Shenjti i ditës: 20 Maj – Shën Bernardini nga Siena, rregulltar (1380 – 1444)
Written by Radio Maria on May 18, 2017
Shenjti i ditës: 20 Maj – Shën Bernardini nga Siena, rregulltar (1380 – 1444)
Publicistët kanë si mbrojtës të tyre shën Bernardinin. Ai ishte një predikues që dinte të gjente fjalët e efektshme dhe metaforat më të spikatura për të tërhequr vëmendjen e publikut. Pasanikëve koprracë, të veshur me petka të shtrenjta, u drejtohej kështu: “O ti që ke shumë veshje, më shumë se edhe vetë qepa, mbuloje trupin e të varfrit…! Të lidhur pas “gjërave mohojnë Hyjin për një kokë hudhër”. E dënonte koprracinë duke i quajtur “shpirtra pa krahë”, të paaftë për të fluturuar e për t’u shkëputur nga “veshjet tokësore”. Predikimet e tij popullore u transkriptuan me një sistem origjinal stenografik nga një dishepull i tij. Aty ndjehet mprehtësia e gjuhës së Dantes. Benardini qe lexues i kujdesshëm i tij gjatë studimeve rinore në universitetin e Sienës.
U lind në Masa Maritima. Pasi mbeti jetim në moshë të re, u rrit nga vëllezërit e të atit në Sienë. Aty përfundoi studimet klasike. I prekur nga një shprehje e Shën Jeronimit, ai filloi leximin e Biblës dhe bëri zgjedhjen përfundimtare duke hyrë në kuvendin sienez të fretërve minorë françeskanë. Pas shugurimit meshtarak mori lejen për të bërë jetë vetmitare në majën e Kapriolës. Por urdhri ndaj bindjes e hoqi shpejt nga vetmia. U emërua vikar i Toskanës dhe në vitin 1417 filloi shtegtimin e palodhshëm nga qyteti në qytet si predikues shëtitës. Suksesi ishte i madh. Merrte me vete tavolinat e famshme në të cilat ishte gdhendur emri i Krishtit dhe në fund të çdo predikimi ia drejtonte pjesëmarrësve për puthjen e përshpirtshme. Kundërshtuesit paqësor nuk i munguan akuza të dobëta ortodoksie për shkak të fjalorit të tij djegës. Por, ai qe gjithnjë një punëtor i paqes. Bëri çmos për bashkimin e Urdhrit të tij dhe harmoninë e qytetarëve. Vdiq gjatë misionit predikues në Akuila. Trupi i tij i vendosur në katedrale pikoi mrekullisht gjak. Qytetarët që ishin në grindje bënë paqe para trupit të tij dhe i ngritën një varr madhështor. Papa e shpalli zyrtarisht shenjt pas gjashtë vjetësh.