MEDITIMI I DITËS – SHPIRTI MBROJTËS

Written by on May 19, 2017

Gjn 14, 15-21 SHPIRTI MBROJTËS

 

Kërkoj hirin: që të besoj, se Jezusi ma jep Shpirtin mbrojtës.

 

Të falënderoj, o Jezus, për ngushëllimin që më jep me këto fjalë. Të falënderoj për premtimet që ju dhe nxënësve të tu e të cilat tani na i jep edhe ne. “Nuk do tu lë bonjak; nuk do të jeni pa ngushëllimin tim. Nuk do tu lë pa ndihmën time. Po ju jap nga Shpirti im. Ai do të jetë Mbrojtësi i jetës suaj, Mbrojtësi i juaj në të gjitha ditët tuaja. Mbrojtësi i netëve tuaja. Mos kini frikë. Edhe pse më nuk do të më shihni me sytë e trupit tuaj, nuk do tu mungojë pushteti i pranisë sime, sepse unë jam me ju. Në këtë të vërtetë do t’ju udhëzojë Shpirti Shenjt.”

Të falënderoj, o Jezus, për ketë dhuratë kaq të madhe. Kjo është dhurata e jashtëzakonshme e kujdesit tënd për ne. Të falënderoj, o Zot,  që përmes Shpirtit Shenjt e realizove premtimin tënd të pranisë sate të vazhdueshme në mesin tonë. Derisa banoje në mënyrë të dukshme në mesin e nxënësve të tu, pranove kufizimin e trupit të natyrës tonë njerëzore. Ishe i pranishëm vetëm aty ku njerëzit kishin mundësi të të shohin. Ishe pranë njerëzve të veçantë vetëm derisa ishe i pranishëm në mënyrë të dukshme me ta. Në disa çaste të jetës njerëzore nuk pate mundësi të jesh, nuk pate mundësi të arrish. Më kujtohen, o Jezus, në mënyrë të veçantë Marta dhe Maria që këtë gjë e përjetuan me dhimbje të madhe. Në çastin kur kishin nevojë të madhe për ty ti nuk ishe afër tyre. Ato të çuan edhe fjalë se është i sëmur ai që ti do. Menduan se kjo mjafton që ti të lëvizësh dhe që të vish në çastin e sëmundjes afër Lazrit. Po të vishe ti, çdo gjë do të përfundonte mirë. Por ti në atë çast nuk erdhe, erdhe vetëm atëherë kur ato menduan së çdo gjë kishte përfunduar. Mirëpo, atëherë ti u zbulove si ringjallje dhe jetë. Këtë gjë ke mundësi ta realizosh në mënyrë të veçantë përmes ringjalljes sate dhe dhuratës së Shpirtit Shenjt.

Të falënderoj që na jep nga Shpirti yt. Është mrekulli ta ndjesh se ti vërtetë na del zot dhe na mbron. Është e mrekullueshme të ndjesh se ti kujdesesh për ne dhe kurrë më vendi yt afër nesh nuk do të jetë bosh që të mund të mendojmë se ti nuk kujdesesh për ne.

Të falënderoj, o Jezus, Zot, për bashkësinë e hirit në të cilën na udhëheq me anë të kësaj dhurate. Po bëhemi pjesëtarë të shtëpisë së Hyjit, qytetar të qiellit. Po na bën pjesëtar të dhuratës së jetës sate duke na ftuar në përqafimin e përjetshëm të Atit. Kështu më këtë dhuratë na fale çdo gjë. Vërtetë, ti kujdesesh plotësisht për ne, sepse çdo gjë e jotja është e jona. Së pari ti e more natyrën tonë njerëzore, dhe pastaj na ngrite në dinjitetin e bijve dhe bijave të Hyjit, na bëre pjesëtarë të atdheut tënd qiellor.

Më mëso që të lutem, o Jezus! Ashtu si Ti ju lute Atit dhe ne e morëm dhuratën e Shpirti Shenjt. Hape zemrën tonë që ta bëjmë një lutje të tillë që ta marrim edhe sot të njëjtën dhuratë, Shpirtin Shenjt.

 


Current track

Title

Artist