Shenjti i ditës: 22 maj – Shën Rita nga Kasha, rregulltare (1381 – 1457)

Written by on May 19, 2017

Shenjti i ditës: 22 Maj – Shën Rita nga Kasha, rregulltare (1381 – 1457) 

 

Është e vështirë të numërohen mrekullitë që i ka bërë shenjtja popullore e të pamundurave në jetë e pas vdekjes, ashtu siç është e vështirë të dallosh informacionet e vërtetuara historikisht nga ato legjendaret. Rita, ose Margarita, u lind në Rokaporenë, një fshat malor i komunës së Kashas në provincën e Peruxhas. Ajo pati një fëmijëri të qetë nga prindërit e përshpirtshëm Anton Lotius dhe Amata Ferri, por jo një martesë të lumtur. Megjithëse e pëlqente jetën rregulltare, Ritës iu desh të pranonte vullnetin e prindërve të vjetër dhe të martohej me Fernand Mançinin. Ai ishte i dhunshëm dhe i egër. Pati dy fëmijë me të, Gjon’jakun dhe Palin. Durimi, lotët dhe lutjet e Ritës arritën ta zbusnin të shoqin gjaknxehtë dhe ta kthenin në rrugë të drejtë. Por Fernandi kishte lënë shumë llogari të pambyllura dhe dikush u hakmor për fyerjet e mëparshme. I zuri pritë në rrugë dhe e vrau, ndërsa ai kthehej në shtëpi nga Kasha. Rita arriti t’i largonte dy djemtë nga gjakmarrja, duke frymëzuar ndjenja faljeje në shpirtin e tyre. Një vit më pas i vdiqën të dy djemtë.

Rita e provuar nga shumë fatkeqësi, trokiti tre herë rresht në kuvendin e motrave agustiniane të Shën Maria Magdalenës, por gjithmonë u refuzua. Ia arriti të hynte në vitin 1407. Tradita thotë se bëhet fjalë për një hyrje të mrekullueshme. Një natë, pasi u zgjat shumë në lutje mbi një shkëmb që gjendet në Rakaporenë, iu shfaqën tre shenjtërit mbrojtës: Gjon Pagëzuesi, Shën Agustini dhe Nikolla nga Tolentino (që do të kanonizohet në vitin 1446). Ata e futën fshehurazi në kuvend. Murgeshat mbetën të habitura dhe u mbushën me admirim kur e panë Ritën mes koristeve. Këto janë motrat që janë në gjendje të lexojnë lutjen hyjnore, e ndërkohë ajo dinte shkrim e lexim. Qe një murgeshë që tregohet si shembull për bindjen dhe dashurinë që pati. Dëshira e saj për të imituar Mundimin e Krishtit u plotësua: iu ngul në ballë një gjemb i shkëputur nga Kryqi para të cilit po lutej. Plaga iu mbyll vetëm pas vdekjes.


Current track

Title

Artist