MEDITIMI I DITËS – DASHURIA DHE GËZIMI

Written by on May 16, 2017

Gjn 15, 9-11 DASHURIA DHE GËZIMI

 

Kërkoj hirin që gëzimi i Jezusit të jetë në mua.

 

«Jezusi u tha nxënësve të vet: 9 Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju. Qëndroni në dashurinë time!»

Nuk e di se sa e patën kuptuar nxënësit thellësinë dhe kuptimin e këtyre fjalëve të Jezusit në atë çast. Gjoni, sigurisht, i përjetoi thellësisht. Ai ishte jashtëzakonisht i hapur para fjalës së Jezusit. Ato vuloseshin në të. Prandaj, më vonë, do të shkruante ato gjëra që ishin ngulitur në kujtesën dhe në zemrën e tij. Kur do të mendonte më vonë për to, ai do ta kuptonte edhe më shumë domethënien dhe thellësinë e tyre. Këto janë fjalë të mrekullueshme: Jezusi i donte nxënësit e vet, ashtu sikurse Ati e do atë. Jezusi kërkonte prej nxënësve që të mbeteshin në dashurinë e Tij.

Po i dëgjoj, o Zot, këto fjalë. Më mëso që të hesht, në mënyrë që të mund ta dëgjoj atë çka ma thua. Më mëso që të jem i përqendruar, ashtu që ta përjetoj thellësinë e mësimit Tënd. Ti më do mua me dashurinë që të deshi Ati. Të falënderoj, o Dashuri hyjnore dhe besnike, që mendon për mua dhe më mbart. Të falënderoj që dashuria Jote e mirë është e pakufishme! Dua që të mbetem në dashurinë Tënde, që në këtë mënyrë Ti të rritesh në mua. Dëshiroj të të shikoj Ty. Do të doja me gjithë shpirt dhe me gjithë zemër ta dëgjoj dhe ta pranoj çdo fjalë ashtu siç e dëgjoi dhe e pranoi Gjoni, nxënësi yt besnik dhe i dashur.

«10 Nëse i mbani urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse edhe unë që i mbajta urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në të.»

Jezusi u paraqit si ideali, pas të cilit duhet të shkonin nxënësit e Tij. Ai është edhe ideali ynë, pas të cilit duhet të përpiqemi të shkojmë. Ai është shembulli ynë, i cili duhet imituar. Askush tjetër nuk e ka as të drejtën, as besueshmërinë, të flasë apo të paraqitet si shembull, pas të cilit duhet shkuar. Askush tjetër nuk mund të thotë për veten se i ka zbatuar urdhërimet e Hyjit dhe se ka qëndruar në dashurinë e Hyjit si Jezusi. Sikurse Ai i zbatoi urdhërimet e Atit dhe mbeti në dashurinë e tij, ashtu edhe nxënësit e Tij duhet t’i ruanin urdhërimet e Tij për të mbetur në dashurinë e Tij. Besnikëria e Tij ndaj Atit është shembulli që duhej ta ndiqnin nxënësit. Jezusi e dëshmoi deri në fund besnikërinë ndaj Atit, deri në flijimin e vet në kryq. Që kjo nuk ishte as e lehtë e as e thjeshtë, do të tregohej të njëjtën natë në kopshtin e Gjetsemanit, kur Jezusi do të lutej që, nëse ishte e mundur, ta largonte kelkun e mundimeve. Mirëpo, edhe në këto çaste të agonisë, Ai iu nënshtrua vullnetit të Atit dhe plotësoi kështu çdo gjë që Ati e kërkonte prej Tij. Që nxënësit të mbeteshin në dashurinë e Jezusit, ata duhej të ishin besnikë ndaj Zotërisë dhe t’i përdornin të gjitha fuqitë e veta duke u përpjekur që të shkonin pas Mësuesit të vet. Ata duhej t’i zbatonin urdhërimet, në mënyrë që në ta të mbetej dashuria e Tij. Këtu bëhet fjalë për dashurinë, e dashuria kërkon gjithmonë angazhim dhe gatishmëri të dhurimit personal. Kjo do të thotë ta pranosh Jezusin deri në fund dhe plotësisht. Jezusi nuk kërkon prej nesh vetëm një pjesë të zemrës ose të dashurisë. Ai e kërkon krejt zemrën dhe dashurinë. As masa e Tij ndaj nesh nuk është e pjesshme, as e vogël. Ajo është e plotë.

Të jesh me Jezusin, të mbetesh në dashurinë e Tij, nuk bëhet vetvetiu, por me gatishmërinë tonë për t’i pranuar dhe zbatuar urdhërimet e Tij. Neve nuk na pëlqen fjala urdhër. Na duket sikur kjo fjalë e ngushton hapësirën, si të ishte diçka e dhunshme, si të detyroheshim për të bërë diçka. Te Jezusi nuk është ashtu. Ai e vendos urdhrin e parë të Ligjit në dritën e dashurisë. Kjo është dashuria ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit. Të gjitha urdhërimet e tjera duhen shikuar në dritën e dashurisë. Nëse e zbatojmë në shpirtin e Jezusit, atëherë do ta ndjejmë shpirtin e lirisë së Tij.

A i zbatoj unë urdhërimet? A jam në dashurinë Tënde? A pyes për këtë gjë, o Zot, gjatë udhëtimit që bëj, gjatë kryerjes së detyrave, aty ku jetoj? A është e pranishme në mua dashuria Jote? Ti do që dashuria ime ndaj të tjerëve të jetë konkrete dhe e vërtetë. Nuk mjaftojnë fjalët dhe dhimbja që kemi për të tjerët. Më duhet që ta tregoj me vepra këtë gjë. Në lutje, në takimet me Ty, unë e gjej fuqinë që ta jetësoj dashurinë, në të cilën më thërret. Në lidhjen që e kam me Ty, bëhem i vetëdijshëm për dashurinë që ma dhuron e në të cilën jetoj. Ti ma dhurove gjithçka. Më tregove se çfarë duhet të bëj. Më ndihmo që të vij pas Teje, që dashuria Jote të jetë në mua.

«11 Jua thashë këto, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë.»

Ndërsa afroheshin çastet e arrestimit në kopshtin e ullinjve dhe fillimi i mundimeve, Jezusi fliste për përmasën e re që duhet t’i stoliste nxënësit e Tij. Këtu nuk bëhej fjalë vetëm për zbatimin e urdhërimeve dhe për zbatimin e dashurisë, të cilat i kërkonte Jezusi. Përveç dashurisë që duhej ta kishin për njëri-tjetrin dhe për Hyjin, që është pengu që tregon se kanë mbetur në dashurinë e Tij, Jezusi u tërhoqi vërejtjen se duhej të ishin edhe të gëzueshëm. Gëzimi është një nga shenjat e rëndësishme të nxënësve të Jezusit, pra, besimtarëve. Jezusi ia la paqen e vet nxënësve të Tij. Atyre, Ai u la, gjithashtu, edhe gëzimin e vet. Iu dhuroi gjithçka. Të gjitha këto ua tha që ta përjetonin në vetvete gëzimin e tij.

O Zot, ti na i dhurove të gjitha dhe gëzimi e mbushi qenien Tënde. Ti dëshiron që edhe ne të jemi si Ti, të jemi dhurues të gëzueshëm. Dhurimi i vetvetes kërkon vetëmohim. Në qoftë se nuk e bëjmë këtë gjë, atëherë mbyllemi në vetvete dhe çdo gjë kthehet kundër nesh. Kështu nuk mund të afrohemi te jeta e vërtetë, te dashuria e sinqertë dhe te gëzimi i përsosur. Ti je shembulli ynë, por pa ndihmën Tënde nuk mund ta kryejmë këtë gjë. Ji afër nesh dhe na ndihmo!

 


Current track

Title

Artist