MEDITIMI I DITËS – VENDI I DASHURISË

Written by on May 14, 2017

Gjn 14, 21-26 VENDI I DASHURISË

 

Kërkoj hirin që të besoj në Shpirtin e Hyjit që vepron në mua, në Kishë dhe në mbarë botën.

 

«Jezusi u tha nxënësve të vet: 21 Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do; dhe atë që më do mua, do ta dojë edhe Ati im, edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem.»

Në çastet kur Jezusi përgatitej që të shkonte, atëherë kur e kishte vdekjen krejtësisht afër, Ai foli për dashurinë. Ai e dinte se njëri prej nxënësve të tij, atë natë, do ta tradhtonte Dashurinë. Ndërsa ne, në një situatë të tillë, dëshpërohemi, ndjehemi të shtypur, të humbur dhe mendojmë vetëm për vete, Jezusi nuk është i tillë. Edhe pse miku i Tij e tradhtoi dhe e shiti, Ai nuk doli jashtë vetes e as nuk e gjykoi. Përkundrazi, u mundua që t’ua tregonte vlerën e dashurisë atyre që ishin me Të.

Ai iu tha miqve të vet se dashuria ndaj Tij tregohet duke i pranuar urdhërimet e Tij. Ta duash Jezusin, por jo vetëm me fjalë. Të jesh nxënës i Jezusit dhe ta duash Jezusin, nuk do të thotë të kalosh nëpër këtë botë i pakujdesshëm dhe pa përgjegjësi. Kjo nuk do të thotë të tregosh lavdinë gjatë marrjes së Sakramenteve dhe pastaj të mos bësh asgjë tjetër. Kjo nuk do të thotë të takohesh me Të vetëm në Pagëzim, në Kungimin e parë, në Përforcim e ndoshta në Kurorëzim. Ai që vjen në kishë vetëm për të kremte të mëdha, nuk është as nxënës e as besimtar që beson në Jezusin. Urdhërimet nuk mbahen kështu e as kjo nuk është dashuria ndaj Jezusit.

Jezusi do që ta duam. Ai e kërkon këtë gjë për lumturinë tonë. Vetëm dashuria ndaj Tij i jep kuptim të gjitha dashurive tona. Edhe kur dëshpërohemi me të tjerët, kur ata na tradhtojnë, ne mund të jemi të sigurt se Jezusi mbetet besnik. Edhe atëherë kur ne nuk ia dalim dhe jemi të pabesë, Ai mbetet besnik. Këtu është mrekullia e dashurisë së Tij. Vetëm në dashurinë që e kemi për Të, ne mund të jemi të sigurt se Ai do të na përgjigjet. Dashuria ndaj Tij krijon në ne vendin ku banon Jezusi, Ati qiellor dhe Shpirti Shenjt. Të gjitha këto na tregojnë se sa afër e kemi Hyjin tonë, sa afër nesh është Hyji, Hyji në ne.

22 I tha Juda, jo ai Iskarioti: “Zotëri, [e] ç’ndodhi që do të na dëftohesh neve e jo botës?” 23 Jezusi iu përgjigj: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë.»

Çfarë sillej në mendjen e Judës kur mendonte për dëftimin e Jezusit? Ndoshta në diçka të ngjashme me paraqitjet e Hyjit që përshkruhen në Besëlidhjen e Vjetër? Mos ishte kjo dëshira e fshehtë që Jezusi ta tregonte pushtetin dhe më në fund të dihej se kush ishte Ai? Përse Jezusi duhej t’u dëftohej vetëm nxënësve e jo botës? Ishte e rëndësishme që Ai t’i dëftohej botës, që njerëzit ta shihnin dhe ta kuptonin se kush ishte Ai. Mirëpo, Jezusi mendonte ndryshe. Ai iu përgjigj Judës me një dëftim tjetër nga ai që e prisnin nxënësit e Tij. Përgjigjja e Jezusit për dëftimin e Tij kishte të bënte me dashurisë e jo me ngjarjet spektakolare, të cilat ne, në njëfarë mënyre, i dëshirojmë. Dëftimi i Hyjit bëhet në zemrën e njeriut. Ai vendoset në sferën e dashurisë dhe në atmosferën e besimit. Hyji vjen në zemrat e atyre që besojnë në Të. Besimi nuk i nënshtrohet ligjit të reklamës, spektaklit dhe përfitimit material. Nuk ka dashuri në këto gjëra, sepse aty bëhet luftë e pamëshirshme, zotëron e drejta e më të fortit, më të pasurit dhe më të shkathëtit. Aty nuk mund të qasen të gjithë dhe nuk ka mirësi për të varfrit dhe të nëpërkëmburit. Hyji nuk banon aty ku nuk ka dashuri. Ai nuk dëftohet aty. Hyji dëshiron t’i dëftohet çdo njeriu, pa asnjë dallim. Ai do që të banojë në çdo njeri.

Të falënderoj, o Zot, që vjen te çdo njeri. Ti nuk dëshiron që ta bësh banesën tënde te njerëzit në mënyrë të dhunshme dhe me çdo kusht. Ti the se rri para derës duke trokitur dhe pret. Ti vjen tek ai që të dëgjon dhe ta hap derën. Ti e nderon lirinë e çdo njeriu, dashurinë dhe gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Ty. Ai që do ta dëgjojë fjalën Tënde, me këtë gjë e tregon dashurinë që ka për Ty. Kjo është shenja se kontakti u bë dhe se je i mirëseardhur. Të falënderoj që dëshiron të banosh në brendinë time. Bëj që të jem besnik ndaj fjalës Tënde, lutjes, sepse aty do të më gjesh dhe në këtë atmosferë do të vendosesh në mua.

«24 Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, ‑ e Atit.»

Jezusi e lidh dashurinë ndaj vetvetes me dëgjimin e fjalës së Tij. Ky është komunikimi themelor në të cilin ndërtohet çdo gjë tjetër. Ai që nuk e dëgjon porosinë, ai që nuk e pranon fjalën, nuk mund ta vendosë komunikimin me Të. Atje ku nuk dëgjohet dhe nuk ruhet fjala, nuk mund të ketë as dashuri. Jezusi e dëshmon Atin me fjalën e vet, me atë çfarë flet. Atë gjë që e thotë, ajo është porosia e Atit. A e dëgjoj unë fjalën e Jezusit? A e ndërton fjala e Tij marrëdhënien mes meje, Jezusit dhe Atit?

«25 Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. 26 E Shpirti Shenjt ‑ Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka [unë] ju thashë.»

Jezusi po shkonte. Nxënësit dhe besimtarët nuk ishin vetëm, pa ndihmë e pa kujdes. Pas shkuarjes së Tij, Shpirti do t’i ndihmonte nxënësit dhe besimtarët në një mënyrë të re për ta jetuar Ungjillin, për ta shpallur e për ta dëshmuar. Jo, nuk jemi të vetmuar. Shpirti i Hyjit është në ne dhe me ne. Ai është forca, ndihma dhe frymëzimi ynë. Ai vepron brenda nesh. A jam i vetëdijshëm se e kam pranuar Shpirtin Shenjt dhe se është në mua? A llogaris në Shpirtin Shenjt?

 


Current track

Title

Artist