Shenjti i ditës: 12 Maj, Shën Epifani ipeshkëv (315 – 403)

Written by on May 11, 2017

Shenjti i ditës: 12 Maj, Shën Epifani ipeshkëv (315 – 403)

 

Epifani shërbeu si ipeshkëv në dioqezën qipriote të Kostancës (Salamina). Ai është një emër i dalluar në historinë e Kishës në një kohë lulëzimi, e cila njihet për praninë e njëkohshme të njerëzve me nivel të lartë kulturor e shpirtëror. Lista përfshin numrin më të madh të Etërve grekë e latinë. Mes atyre latinë mjafton të kujtojmë Shën Agustinin e Shën Jeronimin. Me të dytin Epifani qe mik e shok udhëtimi nga Palestina deri në Romë.

Ipeshkvi i shenjtë luftoi në mënyrë të veçantë origjenizmin, një grumbull gabimesh që i visheshin (jo gjithnjë me të drejtë) Origjenit. Ai, një shekull më parë, ishte përpjekur t’i jepte një shprehje shkencore të vërtetës së fesë, duke iu drejtuar ajkës së kulturës helenike. Epifani e kundërshtoi me vrullin e polemistit të rreptë dhe shpesh këmbëngulës, mbi të gjitha me shkrimet e shumta me karakter doktrinar.

Në personin e teologut luftëtar gjendet edhe figura e dashur dhe njerëzore e bariut të mirë dhe ajo e soditësit të Hyjit. Ashtu si miku i tij Jeronimi, edhe ai parapëlqente vetminë e eremitit, por u gjend pa dëshirë mes përleshjesh. Kishte lindur në Palestinë nga prindër të krishterë. Pas vdekjes së të atit, u birësua nga një hebre i pasur, Trifoni. Pasi u bë zotërues i trashëgimisë, ia dha një pjesë së motrës, Kalitropës, dhe gjithë pjesën tjetër ua shpërndau të varfërve para se të mbyllej në një kuvend.

Nga shkrimet e tij del se ai ka qëndruar një kohë në Egjipt, toka e premtuar e monakizmit. Ngazëllimi i Epifanit për këtë përvojë në kuvend mbeti i pandryshuar edhe pas zgjedhjes së tij ipeshkvnore, që ndodhi në vitin 376. Ai e ruajti mënyrën e jetës së murgut, thjeshtësinë e veshjes, vetëpërmbajtjen në ushqime dhe dashurinë për përqendrim e vetmi që thyhej vetëm nga kërkesat e bariut epror. Sa për të mos humbur zakonin, ai themeloi kuvende të ndryshme në Qipro. Shkrimet e tij teologjike, në të cilat trajtoi çështje asketike e morale, na zbulojnë një njeri të ekuilibruar e të kuptueshëm. Fama e tij i kaloi shpejt kufijtë e Qipros, veçanërisht pas vdekjes, kur kulti i tij u përhap në të gjitha Kishat e Lindjes. Aty ai shpallet si “orakulli i Palestinës”.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend