MEDITIMI I DITËS – HARDHIA DHE SHERMENDI
Written by Radio Maria on May 16, 2017
Gjn 15, 1-8 HARDHIA DHE SHERMENDI
Kërkoj hirin që ta thelloj vazhdimisht njësinë dhe lidhjen me Jezusin.
«Jezusi u tha nxënësve të vet: 1 “Unë jam hardhia e vërtetë, e im Atë është vreshtari. 2 Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron, që të japë më shumë fryt.»
Nxënësit e njihnin shumë mirë krahasimin që po ua tregonte Jezusi. Profetët dhe Psalmet e paraqesin shumë herë Dashurinë e Hyjit për popullin e zgjedhur me krahasimin e vreshtit. Sikurse vreshtari i mirë kujdeset shumë për vreshtin e tij, kështu edhe Hyji u kujdes për popullin e vet. Jezusi e zgjeroi këtë përngjasim. Nuk ekziston më një popull i zgjedhur i Hyjit. Jezusi erdhi për të gjithë njerëzit. Vreshti është Kisha që u përhap në mbarë botën. Hyji vepron në të. Jezusi është i pranishëm në të. Lidhja mes nesh dhe Jezusit i përngjan lidhjes së shermendit me hardhinë. Kujdesi i vreshtarit për hardhinë dhe shermendin është përngjasimi i kujdesit të Hyjit për ne. Ati është vreshtari. Ai kalon nëpër vreshtin e vet dhe shikon çfarë duhet bërë për të. Kushdo që ka pasur rastin të merret me vreshtari, e kupton plotësisht këtë mësim të Jezusit. Në fund të vjeshtës, ai kalon dhe ia bën shartimin e parë çdo hardhie që duket e vdekur, i djeg mbeturinat dhe kështu e pastron vreshtin. Në të njëjtën mënyrë, në kohën e pastrimit në pranverë, ai e pret sërish, e pastron çdo pjesë të tepërt nga degët e hardhisë, çdo gjë që e pengon hardhinë për ta dhënë frytin e duhur. Vreshti, që nuk pastrohet, lëshon degë të tepërta dhe mbushet përplot me fletë.
O Zot, Ti ma jep jetën. Pa Ty, edhe në mua, çdo gjë do të ishte e vdekur. Ti je kuptimi i jetës time. Pa ty, çdo gjë është pa qëllim dhe pa kuptim. Ti ma jep forcën dhe mundësinë. Pa Ty, nuk do të kisha asnjë mundësi për të shkuar përpara me këtë kryq dhe do t’i nënshtrohesha çdo tundimi. Të falënderoj që mund të jem me Ty. Të falënderoj që Ti je afër meje! Më pastro nga çdo gjë që është e tepërt në mua dhe më pengon që të bashkohem plotësisht me Ty. Pastroje gjakun tim të papastër, digje çdo gjë të tharë dhe të prishur, ashtu që me të gjitha fuqitë ta jap frytin që Ti e pret prej meje.
3 Tashmë ju jeni të pastruar me anën e fjalës që ju thashë. 4 Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua.»
Jezusi kërkonte prej nxënësve të vet që të ishin të vetëdijshëm se Ai ishte në mesin e tyre. Për më tepër, priste prej tyre që të besonin se Ai është gjithmonë me ta. Iu duhej të mbeteshin në Të, në mënyrë që Ai të mund të ishte në ta. Vetëm në këtë lidhje të fuqishme me Të, ata do të jepnin fryt. Përndryshe nuk do bënin dot asgjë. Vetëm në bashkim me Jezusin, ata do të ishin të frytshëm dhe të pasur. Krahasimi ishte shumë i qartë dhe sugjestiv: sikurse shermendi nuk prodhon asgjë pa hardhinë, por mbetet i vdekur, pa fryt, ashtu edhe nxënësit nuk mund të bënin asgjë pa Jezusin. Ata do ta përjetonin konkretisht gjatë jetës këtë gjë. Pa Jezusin, do të jenë të humbur, të frikësuar dhe pa fryt. Juda, që u nda plotësisht prej Tij, quhet «bir i bjerrjes».
O Zot, të njëjtën fjalë ma drejton edhe mua. Të falënderoj që edhe unë mund të jem i lidhur me Ty sikurse shermendi në hardhi. Ti je gjithçka e imja. Çdo shkëputje prej Teje dhe çdo largim prej Teje, shkakton rëniet e mia, lëndimet dhe frytin e vogël. Cilësia e jetës time të brendshme varet nga lidhja që e kam me Ty.
«5 Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. 6 Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen.»
Jezusi e theksoi sërish përngjasimin e hardhisë dhe shermendit. Ai donte që nxënësit e Tij ta kuptonin këtë gjë, që ishte pafundësisht e rëndësishme për jetën e tyre. Ta harronin këtë gjë ose të mos e merrnin seriozisht, do të thoshte ta ndëshkonin vetveten. Pa Jezusin, ata nuk mund të bënin asgjë. Pa Jezusin, secili prej tyre nuk do të ishte tjetër përveçse një shermend i prerë, që, pastaj, do të bashkohej me të tjerët dhe do të hidhej në zjarr. Të jesh i lidhur me Jezusin, do të thotë të jesh i frytshëm. Fryti tregohet në shenjtërinë e jetës, në besnikërinë ndaj urdhërimeve, sidomos ndaj urdhrit të dashurisë, të cilin Jezusi e theksoi aq shumë, pikërisht, gjatë Darkës së fundit.
Bëj, o Zot, që të jem në Ty dhe Ti në mua. Pa Ty, nuk mund të bëj asgjë. Më ndihmo që të dhurohem dhe të ofrohem. Më prano dhe më përdor. Dua të hapem plotësisht para dashurisë sate.
«7 Nëse mbeteni në mua, dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni gjithçka të doni dhe do t’ju jepet. 8 Me këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt e dëftoheni nxënës të mi.»
Sikurse Jezusi e bëri gjithçka për lavdinë e Atit, Ai donte që edhe nxënësit e Tij ta bënin të njëjtën gjë. Këtë gjë e kërkon edhe prej secilit prej nesh që besojmë në Të. Asnjëherë nuk duhet të ndalem, askurrë nuk guxoj të mendoj se punova mjaft për Hyjin. Jeta ime duhet të jetë lavdi e përhershme e Hyjit. «Lavdia e Hyjit është njeriu i gjallë», thoshte Shën Ireneu. Ne e lavdërojmë Hyjin me jetën tonë. Me frytin që e prodhojmë, tregojmë se jemi nxënësit e Jezusit. Çfarë cilësie ka jeta ime? Cilat janë frytet që i jap? A jeton Jezusi në mua, në mendimet e mia, në lutjen time, në dashurinë time dhe në vuajtjet e mia?