MEDITIMI I DITËS – SHENJA

Written by on May 18, 2017

Gjn 15, 18-21 SHENJA

 

Kërkoj hirin që ta kuptoj se nxënësi i vërtetë i Jezusit është shenja e Ungjillit në botë.

 

«Jezusi u tha nxënësve të vet: 18 “Nëse bota ju urren, ta dini se para jush më urreu mua. 19 Po të ishit të botës, bota do t’i donte të vetët.»

Tani, Jezusi ia drejton një qortim serioz nxënësve. Në botë ekzistojnë forcat e të keqit, që e kundërshtojnë çdo gjë që është e Jezusit. Nxënësit janë të parët që e pësojnë sulmin. Sido që të jetë shoqëria dhe bota, çfarëdo botëkuptimi të kenë, në to vepron Satani. Veprimtaria e tij paraqitet brenda dhe jashtë njeriut. Këtu, Jezusi flet për atë çka ndodh për së jashtmi dhe që shihet lehtë. Nxënësit nuk guxojnë të çuditen, as të befasohen kur të hasin në moskuptim dhe në urrejtje. Mësuesi tashmë ka kaluar nëpër këtë rrugë përpara nxënësve të vet. Për arsye të sjelljes se vet burimore, nxënësi e tërheq vëmendjen mbi vete. Ai është shenja e Ungjillit në botë. Shenja është e dukshme dhe dallohet prej rrethit. Pikërisht pse është shenjë, ajo mund të tregojë diçka. Po të mos tregonte, atëherë nuk do të ishte shenjë dhe do ta humbiste thelbin e vet.

Historia e Kishës e dëshmon në mënyrë të bollshme se si i urren bota nxënësit e Jezusit. Edhe Kisha në popullin shqiptar dhe në historinë e tij dëshmon fuqishëm se sa e verbër është urrejtja dhe sa fuqishëm u vërsul ajo mbi ata që besonin. Simboli i krejt vuajtjes dhe dhimbjes në popullin shqiptar janë Shërbëtorët e Hyjit. Prandaj, edhe janë bijtë e bijat më të denja të historisë së Kishës Katolike në popullin shqiptar. Prandaj, janë të shenjtë. Ata janë përngjasimi i Kishës në popullin shqiptar. Ata ishin të ndryshëm, jo pse iu mbush mendja ashtu, por për shkak të Shpirtit të Krishtit që i përfshiu plotësisht, sepse mbetën besnikë deri në fund të jetës së tyre. Ky ishte dallimi i tyre nga bota.

O Zot, më ndihmo që ta kuptoj dhe ta pranoj se jam nxënësi Yt dhe për këtë gjë jam shenjë kundërshtuese në botën, të cilës i përkas. Kjo është kështu, sepse unë jam i Yti. Kjo është kështu, sepse kështu të ndodhi edhe Ty. Mos lejo që kjo gjë të më befasojë apo që të ma humbasë guximin. Përkundrazi, mendimi që jam me Ty dhe si Ti, le të më përcjellë e të më bëhet ngushëllim dhe mbështetje në dëshmimin tim.

«E pasi nuk jeni të botës, ‑ pse unë ju zgjodha prej botës ‑ për këtë arsye bota ju urren. 20 T’ju bjerë ndër mend fjala që ju thashë: nuk është shërbëtori më i madh se zotëria i tij.»

Kur nxënësi i Jezusit e jeton Ungjillin, bota e dallon shumë shpejt. Ai jeton në botë, por nuk njëjtësohet me shpirtin e botës. Ai nuk lejon që bota ta formojë sipas dëshirës së vet. Nxënësi dhe besimtari merr qëndrim ndaj botës sipas shpirtit të Ungjillit. Ai noton kundër eres. Ecën kundër erës së padrejtësisë. Prandaj, fymëzon. E kritikojnë, e përqeshin dhe bota e urren. Prova më e mirë për ne besimtarët se a jetojmë në shpirtin e Ungjillit është qëndrimi i botës ndaj nesh. Nëse bota nuk na sheh dhe nuk e kundërshton stilin e të jetuarit tonë, kjo do të thotë se bota është bërë plotësisht e Hyjit ose ne e kemi përqafuar plotësisht shpirtin e botës. Ka shumë të ngjarë që të jetë kjo e dyta: jemi bërë njerëz të botës, nuk dallohemi prej botës, e kemi tradhtuar Ungjillin. Jemi bërë të vakët, pa shije dhe të tejdukshëm.

O Zot, më ndihmo që ta pyes vazhdimisht vetveten se sa është i pranishëm Shpirti yt në mua dhe sa i përngjaj shpirtit të botës. Shumë herë kam frikë të jem ndryshe. Kjo gjë më sjell kokëçarje dhe kërkon guxim. Kam frikë prej shikimeve të të tjerëve. Kuptimi më ndalon. Dua të rri në turmën e të barabartëve, të gjysmakëve dhe të atyre për të cilët gjithçka është njësoj. Do të më duhet të angazhohem më shumë për rrethin tim. Më ndihmo. Më duhet ta kuptoj se kjo është thjesht rruga e fesë dhe rruga e nxënësit Tënd. Ti ua the qartë këtë gjë nxënësve të Tu. Këtë gjë ma thua edhe mua: nuk është shërbëtori më i madh se zotëria! O Zotërues i jetës sime, dua t’i nënshtrohem vetëm asaj që e do Ti prej meje! Nuk guxoj që ta shndërroj fenë time në një hapësirë private. Do ta jetoj në mënyrë të njëjtë privatisht dhe publikisht.

«Nëse mua më salvuan edhe ju do t’ju salvojnë; nëse fjalën time e mbajtën, edhe tuajën do ta mbajnë.»

Zotërisë mund t’i përngjajmë më së shumti në refuzimin dhe përndjekjen që na e bën bota. Kjo është mënyra heroike e shkuarjes pas Jezusit. Ai dëshiron që nxënësit e vet t’i njëjtësojë me vetveten. Ajo gjë që i ndodh Atij, do t’i ndodhë edhe nxënësit të Tij. Përndjekja dhe refuzimi është rruga e Jezusit dhe e nxënësit të Tij. E njëjta gjë ndodh edhe me dëgjimin e Fjalës. Gjithmonë do të ketë njerëz që do ta dëgjojnë e do ta ruajnë Fjalën dhe do ta shpallin atë. Kështu ishte me Jezusin. Kështu do të jetë edhe me nxënësit e Tij.

Së pari, dëshiroj që unë të hapem para fjalës Tënde, që të mundem pastaj ta sjell tek ata që aq me mall e presin. Fjala Jote le t’i japë kuptim fjalës time, ashtu që të dëgjohet fjala që Ti dëshiron t’ia drejtosh botës së sotme.

«21 E të gjitha këto do t’i bëjnë kundër jush për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin Atë, që më dërgoi.»

Ti, o Zot, je i drejtpërdrejtë dhe i hapur. Nuk fshihesh, as nuk përligjesh. Të gjitha këto janë për shkak të emrit Tënd, të gjitha këto ndodhin, sepse nuk e njohim Atë që të dërgoi Ty. Ky është plani i Atit. Më këtë plan e shëlbove botën. Më ndihmo që të më përfshijë plani Yt.

 


Current track

Title

Artist