MEDITIMI I DITËS – SHTËPIA E ATIT
Written by Radio Maria on May 11, 2017
Gjn 14, 1-6 SHTËPIA E ATIT
Kërkoj hirin që Jezusi të jetë Rruga, e Vërteta dhe Jeta ime.
«1 Jezusi tha: “Mos t’ju shqetësohet zemra! Besoni në Hyjin edhe në mua besoni!»
Disa gjeste dhe fjalë të Jezusit, gjatë Darkës së fundit, i tronditën dhe i shqetësuan nxënësit e Tij. Diçka po përgatitej. Mendime të ndryshme zunë vend në zemrat e nxënësve. Nuk mund ta dinin se çfarë do të ndodhte. Kjo gjë i shqetësonte dhe i frikësonte edhe më shumë. Jezusi e paralajmëroi tradhtinë e Judës dhe mohimin e Pjetrit. Tradhtari ishte njëri prej tyre. Jezusi foli për shkuarjen e vet. Pjetri dëshironte që të shkonte menjëherë pas Tij. U shqetësua kur Jezusi i tha se nuk mund të shkonte pas Tij në atë çast. Çdo gjë iu dukej e mistershme dhe e pakuptueshme. Prandaj, Jezusi dëshironte që ta forconte besimin e tyre.
Gjatë Darkës së fundit, Ai i shihte nxënësit e vet ndërsa ishte ende me ta. Mendonte për ata. E dinte se si do të silleshin pas pak orëve: të gjithë do të shpërndaheshin. Në atë çast, ata nuk ishin të vetëdijshëm se çfarë i priste. Ishin të shqetësuar. Ai i ngushëllonte, i kuptonte zemrat e tyre.
O Zot, kur Ti vetë pate nevojë për mbështetje dhe për ndihmën e të afërmit, nuk mendove për veten, por për nxënësit. Deshe t’i ngushëlloje dhe t’ua forcoje fenë. Të falënderoj që gjithmonë je i kthyer kah të gjithë ata që janë në nevojë. Të falënderoj që na e zbulon Hyjin që mendon për bijtë e vet. Të falënderoj që na e tregon se sa angazhohet Ati ynë qiellor me ne. Ai nuk është Hyj i ftohtë dhe pa ndjenja, Hyji që nuk interesohet për ne. Ai mendon për ne, ndjen me ne, plagoset me plagët tona dhe vuan së bashku me ne. Bëj që të besojmë se si Ti je me ne pikërisht atëherë kur vuajmë dhe kemi vështirësi. Vetëm me anë të fesë mund të fitoj mbi dobësinë, mund ta përjetoj paqen që ma dhuron. Forcoje besimin tim. Bëj që ta dëgjoj në thellësi të shpirtit fjalën që ma drejton «Mos t’ju shqetësohet zemra! Besoni në Hyjin edhe në mua besoni!»
«2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’ju thoja: ‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’? 3 Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.»
Jezusi foli shumë thjesht për kthimin e vet tek Ati. Është njësoj si në rastin kur ne jemi larguar për një kohë të gjatë nga shtëpia, e pastaj vendosim që të kthehemi sërish aty dhe për këtë flasim me miqtë tanë. Edhe pse Jezusi e dinte se e çfarë do të përjetonte dhe se me çfarë vdekjeje do të vdiste, Ai i konsideronte të gjitha këto si kthim në shtëpinë e Atit. Gjatë kësaj kohe, nuk mendonte për veten, por për nxënësit e vet dhe i ngushëllonte ata. Ai shkoi tek Ati për ta përgatitur banesën për të gjithë ata që do të shkojnë në atë shtëpi pas Tij. Këto janë fjalë ngushëlluese jo vetëm për nxënësit e Jezusit atëherë, por edhe për të gjithë ne sot. Zotëria shkoi që të na e përgatisë vendbanimin e amshuar. Të falënderoj, o Zot, që do ta gjejmë sigurinë në shtëpinë e Atit tonë. Të falënderoj që nuk kemi nevojë të mendojmë për shtëpi. Tek Ati ka shumë banesa dhe secili do ta ketë shtëpinë e vet. Nuk do të jemi në shtëpi të huaj, të përndjekur, as të pashtëpi. Më në fund, secili prej nesh do ta gjejë vendin dhe shtëpinë e vet që Ti na e bëre gati. Të falënderoj për shtëpinë time dhe të të gjithë atyre që i dua, të cilët do të jenë në shtëpinë e Atit tonë. Kur Ti erdhe te ne, në Betlehem, nuk pati vend për Ty, ndërsa tani, Ti shkon për të na e bërë gati shtëpinë. Të falënderoj, o Zot!
Ti do të vish që t’i marrësh nxënësit e Tu te vetja. Këto janë fjalë ngushëllimi, fjalë të buta dhe të një mirësie të pafund. Ti do të vish për të na marrë të gjithëve. Dëshiron që të na kesh të gjithëve pranë vetes. Ti nuk do që të jesh i izoluar dhe i vetmuar, por së bashku me ne. Nuk dëshiron që të jesh në qiellin e largët, në dritën e paafrueshme, por dëshiron që ne të jemi afër Teje. Të falënderoj për këto fjalë të zakonshme e të thjeshta, që në vetvete kanë mirësinë dhe butësinë. Të falënderoj që dëshiron ta ndash me të gjithë ne jetën e pasosur në qiell. Prandaj, zemra jonë nuk guxon të shqetësohet.
«4 Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.” 5 “Zotëri ‑ i tha Toma ‑ Ne s’dimë kah po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?»
Ti e hap udhën. Ti kalon i pari nëpër këtë rrugë dhe bën që nëpër të, në mënyrë të sigurt, të shkojmë në qiell. Edhe ne, si Toma, shumë herë nuk e dimë udhën, nuk shohim në cilën anë duhet të shkojmë. Mirëpo, pranë nesh janë gjithmonë njerëzit që udhëtojnë drejt Teje. Na duhet që t’u bashkohemi atyre që udhëtojnë me Ty, sepse të vetmuar nuk do ta gjejmë udhën. Më ndihmo që Të afrohem më afër dhe të rri në udhën Tënde!
«6 Jezusi u përgjigj: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. Askush nuk shkon tek Ati përveçse nëpër mua.»
Po, Ti je Rruga. Por, Ti nuk je rruga e gjerë, por rruga e ngushtë, e vështirë, nëpër të cilën shpesh nuk dua të ec. O Zot, unë e di se je afër meje, e di se udha ka mjaft vend që të udhëtojmë krah për krah me njëri-tjetrin. Të falënderoj që udhëton së bashku me mua. Të falënderoj që më udhëheq drejt Atit.
Gjithashtu, Ti je e Vërteta që nuk ka frikë nga gënjeshtra, edhe pse duket se gënjeshtra korr fitore dhe mbretëron mbi të Vërtetën. Ty, që je e Vërteta, të njohin të gjithë ata që janë nga e Vërteta. Dëshiroj të jem pranë Teje, dëshiroj të besoj në Ty.
Ti je Jeta, plotësia e jetës, kuptimi i saj, fillimi dhe mbarimi. Ti je jeta që ia vlen ta jetojmë. Më ndihmo që të kuptoj se sa e rëndësishme është të jetoj mirë e jo vetëm ta kaloj këtë jetë vetëm sa për ta kaluar. Unë e kam vetëm një jetë dhe më duhet ta shfrytëzoj mirë. Më ndihmo që t’ia dal në këto dëshira! Bëj që ta jetoj në Ty jetën e re!