Shenjti i ditës: 18 Maj – Shën Gjoni I, papë e martir (+526)

Written by on May 16, 2017

Shenjti i ditës:18 Maj – Shën Gjoni I, papë e martir (+526)

 

Imazhi i këtij pape projektohet mbi një faqe të trishtueshme të historisë së Kishës së Romës. Gjoni u lind në Toskanë. Në 15 gusht 523 u ngjit në selinë papnore. Në këtë kohë, Teodoriku, barbari arian, kishte marrë në zotërim Italinë duke e shpallur veten mbret të Romës. Perandori i Kostandinopojës, Justini, u shqetësua shumë për pavarësinë në rritje të mbretit të Gotëve, që ishin arianë. Për këtë arsye, në vitin 524 nxori një edikt me të cilin urdhëronte mbylljen e kishave ariane dhe ua ndalonte heretikëve që të merrnin detyra civile e ushtarake. Teodoriku e quajti papën e ri bashkëpunëtor të këtyre masave. E thirri në Ravenë dhe e urdhëroi të shkonte në Kostandinopojë për ta bindur perandorin që t’i tërhiqte ligjet kundër arianëve.

            Poshtërimi i papës, që detyrohet të marrë urdhra nga një mbret barbar, u pakësua nga shenjat e gëzimit të të krishterëve të Korno d’Oros. Aty i dolën përpara pesëmbëdhjetë mijë njerëz me qirinj të ndezur dhe e shoqëruan deri te pallatet perandorake. Justini e mirëpriti kërkesën për t’ia kthyer kishat e konfiskuara arianëve, por vetëm i përjashtoi nga detyrat publike ata katolikë që pasi e kishin braktisur herezinë ariane kishin rënë sërish në të. Teodoriku dyshues, me qëllim që t’i jepte një paralajmërim të parë papës, u preu kokën dy njerëzve me kulturë të madhe në kishën romake, Boecit e Simakut. Dhe kur papa Gjoni hyri në Romë, ai e burgosi dhe e torturoi për faktin e vetëm se u mirëprit me shumë solemnitet nga perandori. Keqtrajtimi dhe uria e pësuar në burg ia shkurtuan jetën papës. Ai vdiq po atë vit kur u kthye nga Kostandinopoja.


Current track

Title

Artist