MEDITIMI I DITËS – LUFTA E VAZHDUESHME

Written by on May 15, 2017

Gjn 14, 27-31 LUFTA E VAZHDUESHME

 

Kërkoj hirin që të mos shqetësohet zemra ime, por të besoj në paqen që ma jep Jezusi.

 

«Jezusi u tha nxënësve të vet: 27 Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota.»

Jezusi i tha këto fjalë të Enjten e Madhe. Të përpiqemi që ta përjetojmë atmosferën që mbretëronte në dhomën e Darkës së fundit. Tashmë është themeluar Sakramenti i Eukaristisë dhe i Urdhrit të shenjtë. Juda doli që ta zbatonte vendimin për ta tradhtuar Jezusin. Jezusi i tha edhe Pjetrit që edhe ky do ta mohonte. Po kalonin çastet e fundit të jetës së Jezusit në mesin e nxënësve të tij. Ky ishte çasti më i volitshëm që t’u fliste për paqen, të cilën vetëm Ai mund ta japë. Ai iu foli për atë gjë, për të cilën kishin më së shumti nevojë në atë çast. Ata kishin nevojë për paqen e vërtetë. Nxënësit ishin të tronditur dhe të shqetësuar. Jezusi e thoshte gjithçka në mënyrë të qetë, duke ua dhuruar. Ai nuk u ngut aspak. Nuk këmbëngulte në ndonjë gjë që do t’i shqetësonte. Iu foli për dashurinë që duhet ta kishin në zemër për Të dhe për Atin. Kërkonte prej tyre që t’i shërbenin njëri-tjetrit, që të ishin të përvuajtur dhe kërkonte që në mesin e tyre të mbretëronte dashuria. Të gjitha këto ishin të nevojshme për një jetë cilësore. Jezusi i bëri të vetëdijshëm për këtë gjë. Nuk dëshironte t’i shqetësonte me ato gjëra që do të fillonin të ndodhnin pas pak orëve. Jezusi ishte i qetë dhe iu dorëzua deri në fund dërgimit të vet. Prandaj, Ai mund t’u fliste për paqen nxënësve të vet që ishin të shqetësuar. O Zot, të gjithë ne, po të ishim në vendin Tënd, do të mendonim vetëm për veten tonë dhe do të kërkonim ngushëllim nga të tjerët. Do të qanim për fatin tonë jetësor ose ndoshta do ta nënçmonim gjithçka rreth nesh për të treguar guximin dhe trimërinë tonë. Ti nuk veprove kështu. Nuk qave aspak për fatin e jetës Tënde, nuk e nënçmove çka po ndodhte rreth Teje. Në thellësinë e zemrës Tënde, e ndjeve paqen dhe dëshirove që këtë paqe t’ua dhuroje edhe nxënësve të Tu. Ua dhurove paqen Tënde, që buron nga zemra Jote. Kjo është paqja që bota nuk mund ta japë, sepse nuk e ka. Jo, Ti nuk e ofron ndonjë formulë «magjike» apo ndonjë recetë të paqes. Nuk ka asgjë të tillë në dhuratën e paqes Tënde. Paqja jote vjen prej «një vendi tjetër». Kjo paqe nuk është një fjalë, një parullë, as një demonstratë. Ti e vendos atë në zemrat tona, që janë banesa e vetme e denjë e paqes Tënde.

Edhe zemra ime është e shqetësuar dhe e frikësuar. Vetëm në Ty, mund ta gjejë prehjen dhe paqen. Më mbush me paqen Tënde, o Zot.

«Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet. 28 Ju dëgjuat se ju thashë: ‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’. Po të më donit, do të galdonit se po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë.»

Sa shumë mendonte Jezusi për nxënësit e vet dhe sa dëshironte që t’i ngushëllonte ata! Sa shumë dashuri dhe ngushëllim kanë fjalët e Tij: «Mos t’ju shqetësohet zemra!» Do t’i përsëris këto fjalë të Jezusit, aq sa të më nguliten në mendje e të më mbetën në zemër. Jezusi i shqipton dhe m’i drejton mua. Ai nuk dëshiron që unë të jem i shqetësuar, as i frikësuar.

O Zot, Ti nuk je i pranishëm në mesin tonë në mënyrë të dukshme dhe pikërisht për këtë gjë ne shpeshherë ndjehemi të shqetësuar dhe të frikësuar. Jemi të shqetësuar për gjithçka që ndodh në rrethin tonë. Na duket se bota bëhet gjithnjë e më e paqetë dhe e pasigurt. Fuqitë e së keqes janë të forta dhe veprojnë duke rrënuar. Ndjehemi të paaftë dhe të papërgatitur për të luftuar. Më me ëndje, do të tërhiqeshim në «botën tonë». Ti dëshiron që, pikërisht për arsye të kësaj situate, ne të mbetemi në botë. Ti shkove tek Ati jo që tani të jesh larg nesh, por që të ndërmjetësosh për ne. Kjo gjë duhet të na japë siguri dhe të na nxisë sa herë që mendojmë se jemi të vetmuar dhe të lëshuar në duart e fuqive të këqija. Ti fitove mbi çdo gjë që mund të na robërojë. Prandaj, as nuk duhet të shqetësohemi e as të frikësohemi. Ti je siguria jonë.

O Zot, më duhet të besoj më shumë dhe të shpresoj në Ty. Ti ma dhurove paqen Tënde. Ti më ngushëllove dhe më qetësove. Ti je me mua e nuk ka çfarë të më bëjë askush.

«29 Ju thashë tani ‑ para se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë. 30 S’do të flas më shumë me ju, sepse po afrohet princi i botës. Ai kundër meje s’mundet asgjë. 31 Por, që ta dijë bota se e dua Atin dhe se bëj ashtu si më urdhëroi Ai.»

Jezusi i përgatiti nxënësit e vet për ngjarjet që do të vinin. Aq shumë i donte dhe mendonte për ta, saqë dëshironte që t’i ruante nga dëshpërimi i madh. Princi i kësaj bote lufton për mbretërinë e të keqes. Qëllimi i tij është njeriu, të cilin dëshiron ta zotërojë. Nxënësit kanë bërë një luftë të ashpër dhe pa kompromise kundër princit të kësaj bote. Edhe Jezusi, gjatë gjithë jetës së vet publike, e drejtoi luftën e vet kundër princit të kësaj bote. Kështu do të jetë deri në përfundimin e kohërave, deri tek ardhja përfundimtare e Jezusit. Edhe pse ndonjëherë na duket se i keqi është vërtet i fuqishëm dhe se e ka në dorë pushtetin e kësaj bote, duhet të na ngushëllojnë fjalët e Jezusit: «Kundër meje nuk mund të bëjë asgjë!»

Ti, o Zot, korre fitore mbi princin e kësaj bote. Paqja jote e brendshme dhe forca vijnë nga Ati dhe dashuria që ke për Atin. Ti je një me Atin. I zbatove me besnikëri urdhrat e Tij, prandaj je i qetë dhe i sigurt në fitoren përfundimtare mbi të keqin. Me ndihmën Tënde, edhe unë do ta kundërshtoj princin e kësaj bote. Më ndihmo që, edhe pranë humbjeve dhe rënieve, të mos e humbas kurrë shpresën në fitoren përfundimtare.

 


Current track

Title

Artist