e atyre që udhëtojnë me ta në rrugë. Ti e tregove këtë gjë në mënyrë të pakrahasueshme gjatë udhëtimit për në Emaus kur e përshtate ecjen Tënde me hapat nxënësve të Tu të vuajtur dhe të dëshpëruar.

«Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. 14 Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve.»

Jezusi tregoi bashkimin mes Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt. Ai u zbuloi nxënësve dashurinë që ekziston në Trininë e Shenjtë. Ai ishte kthyer plotësisht drejt Atit dhe u foli për Shpirtin që do të vinte për t’u thënë gjërat që i kanë të përbashkëta, ato që i zotërojnë mes tyre. Jezusi tregoi se në komunikimin e tyre ekziston bashkimi dhe harmonia e përsosur e prapëseprapë secili prej këtyre personave e ruan personalitetin e vet. Ne nuk do ta kuptojmë kurrë misterin e Trinisë së Shenjtë, por do të mësojmë gjithmonë nga bashkimi i personave të Trinisë, nga komunikimi i ndërsjellët mes tyre. Sikurse Jezusi doli nga bashkësia e Trinisë dhe na tregoi dashurinë e Atit, edhe Shpirti Shenjt do të vijë nga Trinia që të na udhëheqë në mënyrë të re në tërë të Vërtetën dhe të na mbrojë nga i keqi.

«15 Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.»

Sa thjesht flet Jezusi për këtë fshehtësi kaq të madhe të fesë tonë! Ai e lavdëroi Atin dhe na e zbuloi. Shpirti Shenjt e vazhdon dhe e përkryen Zbulesën. Ai do ta lavdërojë Atin dhe Birin. Në historinë e Kishës, do të ngrejë njerëz që do ta shprehin në mënyrë të re të Vërtetën e njohur, ata që do ta pranojnë më seriozisht Lajmin e gëzueshëm që u shpall.

A e kam Shpirtin e Hyjit? A shoh më qartë dhe a dëgjoj më mirë sesa shihet e dëgjohet zakonisht? A dua më shumë dhe a jam më i gatshëm të shërbej? Nëse është kështu, atëherë Shpirti i Zotit është në mua.

 


Current track

Title

Artist