MEDITIMI I DITËS – MBROJTËSI

Written by on May 19, 2017

Gjn 15, 26-16, 4 MBROJTËSI

 

Kërkoj hirin që të besoj në praninë e Shpirtit ngushëllues në jetën time.

 

«Jezusi u tha nxënësve të vet: 26 E kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’jua dërgoj prej Atit ‑ Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit ‑ Ai do të dëshmojë për mua.»

Kjo pjesë e mësimit të Jezusit është ngulur thellë në kujtesën e Shën Gjonit Apostull. Ai e përjetonte thellë çdo qortim të Jezusit. Fjalët e Jezusit jehonin në brendinë e ndjeshme të Gjonit. Ai e dinte se Gjoni e kuptonte mirë, e kuptonte dhe përjetonte. Atë e dëgjonin edhe nxënësit e tjerë. Secili e kuptonte aq sa mundej dhe aq sa e kishte marrë si dhuratë. Jezusi përpiqej që t’i përgatiste për ato çfarë do të ndodhnin.

Mësimi për dashurinë dhe shërbimin reciprok ka përfunduar. Tani iu fliste për çfarë që do të ndodhte me Të dhe për ato çka do të përjetonin ata vetë gjatë jetës. Për këtë gjë iu nevojitej nxitja dhe ndihma. Menjëherë iu tha se nuk do të mbeteshin të vetmuar. Jezusi i ringjallur do t’u dërgonte Shpirtin Shenjt nxënësve. Ai do ta bënte dëshminë e vet vazhdimësi të dëshmisë së Jezusit dhe kështu do t’u ndihmonte njerëzve që ta kuptonin atë çka bëri Jezusi për ta. Do t’u dërgonte Shpirtin Mbrojtës. Në kohën që po vinte, do të kishin nevojë të madhe për Të. Këto ishin kohët e luftës. Ata kishin nevojë për Mbrojtësin që do të ishte me Ta dhe do t’u ndihmonte të qëndronin. Lufta kundër të keqit nuk është as e lehtë, as pa rreziqe. Jezusi e di më mirë se askush tjetër këtë gjë. Ai erdhi për t’ia marrë pushtetin të keqit. Krejt jetën e vet e shpenzoi për këtë. Kështu, Ai iu ndihmoi njerëzve, i mbrojti nga i keqi, të gjithëve na shpëtoi dhe na shëlboi. Jeta e nxënësit të Jezusit, e besimtarit dhe e të krishterit është luftë. Nuk është jetë e mirëqenies, jetë pa kujdese, as ndonjë oazë e të jetuarit bukur. I keqi nuk e le njeriun në paqe. Nëse nuk është i përgatitur dhe nuk rri zgjuar, ai bëhet shumë lehtë pre e tij.

O Zot, sa ngushëlluese është të shohësh se si kujdesesh për nxënësit e Tu. Ti i qorton seriozisht për çka i pret në jetë, për përpjekjet që i presin duke luftuar kundër të keqes. Të vetmuar, nuk do t’ia dalin. Prandaj, ua dërgon Mbrojtësin, për Të cilin kanë nevojë. Ti iu premtove se do ta dërgosh. Kjo gjë ishte ngushëllim dhe nxitje për ta.

Shpirti mbrojtës është edhe me ne. Fuqitë e të keqit mund ta robërojnë trupin, ta ndalojnë fjalën, ta bëjnë zemrën të pandjeshme, ta kufizojnë shpirtin tonë. Mirëpo, kurrfarë fuqie nuk mund ta ndalojë ose t’ia zërë frymën Shpirtit Shenjt. Ai na frymëzon, na liron dhe na mbron. Me Shpirtin Tënd mund ta pranoj thirrjen time, t’i kryej detyrat e mia dhe ta zë vendin mes atyre që luftojnë guximshëm për Ungjillin Tënd dhe për të vërtetën.

«27 Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua, sepse jeni me mua që në fillim.»

Nxënësit ishin dëshmitarë. E panë gjithçka bëri Jezusi, i dëgjuan fjalët që tha dhe mësoi. Ata duhet të dëshmonin për këto gjëra. Tani ishin të hutuar dhe të frikësuar. Pas pak, do të bëheshin dëshmitarë të patrembur. Kur t’i përfshinte Shpirti, do të bëheshin të patrembur. Do të dilnin para turmave e do të ishin të fortë në fjalë. Do të dilnin para gjyqeve të patrembur dhe të qëndrueshëm. Do t’i kalonin kufijtë të vetëdijshëm se i mbartte Shpirti Mbrojtës, Shpirti i të vërtetës. Ai do të dëshmonte për Jezu Krishtin dhe në Të do t’i përkisnin njëri-tjetrit në mënyrë të pandashme.

A besoj se unë e kam në vetvete Shpirtin Shenjt? A besoj se Ai mund t’i zhdukë të gjitha dyshimet dhe paragjykimet, se mund t’i ndryshojë zakonet e mia dhe të më nxjerrë nga dobësitë dhe rëniet? Besoj, o Zot, se Shpirti Yt më mbështjell dhe ma jep mbrojtjen përballë vërsuljeve të të keqit. Besoj se më përmbush me dashuri të kujtueshme, me anë të së cilës mund të dëshmoj para të tjerëve për Ty. Besoj se ma jep dashurinë për fjalën Tënde dhe ndihmën që ta përballoj jetën e përditshme. Besoj se me fuqinë e Tij bëhem dëshmitari Yt, se Ai mund ta përfshijë krejt qenien time dhe kështu mund të më bëjë dëshmitar në botën ku jetoj.

«1 Jua thashë këto që të mos moliset feja juaj. 2 Do t’ju përjashtojnë prej sinagogave. Edhe më! Po vjen koha, kur secili, që t’ju vrasë, të mendojë se i bën shërbesë Hyjit. 3 E do të veprojnë kështu, pse nuk e njohën as Atin as mua.»

Jezusi e pa qartë gjithçka që do të ndodhte me nxënësit. Historia është përplot me dëshmitarë të Jezusit, që nga koha e Tij e deri më sot. Do të përjashtohen nga vendet ku jetojnë. Ata nuk do të kenë të drejtë në të mirat e përbashkëta, do të jenë vetëm njerëz që do të kryejnë detyra pa kurrfarë të drejtash. Për ta, Jezusi thotë se disa njerëz në zemërngushtësinë e tyre do të mendojnë se i shërbejnë Hyjit, kur do t’i përndjekin dhe do t’i vrasin të krishterët. Kjo ndodh vetëm atëherë kur njeriu e ka perceptimin e gabuar për Hyjin, vetëm kur njeriu nuk e njeh fare Atin qiellor, as Jezusin që e ka paraqitur si Atë, i cili ka kujdes për çdo njeri, sepse të gjithë jemi fëmijët e Tij.

«4 Jua tregova këto gjëra që, kur të vijë koha, t’ju bjerë ndër mend se jua pata thënë

Nxënësit nuk do të befasohen as në ato çaste kur do të ngrihen në Kalvarin personal. Ata do të jenë njerëz të rinj kur t’i përfshijë dhe t’i shndërrojë Shpirti i Jezusit, pas ngjalljes së Tij, të vetëdijshëm se me ta është Shpirti Mbrojtës. Do të jenë dëshmitarë të guximshëm. Tani çdo gjë është e pakuptueshme dhe e paqartë për ta, por do të vijë koha e kuptimit dhe e qartësisë, e dëshmisë dhe e martirizimit.

 


Current track

Title

Artist