Shenjti i ditës: 16 Maj – Shën Pelegrini, ipeshkëv i Okserit, martir (+304)

Written by on May 15, 2017

Shenjti i ditës: 16 Maj – Shën Pelegrini, ipeshkëv i Okserit, martir (+304)

 

Sot, në kalendarin e krishterë përkujtohen dy shenjtër me këtë emër. Janë dy ipeshkvij që kanë jetuar në kohën e përndjekjeve gjatë tre shekujve të parë. Njëri prej tyre është ipeshkvi i Okserit në Gali (Franca e sotme). Ai u martirizua në vitin 304. Ky vit numëron aradhën më të madhe të martirëve gjatë perandorisë së Dioklecianit. Shën Pelegrini tjetër vdiq në vitin 138. Ai ishte ipeshkvi i Ternit dhe përkujtohet se i ka dhënë qytetit umbrian katedralen e vet. Që të dy ishin romakë. Ata u dërguan si misionarë në selitë përkatëse të papës. Ipeshkvi i Okserit qe në fakt i pari ungjillëzuesi i qytetit dhe bariu i bashkësisë së parë të krishterë ende para se të formohej selia ipeshkvnore.

Lajmet që i përkasin atij na vijnë nga vepra ‘Mundimi i Pelegrinit’ (Passiio Peregrini) që na del në shekullin VII. Aty thuhet se papa Siksti II e dërgoi meshtarin romak Pelegrinin me disa shokë për t’u ndihmuar të krishterëve në Gali, të cilët ishin goditur rëndë nga autoriteti perandorak. Para se të niseshin, ai e shuguroi atë ipeshkëv. Pelegrini, pas predikimeve në Autricus (Okser), e zgjeroi fushën e misionit të vet në Interami. Atje shkoi në ditën kur në qytet kremtoheshin festat vjetore në nder të Jupiterit. Ishte çasti më i pavolitshëm për t’u predikuar Ungjillin, por Pelegrini dëshiroi të rrezikonte. E kapën menjëherë dhe e tërhoqën zvarrë para altarit të atit të hyjnive për ofertën rituale. Pasi refuzoi, u torturua ashpër. Dhe pasi vazhdonte të shpallte me zë të lartë para popullit se ishte lajmëtar i Hyjit të vetëm, ai u çua para perandorit që ishte për vizitë në qytet. Aty e morën sërish në pyetje, e frushkulluan dhe në fund ia prenë kokën. Trupi i martirit u varros në Kishën e Buit. Në shekullin VII, trupi i tij u ribashkua në abacinë e Shën Dionisit.


Current track

Title

Artist